Kulturë

Nga Lidhja e Prizrenit deri më tani kufijtë u rrudhën me dhjetëra mijëra kilometra

Lidhja Shqiptare e Prizrenit mbetet ndër ngjarjet më sublime në historinë e kombit shqiptar pas vdekjes së Skënderbeut dhe pushtimit osman të tokave shqiptare dhe Ilirisë në përgjithësi.

Më 10 qershor 1878, u formua një organizatë politiko-ushtarake me premisa kombëtare, e cila konsiderohet si fazë e parë e rikrijimit të shtetit shqiptar, por kufijtë e shqiptarëve që nga atëherë dhe deri më sot u ndryshuan tejet shumë, duke u tkurrur e cunguar.

Historianët pohojnë për KosovaPress, se Arbëria si trashëgimtare e Ilirisë, deri në shekullin e IX ka pasur një shtrirje shumë të gjerë.

Shtrirja dhe vendbanimet e ilirëve.

Në Slloveni, Kroaci, Dalmaci. Bosnjë e Hercegovinë, banonin japodët, liburnët, dalmatët, desidiatët, ardianët dhe fise të tjera të vogla. Në Kosovë, dardanët; në luginën e Drinit të Zi, penestët; në atë të lumit Vardar, paionët; në Mal të Zi, dokleatët; në rrethet e liqenit të Shkodrës e deri thellë në malësinë e veriut, labeatët; në grykën e Drinit, abrejt; në Breg të Matjes, parthinët; në malësinë e Lezhës, në Mirditë dhe në krahinën e sotme të Matit, pirustët.

Historiani Frashër Demaj, duke komentuar historinë e popullit shqiptar nga Lidhja e Prizrenit dhe deri më sot, thotë për KosovaPress se me traktatin e Shën Stefanit, u cenua rëndë gjeografia shqiptare.

“Pas përfundimit të luftës ruso-turke, në Shën Stefan, më 3 mars 1878 u nënshkrua traktati i Shën Stefanit, që është traktat paqeje mes perandorisë osmane dhe perandorisë ruse. Ky traktat cenon rëndë gjeografinë shqiptare ose shtrirjen e popullsisë shqiptare, sepse sipas traktatit të Shën Stefanit, në kurriz të territoreve shqiptare, fitonte shumë Bullgaria, pastaj Serbia dhe Mali i Zi”, tha ai.

Harta e ndarjes sipas traktatit të Shën Stefanit

Harta e ndarjes se trojeve shqiptare sipas Shën-Stefan-it dhe rritja e territoreve të Serbisë dhe Malit të Zi.

Demaj thekson se edhe Kongresi i Berlinit, cenoi rëndë interesat e popullit shqiptar edhe pse jo në masën e traktat të Shën Stefanit. Në Kongresin e Berlinit, u copëtuan territoret shqiptare dhe atë në interes të Serbisë, Malit të Zi dhe Greqisë. Sipas tij, në fund të vitit 1877 dhe në fillim të vitit 1878, Serbia kishte dëbuar masivisht shqiptarët nga Sanxhaku i Nishit, gjë që nënkupton reduktimin e gjeografisë shqiptare dhe ardhjen muhaxherëve në brendi të vilajeteve shqiptare, kryesisht në brendi të vilajetit të Kosovës.

Harta e ndarjes se trojeve shqiptare sipas Kongresit të Berlinit dhe rritja e territoreve të Serbisë dhe Malit të Zi.

“Absolutisht ka tkurrje të kufijve të territoreve shqiptare, sepse faza e parë e copëtimit të territoreve shqiptare, në historinë e kohës së re, fillon në Kongresin e Berlinit, pastaj vazhdon në Konferencën e Ambasadorëve në Londër, sepse në konferencën e ambasadorëve u njohën vetëm 28 mijë km2 të shtetit shqiptar, pavarësisht se pavarësia e Shqipërisë u shpall në katër vilajete, përfshirë vilajetin e Shkodrës, vilajetin e Kosovës, vilajetin e Janinës dhe manastirit, mirëpo ishin vendimet e fuqive të mëdha dhe pamundësia e shqiptarëve. Shqiptarët atëherë nuk kishin as forcë politike, as ushtarake për të qenë partnerë serioz, i ndonjërës nga fuqitë e mëdha që ta fitonim përkrahjen”, tha ai.

Ndërsa pohon se ka qenë një gjeografi e gjerë e banuar me shqiptarë, e cila në periudha të ndryshme ka ndryshuar.

