LAJMET E MBRËMJES

Osmani: Duhet koordinim i mëtejmë me Shqipërinë për politikën e jashtme

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, ka nisur të enjten vizitën dyditëshe në Kosovë për kremtimin e 15–vjetorit të shpalljes së Pavarësisë. Ai është pritur nga krerët institucionalë, ku i është kërkuar që Shqipëria të jetë zë i fuqishëm në institucionet ku Kosova i ka dyert e mbyllura

Shqipëria duhet të jetë zë i Kosovës në institucionet ku nuk ka përfaqësim, ka thënë presidentja Vjosa Osmani.

Në pritjen që ia bëri të enjten presidentit të Shqipërisë, Bajram Begaj, në prag të 15-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë, Osmani vuri në dukje nevojën për koordinim më të madh në sferën e politikës së jashtme.

Dy presidentët pas takimit nuk u deklaruan për media. Por, në njoftimin e Presidencës së Kosovës thuhet se Kosova e Shqipëria janë bashkërisht të angazhuara dhe të përkushtuara në mbrojtjen e demokracisë, paqes dhe lirisë.

E, presidenti Begaj, përmes njoftimit nga zyra e tij për media, i vlerësoi të shkëlqyera marrëdhëniet ndërshtetërore.

“Kosova e pavarur ua ka dhënë jo vetëm shtetasve të saj dinjitetin e merituar dhe të shumëpritur shtetëror, por njëkohësisht e ka bërë rajonin tonë më të paq e të sigurt, si dhe kombin shqiptar të lirë të rigjejë rrugën e munguar padrejtësisht të bashkëpunimit kombëtar”, thuhet ne njoftim.

Begaj të enjten pasdite u prit edhe nga kryeministri Albin Kurti. As pas këtij takimi nuk pati deklarata për media.

Presidenti Begaj do të vazhdojë qëndrimin në Kosovë edhe të premten, kur do të mbajë fjalë rasti në seancën solemne të Kuvendit në 15-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë.