Kulturë

Bubulina, lufta dhe dashuritë e saj

Kur zbarkon në Specaj, në këtë ishull të bukur, të përmbytur nga e bardha e shtëpive, nga bluja detit dhe e qiellit, nga një diell që varion nga drita e bardhë dhe e argjendtë në mëngjes dhe në një të kuqe rrezëlluese në perëndim, nuk mund të largohesh pa pikëtakuar Bubulinën, heroinën arvanitase të Revolucionit Grek për pavarësi, e cila u shfaqet vizitorëve të shumtë jo vetëm me statujën e saj në skelën e qytetit, jo vetëm me emrin e saj në rrugët, kafenetë apo restorantet, por dhe me shtëpinë e saj të kthyer në muze, çka është krenaria e ishullit.

Meqë kisha përkthyer në shqip romanin e Michel de Grèce La Bouboulina, të këtij shkrimtari me origjinë nga familja mbretërore e Greqisë, kisha lexuar gjithashtu dhe një mori librash, mbresash e kujtimesh të njerëzve të ndryshëm që gjatë shekullit XIX kishin vizituar apo marrë pjesë në Revolucionin Grek.

Dhe në shkrimet e tyre Bubulina qëndronte si një personazh po aq interesant sa Marko Boçari, Karaiskai, Xhavellat, Kolokotroni dhe arvanitas të tjerë që i dhanë aq shumë atij revolucioni, shkruan Luan Rama në gazetën “Shqip”. Por fakti është se pothuaj asnjëri prej këtyre europianëve nuk fliste për jetën intime të Bubulinës dhe aventurat e saj. Heroika e personazhit, e “kapitenes se detrave” (kapetanica), kishte lënë në hije gjithçka që kishte të bënte me jetën e saj private. Me dy burra të vrarë, me një djalë po ashtu të vrarë në një betejë kur luftonin bashkë dhe ku pas beteje e gjeti duke dhënë shpirt, Bubulina u kthye në një personazh tragjik dhe ndryshe nga sa mund të mendohej, ajo mbeti me po ato ndjesi femërore si dhe më parë.

Ajo e donte jetën ashtu siç i vinte edhe pse jeta e saj ishte një dramë e përhershme. Në kujtimet e tij, kapiteni Voutier, i cili ishte një nga francezët e lavdishëm që luftoi për Revolucionin dhe Pavarësinë e Greqisë, e tregon shumë shkurtimisht njohjen me të dhe atë tipar që binte në sy tek Bubulina si një femër mjaft tërheqëse, duke shtuar se “ajo ishte ende e bukur dhe se sjelljet e saj ishin të drejtpërdrejta. Ajo qesh me gjithë zemër kur ne i themi se sa shumë flitet për të në Paris, ku e tregojnë ashtu me pisqollat e shpatën e madhe të saj. Bubulina nuk është një amazonë, por ajo ka ndjenja bujare e të flakta patriotizmi dhe është në vazhdën e traditës së femrave të Spartës”…

“Polemos qe agapi”

Ai që e zbuloi gjerësisht këtë anë të jetës intime ishte shkrimtari Michel de Grece, i cili zbriste në Specaj një shekull e gjysmë më vonë në vitet ‘60-‘70 të shekullit XX dhe duke ndenjur me speciotët e vjetër, rrëmonte në kujtimet e tyre, në atë që ishte kthyer në një lloj legjende, por që ishte e vërtetë. Pas kthimit nga Specaj ai shkroi biografinë e saj të romanizuar, por me penën e një historiani të vërtetë ku heroikja është parësore dhe ku erotikja i jep sharmin e vet personazhit, ngjarjeve, vetë historisë. Ja një pasazh nga libri i tij :

“Duke qenë se e kisha humbur dashurinë e vërtetë, – shkruan Michel de Grèce në librin e tij La Bouboulina, e rrëfyer në vetën e parë me zërin e vetë heroinës, – fillova ta keqtrajtoj dashnorin tim. E shaja që në mëngjes, madje i qepesha prapa gjer në spital për t’a penguar nga puna e për ta qortuar. Bridhja me bashkëluftëtarët e mi dhe sa më shumë ai donte të rrinte me mua, aq më shumë e bëja të priste. Një ditë, një grek më dha nja dy shpulla, të cilat sigurisht ia ktheva. Isha fatkeqe dhe doja ta bëja dhe atë fatkeq… Aq sa një mbrëmje, ai u hodh përpjetë nga inati. Gjendeshim në një tavernë të Nafplios me ca batakçinj që s’dija ku i kisha gjetur.

