LAJMET E MBRËMJES

Mësimdhënësve u dalin pagat, ministri thotë se është paradhënie

Mësimdhënësve të premten u janë ekzekutuar pagat për muajin shtator. Siç ka bërë të ditur ministri i Financave, Hekuran Murati, pagesa është ekzekutuar në formë paradhënieje për orët e humbura, që do të zëvendësohen sipas kalendarit të ri. E, kundër idesë së kompensimit të orëve të humbura të shtunave është shprehur sot Këshilli i Prindërve, derisa kryetarët e komunave kanë dalë me një propozim të tyrin

Qeveria e Kosovës ka ekzekutuar të premten pagesat për mësimdhënësit grevistë. Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka shkruar se pagesa paraqet paradhënie për orët e muajit shtator, që, siç e potencoi, do të zëvendësohen sipas kalendarit të ri të mësimit, të miratuar nga MASHTI. Njoftimin mbi ekzekutimin e pagesave dhe arsyetimin për këtë vendim e ka dhënë edhe Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve (MFPT) nëpërmjet një komunikate.

“Organizatat buxhetore duhet të vendosin nëse do t’i procedojnë pagat si paradhënie për orët e shtatorit që do të zëvendësohen sipas kalendarit të ri mësimor të miratuar nga MASHTI, përndryshe duhet të veprojnë sipas nenit 18 të Ligjit për Greva. Pas përfundimit të procedurave dhe rikonfirmimit të listave nga OB-të që paradhënia procedohet në përputhje me kalendarin e ri mësimor, Thesari do të procedojë sot me ekzekutim të pagave”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve.

Ishte ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, që ka rekomanduar këtë javë formulën për pagën e shtatorit të mësimdhënësve. Ajo ka insistuar se nuk duhet paguar për ditët e grevës, duke i propozuar Ministrisë së Financave që paga mësimdhënësve t’u dalë në formë avance, si kompensim për zëvendësimin që do ta bëjnë për orët e humbura.

Ministria e Arsimit gjithashtu ka ndryshuar kalendarin shkollor, duke përfshirë në të kompensimin e orëve të humbura. Sipas këtij kalendari, mësimdhënësit e angazhuar në nivelin fillor dhe të mesëm të ulët, tetë ditë të humbura të mësimit do t’i kompensojë të shtunave. Krahas kësaj, ata do të punojnë edhe dhjetë ditë më shumë, pas riorganizimit të dy gjysmëvjetoreve. Ndërkaq, edhe mësimdhënësit e shkollave të nivelit të mesëm të lartë do të punojnë rreth 20 ditë më shumë, por jo të shtunave.

Një propozim tjetër të premten e ka dhënë Asociacioni i Komunave të Kosovës. Ata rekomanduan që kompensimi i orëve të humbura të bëhet çdo ditë me nga një orë shtesë.

“Ne, kryetarët e komunave ndajmë mendimin se kompensimi i orëve të humbura të mësimit, nuk duhet të bëhet ditëve të pushimeve të rregullta (fundjavave), çka nga vlerësimi praktik që kemi bërë si komuna, do të rezultonte e parealizueshme, për faktet si më poshtë:

Vijimi i mësimit pa ndërprerje gjatë pushimeve do të krijonte ngarkesë për fëmijët dhe familjet e tyre, çka në mënyrë të drejtpërdrejtë do të ndikonte në rënie të cilësisë dhe motivit për mësim”, thuhet në propozimin e AKK-së.

Kundër kompensimit të orëve fundjavave janë shprehur edhe në Këshillin e Prindërve.

Edhe ky Këshill ka shprehur shqetësime përkitazi me ngarkesën që u bëhet fëmijëve, por edhe shkaku i pjesëmarrjes së tyre në aktivitete të ndryshme sportive e të artit.

Një ditë më parë Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka dorëzuar kallëzim penal në Prokurorinë Speciale të Kosovës kundër ministrit të Financave, Hekuran Murati, dhe ushtruesit të detyrës së sekretarit të kësaj Ministrie, Enis Spahiu, për çështjen e mosekzekutimit të pagave të mësimdhënësve.

Për një muaj e një javë, mësimdhënësit ishin në grevë të përgjithshme, me kërkesën për shtesë mbi pagë në vlerën e 100 eurove.