Kuriozitet

Në Turqi gjendet vula e vjetër 9000 vjeçare

Vula e lashtë që daton rreth 9000 vjet më parë, është zbuluar në një kodrinë në qytetin jugor dhe bregdetar të Mersinit në Turqi.

Vula i përket viteve 7000 para erës sonë dhe u zbulua në Jumuktepe Hojuk, vend që ndodhet katër kilometra në perëndim të qendrës së qytetit Mersin, shkruan ATSH.

Gjatë gërmimeve prej dy muajsh e gjysmë në kodrinë, ekipi prej 25 personash i kryesuar nga një profesoreshë e arkeologjisë në Universitetin e Leçes në Itali, Isabella Caneva, zbuloi një majë të shigjetës që i përkiste epokës neolitike, si dhe disa gurë të vegjël.

“Ne zbuluam një vulë të lashtë 9000 vite më parë. Vula është pronë private. Ka modele gjeometrike në të”, shpjegoi Caneva.

Ajo shtoi se ekipi mori informacione të çmuara dhe të dobishme për historinë e rajonit gjatë këtyre gërmimeve.