Duhej të kisha pirë shumë, sepse kur u ngrita, më merreshin këmbët e gati sa s’bija. I bëra shenjë të më ndiqte pas, por ai refuzoi të ngrihej. Atëherë u talla me të dhe e akuzova se ishte impotent. Ai u zverdh në fytyrë dhe doli. Atyre që më rrethonin iu desh të më mbartnin gjer në shtëpi. Të nesërmen, Samueli u shfaq shënd e verë dhe me një trastë në krahë. Kishte gjetur një vend në një anije napolitane që nisej për në Amerikë. As që bëri fjalën më të vogël për atë ç’kishte ndodhur një natë më parë. Lavdëroi përvojën që kishte fituar midis nesh dhe se ajo që kishte mësuar këtu do t’i vlente shumë për të hapur një spital në Kansas City.

Nxitonte të kthehej dhe të gjente të fejuarën e tij, e cila e priste me padurim ta takonte. Nisi të më flasë për bukurinë dhe virtutet e saj, i mallëngjyer nga letrat që ajo i kishte dërguar, ku i shkruante për mërzinë që e kishte pllakosur. Në fund më falenderoi ngrohtësisht për mikpritjen dhe gjithçka që kisha bërë për të. Më puthi lehtë në ballë dhe u zhduk kështu nga jeta ime. Nuk pati asnjë lloj zënke apo drame. Ai e preu këtë lidhje në mënyrë të qartë, të pastërt dhe të prerë, si me një thikë kirurgu… Atëherë vetminë time e mbysja me alkool. Ditën flija, ç’ka më bënte ta humbja mëndjen, ndërsa natën bridhja nga një mejhane në tjetrën.

Batakçinjtë, të cilëve u pagoja gotat që pinin, më brohorisnin dhe më rrethonin, duke më treguar dashurinë e tyre. “Bu-bu-li-na! – thërrisnin ata, kur bëja garë me gota rakije me ndonjërin prej tyre. “Bu-bu-li-na!” – thërrisnin, kur çohesha dhe hyja në një valle të fortë, para se të përmbysesha e të bija në tokë. Nuk kisha aq forcë sa ta ndaloja Mihalin të më ndiqte nga pas.

Nga frika se mos më ndodhte ndonjë gjë, ai më shoqëronte ngado, duke u ulur në një cep dhe duke shmangur të më shihte në sy, pa pirë asnjë gotë. Shpesh më priste gjer në agim.- “Do të vriteni!” – guxoi të më thotë një herë. – “Lërmë të jetoj ose të vdes, ashtu siç dua!” – i hakërrohesha unë. Mbrëmjen nuk e përfundoja kurrë vetëm. Ndonjërit prej burrave, kujt t’i binte rradha, i drejtoja një nga pistoletat, duke e detyruar të më ndiqte pas. Tjetri bënte sikur kishte frikë dhe në delirin mes thirrjeve dhe të qeshurave, ne dilnim jashtë. Tundesha andej-këndej, ndërsa tjetri mburrej e fryhej, ndërkohë që shakarat e shokëve të tij na shoqëronin pas. Edhe ata me të cilët s’kisha bërë ndonjë gjë, mburreshin se kishin kaluar një natë me mua…”

Në Specaj, duke e pyetur një mik speciot se si ishte Bubulina si femër, ai filloi të qeshte dhe të lëshonte një “hum”… dhe një “eh” si për të më thënë se s’kishte grua si ajo. “Lum ai që binte në krahët e Bubulinës”, më tha më së fundi specioti para se të ndaheshim. Shtëpia e Bubulinës ishte në lagjen që quhej „kunupica“ që siç thonin dhe studjuesit grekë, origjinën e kishte nga fjala shqipe „kunupi“. Një shtëpi e rëndë dykatëshe, e bardhë, si gjithë shtëpitë e ishujve të tjerë, e mbuluar me tjegulla, ku dritaret e saj të mëdha shihnin kalldrëmet e ishullit dhe detin përtej.

Oborri kuqëlonte nga lulet. Një shtëpi pothuaj treqind vjeçare, me katër dhoma të mëdha e sallone poshtë e sipër, ku dikur jetonte familja e burrit të saj të dytë, Bubulis. Në fakt ajo quhej Laskarina Pinotis, por Bubulina e thirrën pas vdekjes heroike të burrit të saj, Bubulis. Tavani i gdhendur i asaj shtëpie, i ngjante tavaneve të gdhendura të Gjirokastrës.

