Kuriozitet

Luftanija që ndezi shkëndijë të luftës mes SHBA-së dhe Spanjës para 121 viteve

Descriptive Text

Më 25 janar 1898, luftanija amerikane U.S.S. Maine, hyri në portin e Havanës, në Kubë. Ajo që ndodhi me të do të ndizte shkëndijë të luftës ndërmjet Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Spanjës. Misioni i anijes ishte të mbronte qytetarët amerikanë dhe pronat e tyre në Havanë, kundër dhunës së mundshme gjatë kryengritjes së Kubës kundër Spanjës.

Më 15 shkurt, tri javë pas ankorimit të luftanijes, si pasojë e një shpërthimi të fuqishëm dhe e zjarrit që pasoi, anija Maine u fundos dhe humbën jetën 266 amerikanë. Gazetat amerikane fajësuan për këtë Spanjën dhe nxitën opinionin publik kundër spanjollëve me thirrjen ‘Kujtoni anijen Maine’.

Në fakt askush nuk ka qenë në gjendje të përcaktojë se kush ishte përgjegjës për shpërthimin. Jo më vonë se dy muaj pas fundosjes së luftanijes Maine në portin e Havanës, Shtetet e Bashkuara dhe Spanja ishin në luftë ndërmjet tyre. Luftërat zgjatën më pak se 4 muaj, përcjell kp.

Fuqia ushtarako-detare e Shteteve të Bashkuara luajti rol të rëndësishëm në fitoren amerikane. Si pjesë e marrëveshjes së paqes në përfundim të luftës, Spanja hoqi dorë nga kontrolli mbi Kubën. Më 25 janar 1961, miliona amerikanë panë transmetimin e parë të drejtpërdrejtë televiziv të një konference presidenciale shtypi. Presidenti John Kennedy që kishte filluar detyrën 5 ditë më parë, iu përgjigj pyetjeve të reporterëve për rreth 35 minuta.

Kjo ishte e para e shumë konferencave shtypi, të transmetuara drejtpërdrejtë nga televizioni, që presidenti Kennedy mbajti gjatë më pak se tre vjetëve që qëndroi në detyrë. Kennedy, i cili ishte 43 vjeç, kur bëri betimin si president i vendit, ishte i qetë, plot besim në vetvete dhe mendjemprehtë në konferencat e drejtpërdrejta televizive të shtypit.

Ndihmësit e tij i shihnin këto konferenca shtypi si një mjet për të bërë të njohur popullin amerikan me cilësitë dhe aftësitë komunikuese të presidentit Kennedy. Transmetimet e këtij lloji në fakt e shtuan popullaritetin e presidentit amerikan.