Kuriozitet

Zbulohen arinjtë e ujit një kilometër nën akull

Descriptive Text

Shkencëtarët në Antarktik kanë gjetur skelete të kafshëve të vogla në një liqen misterioz të varrosur 1 kilometër nën akull.

Mercer është një liqen aktiv hidraulik që shtrihet më shumë se 1,000 metra poshtë Whillans Ice Plain, një seksion i lëvizshëm i pllakës së akullit të Antarktikut Perëndimor.

Hulumtuesit arritën në liqen për herë të parë në fillim të këtij viti dhe tani kanë zbuluar shenja të jetës, transmeton KosovaPress.

Sipas revistës Nature, studiuesit gjetën eshtrat e krustaceve dhe një tardigradë, ose “ari i ujit” në thellësitë e akullta. Ata madje thonë se jeta ende mund të ekzistojë atje.

Liqeni Mercer mbulon 160 kilometra katrorë, dyfishi i madhësisë së Manhatanit. Me gjithë temperaturat që kanë gjasa të qëndrojnë nën 0°C, liqeni nuk ngrihet, për shkak të presionit intensiv nga akulli.

Zbulimi i kafshëve ishte “plotësisht i papritur”, tha për Nature, David Harwood, një mikro-paleontolog në Universitetin e Nebraskës-Lincoln, i cili është pjesë e ekspeditës SALSA.

Ekipi është i pasigurt se si krijesat kanë ardhur atje, por një teori është se ato banonin pellgje dhe përrenj në Malet Transantarktik 50 kilometra larg gjatë periudhave të shkurtra të ngrohta që ndodhën në 10,000 vjetët e fundit apo 120,000 vjet më parë dhe disi kaluan në liqenin Mercer. Kur klima u ftoh, kafshët u mbërthyen në një varr të akullt.

Ekipi tani ka në plan të marrë ADN-në nga skeletet për të parë nëse kafshët janë specie të ujërave të njelmëta apo të ëmbla.

Gjithashtu mund të zbulojnë se si ato mbijetuan në mjedisin nënujor kur ai u mbulua nga akulli.

Tardigradët, të njohur gjithashtu si arinjtë e ujit, thuhet të jenë kafshët më të pa shkatërruara në botë.

Këto krijesa të vogla janë në shumë forma - ka më shumë se 900 lloje - dhe ato gjenden kudo në botë, nga malet më të larta deri në oqeanet më të thella. Kanë tetë këmbë (katër palë) dhe secila këmbë ka katër deri tetë kthetra që i ngjajnë kthetrave të një ariu.

Edhe nëse ngrihen, thahen apo ekspozohen ndaj rrezatimit, ato janë aq elastike sa do të jenë ende gjallë 200 vjet më vonë.

Arinjtë e ujit mund të jetojnë në temperatura të ulëta deri në -457 gradë, në nxehtësi deri në 357 gradë dhe 5,700 shkallë të rrezatimit, kur 10-20 shkallë do të vrasin njerëzit dhe shumicën e kafshëve të tjera.

Tardigradët kanë jetuar rreth 530 milionë vjet më parë dhe mbijetuan zhdukjen e dinozaurëve. Ato mund të jetojnë edhe për një dekadë pa ujë dhe madje mbijetojnë në hapësirë, shkruan Daily Mail.

Ndërsa, krustacet janë një grup i kafshëve jo vertebrore të përbërë nga rreth 45.000 lloje të shpërndara në mbarë botën. Ata janë artropodë ujorë ose amfibë me predhë të fortë, trup të segmentuar dhe shtojca të bashkuara si gaforre, karavidhe, karkaleca.