Në krah ishte minderi ku dikur priste miqtë, si dhe një pasqyrë e madhe dhe e bukur veneciane. Më tutje, gjendej një tavolinë franceze e objekte të tjera të blera në Firence apo në Orient, vazo porcelani me figurina vajzash anonime si dhe një kasafortë e madhe e prodhuar në Marsejë, që vite me radhë kishte qenë në kabinën e anijes së saj „Agamemnoni“. Nuk mungonin aty as koburet e saj, pisqolla të vjetra në argjend, kamat bizantine apo dhuratat e tjera nga Cari i Rusisë, armë të grabitura kushedi në ç’betejë si dhe piktura të mrekullueshme me portretin e saj, siç ishte dhe një e bashkëkohësit të saj, piktorit danez Adam Friedel. Po kaq befasuese ishin dhe letrat e shkruara nga dora e saj me një kaligrafi të habitshme për një audidakte si ajo, jeta e së cilës, në pjesën më të madhe kishte kaluar veçse në detra e oqeane.

Kur filloi revolucioni në Greqi, piktori Friedel ishte shfaqur me një rrobë ushtarake princore nga Europa e veriut për të luftuar për çlirimin e Greqisë. Por shpejt ai e la luftën për t’iu kushtuar udhëtimeve dhe artit, pasi kishte talent në pikturë. Kështu, ai kishte zbarkuar dhe në Hidra e Specaj, ku ishte frymëzuar pas heroinës arvanitase, duke krijuar disa portrete që padyshim janë nga më të bukurat e Bubulinës, edhe pse në këto piktura është më tepër një lloj princeshe e bukur dhe jo ajo Bubulinë që na shfaqet në tregimet e bashkëkohësve të vet aq e fuqishme, e fortë dhe tragjike, gati në kufijtë e legjendës.

“Në Specaj flasin “arvanitika”, pra shqip, gjuhën tonë, – ka shkruar Michel de Grèce përmes gojës së Laskarinës, në librin e tij biografik për të. – Në fakt, nëna, ati im dhe unë, ishim grekë pa qenë të tillë. Ishim grekë me shpirt e me zemër, me fe dhe me ideal, dhe sigurisht, grekë të sakrificës, sepse ne jepnim dhe jetën tonë për Greqinë, por jo grekë nga gjaku, sipas historianëve puristë. Unë jam një arvanitase, me një fjalë, shqiptare. Që prej kohrash tepër të largëta, raca jonë ka patur emra të ndryshëm. Vallë jemi pellazgë, ilirianë? Mos vallë gjuha jonë vjen drejpërdrejt nga sankritishtja, siç e pohojnë ekspertët? Di vetëm se ne kemi ardhur në Ballkan që prej mijra vjetësh dhe jemi shpërndarë nëpër koloni, pothuaj ngado nëpër Greqi. Hidra është shqiptare, Specaj po ashtu…”

Laskarina u rrit në fakt në një ambient arvanitas, me këngët dhe zakonet e tyre, të njëjta me ato të Shqipërisë së jugut. Të njëjtat këngë, mite e rite. Shumë e re ajo dashurohet me një grek nga Specaj, të quajtur Jonuzas, që atë kohë, si gjithë burrat e këtyre ishujve, rrihte detet e Greqisë dhe të Mesdheut. Në historinë e atyre ishujve, Bubulina do të ishte e para grua që do të thyente zakonin e vjetër. Duke ia lënë fëmijët nënës së saj, ajo ishte e para që e ndoqi të shoqin në det.

Ai e mori atë në portet e Italisë dhe të Dalmacisë, e çoi tutje në Smirnë (Izmir) dhe në portet e Spanjës, ku blinin armë prusiane dhe angleze. Në Marsejë të Francës shisnin grurë dhe blinin mëndafshet e famshme të Lionit apo verën „Bordeaux“. Në Kartagjenë shisnin kaviar dhe blinin verën „Malaga“. Tregtia u shkonte mbarë, edhe pse u duhej shpesh të luftonin me piratët „korserë“, apo doganierët turq. I frymëzuar nga Katerina e II e Rusisë, Jonuzas nisi luftën në det kundër osmanëve dhe Laskarina trime e shoqëroi në çastet më të vështira e tragjike. Marinarët e thërrisnin „kapetanica“, sepse ajo ishte e fortë si një burrë dhe armët i mbante ngjeshur në brez.

