LAJMET E MBRËMJES

SHBA-ja, BE-ja e NATO-ja kërkojnë implementim të menjëhershëm të Marrëveshjes

Pajtueshmëria për aneksin e zbatimit të Marrëveshjes është parë si vendosmëri e përkushtim i Kosovës dhe Serbisë drejt rrugës për integrim në Bashkimin Evropian, nga përfaqësues të shteteve të bashkësisë ndërkombëtare. Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë kërkuar që marrëveshja e panënshkruar të implementohet menjëherë.

Implementim të menjëhershëm të aneksit të Marrëveshjes Bazë të arritur në Ohër mes Kosovës dhe Serbisë, kanë kërkuar Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka thënë se SHBA-ja do të ofrojë përkrahje të plotë për zbatimin e të gjitha obligimeve që rrjedhin nga ajo.

“Një marrëveshje e rëndësishme është arritur. SHBA-ja do të ofrojë përkrahje të plotë për zbatimin e plotë të këtyre detyrimeve në përputhje me angazhimet tona afatgjata për të avancuar sigurinë, stabilitetin dhe prosperitetin për popullin e Kosovës dhe të rajonit”, ka thënë Hovenier.

E, komisioneri për Zgjerim dhe Fqinjësi i Bashkimit Evropian, Oliver Varheleyi, ka thënë se ky hap tregon vendosmërinë e përkushtimin e dy vendeve për anëtarësim në BE.

“I përgëzoj të gjitha palët. Ne jemi të gatshëm t'i mbështesim të dyja në procesin e zbatimit”, ka thënë Varheleyi.

Edhe NATO-ja ka mirëpritur pajtueshmërinë e Kosovës dhe Serbisë.

Zëdhënësja e NATO-s, Oana Lungescu, i ka inkurajuar dy vendet ta zbatojnë atë për të cilën janë pajtuar.

“Ne jemi të përkushtuar ndaj stabilitetit në Ballkanin Perëndimor, përfshirë këtu edhe KFOR-in”, ka shkruar ajo në Twitter.

Gjermania ka uruar Kosovën dhe Serbinë për dakordimin në Ohër për aneksin e implementimit të Marrëveshjes Bazë të normalizimit të marrëdhënieve.

Nga Qeveria e Gjermanisë është thënë se kjo ndihmon në vendosjen e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë në rrugën e duhur.

Ne do të jemi me ju që të përmbushni perspektivën tuaj evropiane”, ka shkruar në Twitter zëdhënësi i Qeverisë së Gjermanisë, Steffen Hebstreit.

Zbatim të shpejtë pret edhe raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon.

“Është vërtet lajm i mirë. Po shikoj me padurim të marr më tepër detaje për këtë. Vërtet shpresoj që të shoh zbatim të shpejtë”, ka thënë Von Cramon.

Veprim kyç drejt rrugës për integrimin evropian, e kanë kualifikuar Marrëveshjen Bazë, Austria e Norvegjia.

Arritjen e pajtueshmërisë e kanë përshëndetur edhe krerët e shtetit shqiptar.

Presidenti Bajram Begaj e kryeministri Edi Rama shpresojnë që arritja e marrëveshjes së panënshkruar Kosovë-Serbi të jetë garanci për stabilitetin dhe të ardhmen e rajonit në Bashkimin Evropian.

“Le të shpresojmë që djalli të mos fshihet në detaje sonte dhe që marrëveshja e rënë dakord por e panënshkruar të mos jetë një tjetër mashtrim ballkanik! Përndryshe kjo do të ishte një arritje historike që do të shpallte një pranverë të shumëpritur në marrëdhëniet mes dy kombeve më të mëdha të Ballkanit”, ka thënë kryeministri Rama.

E, gatishmëri për të mbështetur të dy vendet në rrugën drejt zbatimit të marrëveshjes ka shprehur edhe Sllovakia, shtet i cili ende nuk e njeh pavarësinë e Kosovës.