“Gjatë periudhës së Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, territoret shqiptare, po flasim me terma të sotëm gjeografik, kanë qenë të shtrirë në Tivar, kanë qenë të shtrirë në Ulqin, Plavë, Guci, Hot, Grudë, Kelmend, gjithë malësinë e madhe. Do me thanë një gjeografi kogja e gjërë e banuar me shqiptarë. Pastaj ka qenë Pazari i ri apo Novi Pazari, që i thonë në gjuhen serbe, që ishte qendër e gjithë Sanxhakut. Që sot njëfarë mënyre është asimiluar, është boshnjakizuar, gjithë ajo zonë që ishte puro shqiptare në kohen e Lidhjes së Shqiptarëve të Prizrenit, për të vazhduar pastaj në gjithë këtë pjesën që po themi të Sanxhakut dhe Nishit, që ishte e banuar krejtësisht me shqiptarë...Madje shqiptarët kanë jetuar dhe në Beograd, në qytetet në thellësi të Serbisë, mirëpo pas luftërave ballkanike, të vitit 1912, shqiptarët janë përzënë me dhunë nga territore të ndryshme të gjeografisë së tyre dhe pothuajse nga kanosja për t’u zhdukur, ata janë futur thellë në territoret e vilajetit të Kosovës, vilajetit të Shkodrës dhe të vilajeteve të tjera”, tha ai.

Që nga Lidhja e Prizrenit e deri më sot, sipas Demajt, ka ndryshim të madh të kufijve dhe se Ballkani duket krejtësisht ndryshe, në krahasim me atëherë.

“Ka një ndryshim të madh të kufijve. Ballkani duket krejtësisht ndryshe, krahasuar me atëherë, dhe ndryshimet më të mëdha në pamjen e hartës apo gjeografisë së Ballkanit, janë në kurriz të shqiptarëve, sepse e gjithë pjesa e Maqedonisë së sotme praktikisht në kohen e Lidhjes së Prizrenit s’kishte shtet maqedon. Madje edhe maqedonët e sotëm çdo ditë e më tepër bëjnë përpjekje pretendimi për të kapur një identitet sepse e ishte popullsi pa ndonjë identitet të veçantë, që në kohen e Jugosllavisë u krijuan. E gjitha kjo u bë në kurriz të shqiptarëve, sepse shqiptarët popullonin pjesën më të madhe të kësaj gjeografie. Pra përfundimisht duhet të themi që gjeografia e sotme e Gadishullit Ballkanik, ka dëmtuar ose ka reduktuar territoret e shtrirjes së shqiptarëve. Natyrisht kur janë reduktuar shqiptarët, të tjerët kanë zgjeruar territoret e tyre në kurriz të shqiptarëve”, tha ai.

Platforma politike e ideologëve të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, sipas tij, nuk është realizuar.

“Me një fjalë dhe sot e kësaj dite platforma politike e ideologëve të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit nuk është realizuar. Territoret shqiptare, vazhdojnë të jenë të copëtuara, por unë një gjë jam i sigurtë që popujt që nuk heqin dorë nga pretendimet e tyre mund të vonohen por do të realizojnë atë që kanë si pretendim të tyre kombëtar”, tha ai.

Edhe historiani Jahja Drançolli, duke komentuar historinë e popullit shqiptar nga Lidhja e Prizrenit deri më sot, thotë për KosovaPress, se në vitin 1912, padrejtësisht është cunguar kufiri shqiptar në konferencën e Londrës, me intervenimin e fuqive të mëdha, të cilat ishin në anën e Rusisë, e cila përkrahte pansllavizmin.

“Duke qenë populli shqiptar në kufijë me territoret sllave, u përgjysmuan ndoshta edhe më tepër dhe ky cungim i kufijve të shqiptarëve, është një cungim arbitrar, është një cungim politik, nuk është cungim natyror, nuk është gjendje reale ku ka jetuar dhe ku jeton sot e gjithë ditën populli shqiptar. Të gjitha këto flasin, për një tragjedi të popullit shqiptar. Po shpresoj që shekulli XXI, do t’i korrigjojë të gjitha këto gabime që janë bërë ndaj popullit shqiptar dhe populli shqiptar do të shkojë në hap me shtetet evropiane”, tha ai.

Drançolli thotë se më tepër se gjysma e Ballkanit ka qenë pjesë e shqiptarëve.

“Më tepër se gjysma e Ballkanit ka qenë pjesë e shqiptarëve, si trashëgimtarë të ilirëve. Edhe këto kufijë janë t’kurrur për shkaqe të politikës ditore, pan-sllavizmi, i cili ka qenë shumë i fuqishëm. Ka nisur në shekullin XIX, në krizën lindore. Kriza lindore që e kishte përfshirë perandorinë osmane edhe më pastaj janë bërë strukturat e reja gjeografike, planifikimet e reja, në copëzimin e territoreve shqiptare. Ne dimë për fatin e shqiptarëve, gjithandej janë dokumentet që shqiptarët janë shtrirë deri në Nish. Nishi ka qenë një ndër qendrat e rëndësishme shqiptare. Një ndër qendrat e rëndësishme ilire, në Nish është fol shqip. Nga Nishi e dimë, mu në vigjiljen e lidhjes së Prizrenit, për këtë që po diskutojmë tani, janë shpërngulur shqiptarët me dhunë, siç quhen tani muhaxherë në trevat e Kosovës së sotme”, tha ai.

{gallery}