LAJMET E MBRËMJES

Shefi i KE-së kërkon zbatimin e marrëveshjeve të Brukselit dhe progres në dialog

Zbatimi i marrëveshjeve të arritura në Bruksel dhe progresi në dialogun me Serbinë, kanë qenë kërkesat që presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, i ka adresuar gjatë vizitës së tij në Kosovë.

Michel të mërkurën është takuar me presidenten Vjosa Osmani, së cilës ia ka premtuar mbështetjen e Bashkimit Evropian. Takimin në Presidencë ndërkaq nuk e ka ndjekur që prej fillimit edhe ministrja e Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, që mbërriti me vonesë.

Shefi i Këshillit Evropian ka shprehur gjithashtu pritjen që gjatë muajve të ardhshëm të shënohet përparim në bisedimet midis Kosovës dhe Serbisë.

“Ne në plotni i përkrahim përpjekjet që të ketë progres në procesin e normalizimit të marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë. Do të donim që të bëheshin më shumë përpjekje për obligimet e marra nga e kaluara prej të dyja palëve”, ka thënë Michel.

E presidentja Osmani ka insistuar se njohja reciproke në procesin e dialogut është e vetmja zgjidhje për stabilitetin dhe paqen në rajon, derisa ka adresuar edhe një vërejtje për bllokun evropian.

“Bashkimi Evropian nuk do të duhej të lejonte që dialogu të shndërrohet në instrument të Serbisë, për ta minuar integritetin e Republikës së Kosovës, qoftë në mekanizma rajonalë, qoftë në mekanizma evropianë, sepse, tek e fundit, një gjë e tillë as nuk lejohet sipas marrëveshjes së arritur në Bruksel në vitin 2013, nën ndërmjetësimin e BE-së”, deklaroi Osmani.

Osmani ka kërkuar gjithashtu angazhim aktiv nga të gjitha shtetet anëtare për sa i përket votës për heqjen e regjimit të vizave për kosovarët, ndërsa ka përmendur edhe synimin e Kosovës për anëtarësim në BE.

“Kosova është, mbi të gjitha, e përkushtuar ndaj një procesi të anëtarësimit të bazuar në meritokraci. Dhe jo që është vetëm e gatshme, por plotësisht e angazhuar që t’i ndërmarrë të gjitha reformat e nevojshme për t’iu bashkuar familjes së Bashkimit Evropian”, shtoi Osmani.

Por fjalëpakë për sa i përket synimit të Kosovës që deri në fund të vitit të aplikojë për statusin e vendit kandidat ka qenë presidenti i Këshillit Evropian.

Ai ka bërë të ditur ndërkaq se për pranimin e aplikimit, Kosova duhet që të kalojë në një varg procedurash.

“Unë e kuptoj që ka qëllime për t’u bërë anëtar të BE-së. Ky vendim iu takon autoriteteve kosovare. Pastaj fillon procesi nga ana e BE-së. Hapi i parë do të jetë mbështetja e kësaj kërkese nga shtetet anëtare. Ka nevojë për përkrahjen nga shtetet anëtare që të vazhdohet me procedurën formale dhe procesin formal. E dini se sundimi i ligjit është ADN-ja e këtij procesi të Bashkimit Evropian. Ne kemi disa rregulla standarde, disa procedura dhe do t’i ndjekim procedurat dhe rregullat”, u shpreh Michel.

Pas Osmanit, Michel për takim është pritur edhe nga kryeministri Albin Kurti.

Presidenti i Këshillit Evropian, pas Malit të Zi dhe Kosovës, në kuadër të xhiros së tij në rajon do të qëndrojë për vizitë edhe në Maqedoninë e Veriut.