LAJMET E MBRËMJES

Serbët thonë se nuk duan shtet tjetër, kërkojnë themelimin e Asociacionit

Me intonim të himnit të Serbisë, këngë dhe simbole nacionaliste, e tone të forta, serbë të shumtë janë mbledhur të dielën në sheshin kryesor të Mitrovicës së Veriut, për të protestuar kundër vendimeve të Qeverisë së Kosovës.

Me flamuj të Serbisë në duar e me mbishkrimet “Ne kemi një shtet, Serbinë”, “Të gjithë jemi Nenad Gjuriq”, “Nga këtu s’ka kthim prapa”, serbët kundërshtuan edhe një herë konvertimin e targave nga ato ilegale në RKS.

Në sheshin “Car Lazar” u valëvit edhe flamuri i Rusisë.

Protesta u mbajt një ditë pasi përfaqësuesit e serbëve nga veriu i Kosovës kanë vendosur të largohen nga të gjitha institucionet e Kosovës: Qeveria, Kuvendi, pushteti lokal, gjyqësori dhe policia.

Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, ka kërkuar themelimin e Aociacionit dhe tërheqjen e vendimit për targa.

“Ne nuk duam ta kërcënojmë askënd, përveçse dëshirojmë që të zbatohen marrëveshjet e arritura dhe të formohet Asociacioni dhe të përmbushen të gjitha marrëveshjet e Brukselit. Natyrisht, të tërhiqen të gjitha vendimet e njëanshme, si ai për targat”, tha Rakiq.

Drejtori i suspenduar i Policisë, Nenad Gjuriq, ka arsyetuar “dorëheqjen”, duke thënë se s’ka dashur të ndihet i turpëruar para popullit të tij.

“Për të gjithë ata që lëkunden dhe dyshojnë në të vërtetën e veprave të bëra, dua ta citoj të madhin Njegosh, i cili thotë, të gjithë lindin për të vdekur një ditë, nderi dhe turpi rrojnë përjetë”, tha Gjuriq.

Gjuriq është suspenduar ditë më parë shkaku i moszbatimit të vendimit të Qeverisë, që parasheh sanksione për qytetarët që nuk i konvertojnë targat ilegale në ato RKS.

E nënkryetari i Listës Serbe, Igor Simiq, ka kërkuar mbështetje për Milan Radoiçiqin, i cili është në listë të zezë nga Departamenti Amerikan i Shtetit.

“Më duhet ta përmend njeriun i cili vitet e fundit është duke bartur barrën më të madhe vetëm se e do dhe e mbron popullin serb dhe shtetin e Serbisë, andaj ju lus që me duartrokitje të fortë ta përshëndesim patriotin e sinqertë dhe serbin e madh, i cili asnjëherë nuk iu nënshtrua presioneve dhe nënçmimeve, vëllanë tonë, Milan Radoiçiq”, u shpreh Simiq.

Kryetari i dorëhequr i Komunës së Mitrovicës së Veriut, Milan Radojeviq, ka thënë se “lufta” nuk ka mbaruar, por se, sipas tij, do të vazhdojë në forma të tjera.

“Me këtë përmbyllje që arritëm, sot në mëngjes unë dhe kolegët e mi mbajtëm seanca urgjente të kuvendit komunal, ku të gjithë zyrtarisht dhamë dorëheqjet. Lufta jonë nuk ka mbaruar, lufta jonë vazhdon ende, por do të jetë në një formë tjetër dhe nuk ka dorëzim”, tha Radojeviq.

Pas fjalimeve, qytetarët janë shpërndarë të qetë.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u ka bërë thirrje serbëve që të mos i braktisin institucionet e Kosovës dhe që të mos jenë pre “e manipulimeve politike dhe lojërave gjeopolitike”.

Ndërsa, homologia e tij serbe, Ana Bërnabiq, e ka mbrojtur vendimin e serbëve në Kosovë për dorëheqje.