Një ditë, në Specaj, mbërriti trupi pa jetë i Jonuzas, vrarë në betejë me osmanët në ngushticën e Siqilisë. Laskarina 26 vjeçare mbeti e ve me tri fëmijë, por shpejt Bubulis, miku më i ngushtë i të shoqit kërkoi të martohej me të. Dhe përsëri, duke ndjekur Bubulis, Laskarina do të vazhdonte aventurën e saj me detin, luftën dhe jetën boheme. Edhe Bubulis ishte trim e njeri i aventurës. Me të ajo do rrahë Atlantikun, do të shkojë gjer në Veracruz e Buenos-Aires, në Lisbonë, Kartagjenë dhe Detin e Zi. Emri i saj tashmë ishte kthyer në legjendë. Por pas vrasjes së Bubulis dhe të djalit të saj në betejat detare, emri i saj do të bëhej simbol i luftës për liri. Gjithçka ajo e vuri në shërbim të revolucionit.

“Ja vdekje, ja liri! Elefteria i Thanatos!”

Bashkë me një nga bijtë e saj, Bubulina ishte anëtare e organizatës së fshehtë “Filiqi Eteria” (“Shoqata Miqësore”), e cila u bë shpirti i Revolucionit. Jeta e saj kaloi nëpër betejat detare, gjëmimet e topave dhe stuhitë. Në shtëpinë muze të bën përshtypje një tablo e anijes së saj “Agamemnoni”. Më 13 mars 1821, në direkun e tij, ajo kishte ngritur flamurin dhe kishte nisur rrugën e madhe të luftës. Marinarët e saj, të gjithë arvanitas speciotë, ajo i thërriste „djemtë e mij“.

Pikërisht në 3 prill të atij viti, në majën e kambanores së kishës së Shën Nikolës ajo kishte ngritur të parin flamur të luftës për pavarësi me mbishkrimin „Ja vdekje, ja liri“, shkruar me gërma të bardha në një sfond të kuq. Shpejt, emri i Bubulinës do të shpërndahej nëpër gjithë ishujt, e më pas në tërë Greqinë e Ballkanin. Duke përshkruar betejën e famshme të Nafplios, kronisti dhe historiani grek Argirou, shkruante: “Më kujtohet kur më 4 dhjetor 1821, ajo qëndronte në këmbë mbi kuvertën e anijes, duke urdhëruar sulmin mbi kështjellën e Nafplios. Por 300 topat e kështjellës e sprapsën sulmin e marinarëve të saj. Si një amazonë në zemëratë, Bubulina u thirri: “Jini gra apo jini burra të vërtetë?… Përpara!”

Në kohën e Revolucionit grek, flota e Bubulinës u bë e tmerrshme në detin e Egjeut dhe në Mesdhe. Ajo luftonte kudo ku e thërriste Greqia: në Tripolica, Navarin apo Monemvasia, në betejën e Karadros, ku u vra dhe biri i saj e kudo në brigjet e Peloponezit. Padyshim, lexuesit të sotëm i duket ndoshta e çuditshme që një grua si ajo, e kalitur në zjarrin e luftës, të ishte njëkohësisht dhe një grua e ndjenjave të holla, e dëshirës për të bërë dashuri, e këngës dhe e valleve, e pijes gjer në ag të mëngjesit. Michel de Grèce shkruante se “Laskarina Bubulina, kjo femër joshëse dhe heroinë moderne për kohën e vet, bëri që njerëzit t’a adhurojnë secili në mënyrën e vet. Pasurinë e saj ajo e vuri në shërbim të luftës. Por dashuritë e saj të stuhishme s’do ta bëjnë asnjëherë të harrojë pasionin e vërtetë të saj: çlirimin e Greqisë”.

Atje në Specaj, kur ne pyetëm ciceronen e muzeut “Bubulina” për origjinën e heroinës, ajo ngeli disi e habitur, nënqeshi lehtë dhe e kaloi bisedën gjetkë, sikur kjo pyetje të ishte disi pa vend. – Sigurisht greke! – shtoi më pas. Por, po tu thuash se “Bubulina ishte arvanitase”, ata jo vetëm e mohojnë, por u duket sikur i ke fyer. Dhe e njëjta gjë ndodh dhe po të pyesësh për heronjtë e tjerë të Revolucionit grek, suliotë, çamë, arvanitas.

Por le të vazhdojmë me bëmat erotike të Bubulinës, meqë ato heroiket, bota tashmë i njeh dhe se nëse mund të flasim për gra feministe pas poeteshës Safos të kohës antikitetit dhe ehove që vijnë nga ishulli Lesbos, Bubulina shfaqet si një shëmbull i qartë i feminizmit, para se të shfaqeshin në Europë figurat feministe si shkrimtarja George Sand, Madame de Stael, Dora d’Istria (apo Elena Gjika në emrin e saj të vërtetë). Dhe pikërisht atëherë kur në Europë lindi feminizmi modern me Simone de Bauvoir, Françoise Sagan, Simone Signoret e Margarite Duras, aktorja e famshme Irene Papas interpretonte një film për Bubulinën.

