Kuriozitet

Shtohet pasuria e njerëzve më të pasur në botë, arrin 70 trilionë dollarë

Descriptive Text

Pasuria kumulative e milionerëve dhe miliarderëve të botës, në vitin 2017 është rritur me 10 për qind, duke arritur në 70.2 trilionë dollarë.

Viti i kaluar shënoi herën e parë që pasuria e njerëzve më të pasur në botë të ketë arritur në 70 trilionë dollarë, ndërkohë që ishte rritja e dytë më e madhe vjetore që nga viti 2011, shkruan AA.

Hulumtimi në fjalë u publikua nga kompania konsulente e Capgemini në raportin e saj vjetor të pasurisë botërore.

Në nivel global, në vitin 2017 botës i janë shtuar 1.6 milionë “individë me vlerë të lartë neto” (HNWI), të cilët përshkruhen si njerëz me asete mbi një milion dollarë.

Kompania konsulente beson se në vitin 2025, pasuria e njerëzve më të pasur do të tejkalojë 100 trilionë dollarë.

Capgemini beson se rritja e tregjeve globale, është arsyeja kryesore që njerëzit më të pasur rritën pasuritë e tyre në mënyrë të shpejtë.

“Individë me vlerë të lartë neto, vitin e kaluar për të dytin vit radhazi, shënuan 20 për qind profit nga investimet e tyre”, deklaroi presidenti i kompanisë Capgemini, Anirban Bose.

Mbi 61 për qind e personave HNWI jetojnë në SHBA, Japoni, Gjermani dhe Kinë. Nga milionerët e rinj gjatë vitit 2017, 62 për qind jetojnë në këto shtete.

Për të përpiluar raportin, Capgemini anketoi 2.600 milionerë dhe miliarderë të cilët jetojnë në 19 rajone të ndryshme.