Kuriozitet

Danimarka po i ndërton nëntë ishuj gjigantë artificialë

Autoritetet në Danimarkë planifikojnë t'i ndërtojnë nëntë ishuj artificialë jashtë brigjeve të Kopenhagës me një sipërfaqe prej më shumë se 32 milionë metra katrorë.

Shpresohet që ishujt e rinj, që do të quhen "Holmene", do të bëhen një qendër futuristike për biznes dhe tregti të qëndrueshme.

"Mendoj se mund të bëhet një lloj Lugine Evropiane e Silikonit", tha Brian Mikkelsen, kreu i Odës Daneze të Tregtisë, në një intervistë me “The Guardian”.

Ishujt artificialë do të ndërtohen duke e shtuar dheun nga projektet e ndërtimit në këtë zonë - madje 26 milionë metra kub të materialit, sipas “New Atlas”.

Kjo sipërmarrje e madhe është planifikuar të fillojë në vitin 2022, me ç'rast ishulli i parë do të bëhet operacional brenda rreth gjashtë vjetëve. Sipas orarit aktual, i gjithë projekti do të përfundojë rreth vitit 2040, shkruan sot Koha Ditore.

Projekti do të ndërtohet me shkëmbinj nënujorë dhe ishuj të vegjël për t'i mbështetur kafshët e egra, së bashku me turbinat me erë për prodhimin e energjisë.

Konsulenti arkitektonik Arne Cermak Nielsen, i cili po punon në projektin në fjalë së bashku me firmën Urban Power, tha për “New Atlas” se "ishujt mund të zhvillohen në mënyrë tematike, duke lënë kushte më të mira për industrinë dhe hulumtimet inovative në kuadër të teknologjisë ekologjike, bioteknologjisë, shkencës së jetës dhe sektorëve të ardhshëm ende të panjohur. Cilësia e të qenit pranë ujit nuk duhet të nënvlerësohet, ndërsa brigjet e ishujve dhe deltat që dalin mes tyre e kanë një potencial unik".

{gallery}