LAJMET E MBRËMJES

Opozita e quan lëmoshë ndihmën prej 100 eurove të vendosur nga Qeveria

Lëmoshë dhe politikë populiste e ka cilësuar opozita vendimin e Qeverisë për të ndihmuar pensionistët, përfituesit e skemave sociale, punëtorët e sektorit privat e publik dhe studentët me nga 100 euro. Në disa nga këto parti kanë thënë se alternativë për ta zbutur krizën në të cilën ndodhen qytetarët është mundësimi për të pasur qasje në një përqindje të kursimeve në Trust

Përfaqësues të partive opozitare e kanë quajtur lëmoshë vendimin e Qeverisë që gjatë muajit prill t’u ndahen nga 100 euro pensionistëve, përfituesve të skemave sociale, të punësuarve në sektorin publik e privat dhe studentëve.

Në Partinë Demokratike të Kosovës (PDK) kanë thënë se kryeministri Albin Kurti është treguar i paaftë për të menaxhuar rritjen e çmimeve dhe se zgjidhje nuk përbën “lëmosha”.

Në një konferencë për media, sekretari i PDK-së, Berndard Nikaj, ka thënë se ekzekutivi nuk ka asnjë ide për ta zhvilluar vendin dhe vendimin e Qeverisë e ka kualifikuar si populist.

“Pasi ua rriti çmimin e energjisë elektrike me mbi 100 për qind qytetarëve të Kosovës dhe pasi nuk po arrin të kontrollojë rritjen enorme të çmimeve të çdo produkti elementar të shportës familjare, Qeveria e nisi ditën sot me një tentim për të mashtruar sërish qytetarët e Kosovës përmes një lëmoshe, as më shumë dhe as më pak se në vlerë prej 100 eurosh. Ky vendim shpërfaq mungesën e çfarëdo vizioni e planifikimi social e fiskal”, ka thënë Stavileci.

Sipas tij, qytetarët kanë nevojë për zgjidhje më afatgjate, e jo vetëm për muajin prill.

“Kjo qeveri, që karakteristikë kryesore ka paaftësinë, nuk ka as planifikim, as vizion, as strategji dhe nuk ofron zhvillim. Të gjitha këto mundohet që t’i kompensojë përmes vendimeve të momentit e që më shumë ngjajnë në lëmoshë sesa në veprime të menduara e afatgjate, që adresojnë nevojat e qytetarëve. Qytetarët e Kosovës do të jenë këtu edhe muajt e tjerë pas prillit, dhe çmimet enorme që u rritën gjatë muajve të fundit do të vazhdojnë të mbesin të larta”, ka thënë ai.

Për të njëjtën çështje, kritika ka shprehur në një konferencë shtypi edhe kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj.

Sipas tij, shuma e prezantuar nga kryeministri është shumë e vogël dhe se me këtë po tentohet të fshihet dështimi i ekzekutivit për mosrritjen e pagave.

“Qeveria e Kosovës duhet të veprojë si qeveri e shtetit. Qytetarët kanë nevojë edhe për një euro, por nuk zgjidhet asnjë problem me masat që zgjasin veç një muaj. Është shumë e vogël shuma prej 100 eurosh që Albin Kurti fshihet pas paaftësisë së tij për të rishikuar buxhetin që do të mundësonte zgjidhje afatmesme të krizës financiare të qytetarëve. Pra, është e vogël kjo shumë që ai ta fshehë dështimin e tij për rritjen ekonomike dhe për rritjen e pagave të të gjithëve në Kosovë. Të punësuarit në Kosovë kanë nevojë për paga të dinjitetshme e të përhershme dhe Qeveria e vendit duhet që urgjentisht t’i rritë pagat për të gjitha kategoritë”, theksoi Haradinaj.

Ish-kryeministri, ashtu sikurse edhe PDK-ja, ka kërkuar që të miratohet Ligji për Paga. Hardinaj ka theksuar se rritje duhet të ketë edhe në pagën minimale dhe ka bërë apel që të lejohet tërheqja e një përqindjeje nga Trusti.

“Ne propozojmë që paga minimale neto të jetë 370 euro. Pagat nuk kanë lëvizur, pra nuk ka rritje të pagave me vite dhe çmimet janë rritë në vazhdimësi. Qeveria duhet që urgjentisht ta kalojë Ligjin e pagave, me rritje prej 33 për qind të pagave dhe të gjitha skemave pensionale. Kjo është e përballueshme për buxhetin e Kosovës, pra me rishikimin e buxhetit është e zbatueshme edhe sot. Qeveria duhet të veprojë pa vonesë për ta zbritur TVSh-në për artikujt ushqimor, si dhe për ta hequr taksën për pagat nën 370 euro. Duhet gjithqysh sot të kalojë ligji për tërheqjen e mjeteve të Trustit, pra të paktën 15 për qind”, theksoi ai.

Kundër vendimit të Qeverisë është pozicionuar edhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK).

Besian Mustafa, deputet i Kuvendit të Kosovës nga kjo parti, ka thënë se ky veprim është politik dhe me të Qeveria po mundohet t’i mbulojë skandalet.

“Me 100 euro politike nuk mbulohet kriza dhe as nuk ofrohet zgjidhje ekonomike. Me 100 euro politike nuk mund të mbulohet skandali i shkeljes së Kushtetutës në vazhdimësi. Me 100 euro politike nuk mund të mbulohen nepotizmi, konflikti i interesit e kapja e institucioneve. Me 100 euro politike nuk mund të mbulohet superafera pronto”, është shprehur ai.

Mëngjesin e së martës, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe ministri i Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, kanë prezantuar masat e reja për mbështetjen e të gjithë pensionistëve, punëtorëve të sektorit privat dhe publik, si dhe studentët me nga 100 euro për muajin prill.