Kulturë

“Lopa e Macchiatos”, libri i munguar në letrat shqiptare

“Pasi ta keni lexuar librin e Veton Surroit, me dëshirën për ta rilexuar përsëri, do të ndjeni një zbrazëti pasi libri padiktueshëm jua ka vjedhur historinë e jetës, për të cilën keni menduar se është ekskluzivisht e juaja”, kështu e nisi vlerësimin e tij për librin e ri të Veton Surroit, “Lopa e Macchiatos”, regjisori Agim Sopi.

Sopi, i cili është edhe mik i Surroit, e cilësoi këtë vepër si një libër të munguar në letrat shqiptare.

Tutje, Sopi shtoi se “Lopa e Macchiatos” vjen si një testament i mbamendjes së munguar historike, një udhërrëfyes për klasën e munguar politike, manual i filozofisë politike apo platformë për zgjidhjen e nyjave të ndërthurura të realitetit politik.

Surroi e promovoi sonte librin e ri në praninë e familjarëve dhe shumë miqve, në librarinë “Monet” në Prishtinë.

Duke qenë i shkurt në fjalim, shkrimtari dhe publicisti i njohur tha se ai e ka kryer punën e tij me këtë libër dhe tashmë i takon lexuesit për vlerësim.

Libri i ri i Surroit, “Lopa e Macchiatos”, do të jetë një nga 8 tituj e rinj të Botimeve Koha në Panairin e 20-të të Librit “Prishtina 2018”, i cili do të hapet të martën.

Për disa vite radhazi, librat e Surroit kanë arritur të jenë më të shiturit në këtë panair.