Kulturë

Halili çon në Vjenë zërin e kosovarëve të izoluar

Descriptive Text

Zëri i kosovarëve të izoluar do të dëgjohet në Vjenë përmes punës së artistes shqiptare, Ervina Halili.

Më 20 qershor Halili do të prezantojë punën e saj artistike në “Museums Quarter”, në të cilën shfaqen tekste zanore në gjuhën shqipe të cilat flasin për pamundësinë e lëvizjes së lirë në kontekst politik dhe emocional.

“‘Museums Quarter’ është një kompleks muzesh me hapësirë prej 60.000 metra katrorë. Përfshinë barokun dhe muzetë e artit bashkëkohorë si Leoplod, Mumok e Tanzquartier. Përveç këtyre, muzeu ka një numër të madh të studiove të artistëve të cilët përkohësisht jetojnë dhe punojnë brenda muzeut”, ka thënë Halili për Koha.net.

Ajo bën të ditur se ky projekt i sjelljes së artistëve të huaj për të kontribuar brenda muzeut është themeluar në vitin 2002 dhe mbështetur nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Integrimeve Evropiane dhe Institutit Kërkimor për Art dhe Teknologji.

Dashamirët e artit mund të vizitojnë gjithashtu këto studio çdo të diele, për të parë punët e artistëve.

Në këto rezidenca arti çdo dy-tre muaj ftohen artistë të secilës fushë të artit dhe letërsisë. Sound Art, letërsi, fotografi, art i rrugës, grafikë, performancë, dhe këta artistë mund të vazhdojnë punën e tyre individualisht ose edhe mund të bashkëpunojnë me artistët e fushave të tjera.

Në qershor e korrik, përveç Ervina Halilit, janë edhe këta artistë në muze:

Image

“Secili prej tyre ka ngjarjen individuale, dhe ajo e imja është me datën 20 qershor brenda hapësirës së muzeut. Do të projektohen disa tekste zanore në gjuhën shqipe të cilat flasin për pamundësinë e lëvizjes së lirë në kontekst politik dhe emocional si dhe për trajtim të qenies njerëzore si qenie politike. Do të prezantohet libri im i botuar këtu në Vjenë “Der Schlaf des Octopus” si dhe koncepti i vetë shkatërrimit kolektiv si pasojë e nënshtrimit ndaj etikës politike dhe konvencionale”, shprehet Halili për Koha.net.

Ajo shton se, “projekti aktual në të cilin po punoj është material më i ndjeshëm se sa materiali poetik të cilin do ta prezantoj me datën 20 qershor. Projekti aktual i punës si hulumtim ka përfunduar gjatë qëndrimit tim në Kosovë, pas kthimit tim nga Grazi, dhe vazhdon të jetë i hapur për rrëfime spontane”.

Këto nuk janë të vetmet projekte të saj, ajo gjithashtu bën të ditur se më 1 shtator do të prezantohet një pjesë e punëve të saj në gjuhën gjermane.

“‘Landis & Gyr Stiftung’ në Zug me ka ndarë çmimin për shkrimtaren e gjysmëvjetorit me ç’rast nga gushti i këtij viti do të mund të vazhdoj rrugëtimin tim letrar atje në studiot dhe galeritë e tyre. Më 1 shtator gjatë ‘Zuger Kunstnacht’ do të prezantohet një pjesë e punëve të mia në gjuhën gjermane nga aktori Zari Dzaferi, dhe saksofonisti Christof Zurbuchen”, thotë Halili.