Kuriozitet

Gjenden në Tanzani fëmijë të vdekur pa dhëmbë e organe gjenitale, të hequra për rituale të magjisë

Dhjetë fëmijë janë gjetur të vdekur në Tanzani me dhëmbë dhe organe gjenitale të prerë për t’u përdorur në ritualet e magjisë

Dhjetë fëmijë të vegjël janë rrëmbyer dhe vrarë në Tanzaninë jugore dhe organet e tyre janë hequr për t’u përdorur në ‘ritualet e magjisë’. Lajmi i tmerrshëm është konfirmuar nga zyrtarët në Tanzani, të cilët kanë bërë të ditur se viktimat janë të moshës midis 2 dhe 10 vjeç.

Fëmijët ishin rrëmbyer nga shtëpitë e tyre në rajonin jugperëndimor Njombe në fillim të muajit janar. Ata u gjetën me disa pjesë të trupit të hequra, duke përfshirë veshët, gjuhën, dhëmbët dhe organet gjenitale.

“Deri tani, kemi gjetur dhjetë trupa, dhe pjesa më e madhe e dhëmbëve dhe organeve të tyre janë hequr”, tha zëvendësministri i Shëndetësisë i Tanzanisë, Faustine Ndugulile, për CNN, transmeton Shqip.

“Këto vrasje janë të lidhura me praktikat e magjisë, sepse ka një tendencë për krime të tilla, ku herbalistët u kërkojnë njerëzve të marrin këto pjesë njerëzore për ritualet e tyre”, shtoi ai.

Në Tanzani, albinët shpesh rrëmbehen dhe pjesët e trupit të tyre përdoren në magjitë e fiseve të ndryshme, me njerëz që besojnë se ato sjellin pasuri dhe fat të mirë.

Megjithatë, zyrtarët thanë se fëmijët e rrëmbyer dhe vrarë në Njombe nuk kishin qenë albinë.

Policia ka arrestuar një person në lidhje me vrasjet, i cili është i afërm i tre viktimave, të cilët të gjithë u rrëmbyen nga e njëjta familje, raporton BBC.

Kombet e Bashkuara kanë dënuar sot vrasjet dhe kanë shprehur ngushëllimet e tyre në një deklaratë.

“Kombet e Bashkuara në Tanzani u japin ngushëllimet më të thella familjeve dhe komuniteteve të fëmijëve të vrarë brutalisht në Njombe gjatë javëve të fundit”, thuhet në deklaratë.

“Si OKB, ne jemi të gatshëm të mbështesim qeverinë në përpjekjet e tyre për të adresuar këtë çështje”, tha Alvaro Rodriguez, koordinator rezident i OKB-së në Tanzani.