Kulturë

“Pristina: The Flowering” nis rrugëtimin me thirrjet për paqe

Prishtinë 13 qershor - Një qytet që nuk ka mbushur ende dy dekada që ka dalë nga lufta e ku plagët e saj vazhdojnë të jenë prezente në forma të ndryshme, mund t’u shërbejë shumë studiuesve a hulumtuesve që të prekin nga afër pasojat e një konflikti të armatosur.

Si “rezidencë” mund t’u hyjë në punë edhe atyre që merren me traumat kolektive. Por me gjithë rrethanat në të cilat ndodhet Kosova - ku nëpërmjet bisedimeve politike e teknike, por edhe nëpërmjet artit është duke u munduar të arrijë paqe me Serbinë si shtet agresor që vrau mijëra civil e deportoi qindra e mijëra të tjera - është në gjendje të manifestojë edhe mesazhe paqeje. “Pristina: The Flowering” (Prishtina: Lulëzimi) është imazhi më i ri i kryeqytetit të Kosovës, që do të shëtisë botën e do të çojë “pluhur” paqeje edhe në selinë e Kombeve të Bashkuara në tetor të këtij viti.

Piktura monumentale e punuar me filigran – teknikë kjo e njohur në Kosovë e një nga pikat më të forta të trashëgimisë kulturore - paraqet hartën e Prishtinës në vija të trasha.

Prishtina del të jetë e “veshur” me ar. Aty përshkruhet e kaluara, e tashmja dhe e ardhmja. E krejt ky punim monumental përmbledh qindra rrëfime e copëza jete ndër shekuj. Nëpërmjet historisë së Kosovës, kërkohet që në botë të mbretërojë paqja.

Projekti është finalizuar të martën mbrëma, kur edhe është prezantuar në Muzeun e Kosovës, vend ky që për ekipin ka shërbyer si atelie. Ellen Frank e ka futur kryeqytetin kosovar në mesin e më shumë se dhjetë të tjerëve në koleksionin që do të shëtisë botën (gjerësisht, sot në “Kohën Ditore”).