Vdekja e Bubulinës

Image

Pas shumë vite lufte dhe dashurisë së fundit me Kolokotronin e famshëm, në qershor të vitit 1825, Bubulina kthehej në Specaj e zhgënjyer nga qeveritarët që erdhën në fuqi pas revolucionit. Kthehej në Specaj për të shijuar jetën familjare meqë prej vitesh ajo ishte larguar, duke rendur nga një betejë në tjetrën. “Gjithë mall rigjeta vendet e mia familjare, – shkruante Michel de Grèce në emër të Bubulinës në librin e tij. – Speciotët më pritën me ngrohtësi, por dhe me atë rezervë që i karakterizon arvanitasit. Fëmijët e mi më prisnin në skelën e Dapias. Maro dhe Shqevo shtynin drejt meje carronjtë e tyre, nipërit e mbesat që s’i kisha parë kurrë. Ditët e mëpasme, kureshtare për t’i njohur, kalamajve u ofroja bombone.

I lija t’i preknin rrobat dhe objektet e mia, të më hidheshin sipër dhe të më tërhiqnin shallin tim të qëndisur. Të lumturuara që më shihnin të urtësuar, vajzat e mia gërhisnin nga rehatia. Por a ishte vallë koha që të rrija si e shushatur në vend që të riorganizoja luftën? Roli im si gjyshe mund të priste. Nuk isha ende e pjekur për të marrë një detyrë të tillë. E thirra tim bir, Jorgon, në zyrën e Bubulis, ku për vite me radhë kisha drejtuar aferet tona.

Që nga vizita e tij në Nafplio, gjendja ime financiare ishte keqsuar akoma më shumë. Pothuaj kisha marrë fund. Ndërkohë që ai bënte llogaritë, rrija dhe e vështroja. Bukuria e tij e kishte humbur formën e mëparshme dhe faqet i ishin futur brenda. Vetëm Jorgo më kishte mbetur dhe papritur ndjeva për të, gjithë atë dashuri të dhunshme që nuk e kisha shprehur ndonjëherë. Qesha duke kujtuar profecinë që më kishte bërë një cigane, nuk di se në ç’port të Detit të Zi, e cila më kishte thënë: – „Djali yt i vogël do të jetë shkaku i vdekjes tënde“. Me sa dukej, nuk e kisha paguar dhe aq atë shtrigë, pasi Jorgo në fakt më donte shumë dhe s’mund të më bënte kurrë keq…”

Mjerisht Bubulina do të qëndronte atje pak më shumë se një muaj, pasi jeta e saj shpejt do të ndërpritej. Një histori hakmarrjeje, „gjaku“, siç preferon ta quajë Michel de Grece. Djali i Bubulinës, Jorgo, dashuronte një vajzë, Evgjeninë, të cilën familja tjetër speciote Kuci, e kishte dhënë fjalën për një martesë tjetër dhe nuk kishin pranuar të dëgjonin për dashurinë e vajzës së tyre me Jorgon. Dhe dasma do të bëhej të djelën, tri ditë më vonë. Por Jorgo dhe Evgjenia duheshin shumë dhe kush më tepër se Bubulina mund t’i kuptonte ata. Kështu, mbrojtësja e zjarrtë e dashurisë e ndihmoi të birin ta rrëmbente atë, siç ndodhte atëherë mes shqiptarësh, dhe bëri të mundur që ata të martoheshin në kishën e Specajt, natën e në fshehtësi. „Pater Gregori filloi ceremoninë e martesës. Nuk po kuptonte mirë se çfarë po bënte, por kjo s’kishte shumë rëndësi, sepse Mihali, i armatosur me një maliher të madh, i kujtonte atij lutjet që duhej të thoshte.

Kësaj radhe isha unë që i kujtoja priftit emrat e çiftit. Isha gjithashtu dhe si dëshmitare, duke firmosur në regjistrin e famullisë. – “Të jetoni të lumtur!” – i urova të dy. Dhe ata nxituan të lumtur drejt strehës që u kisha përgatitur, shtëpisë ku kisha jetuar më parë me Jonuzas. Atë ditë ata u përhumbën në një dashuri që kishin fatin të përjetonin. Ndërsa unë vigjëloja për ta. Qëndroja në pragun e kishës së vogël. Hëna bënte të shquheshin njollat e zbehta midis hijeve të zeza të pishave. Dhe për disa orë do të shkoja. Do takohesha me Kolokotronin dhe së bashku do të bënim një jetë të mbushur me rreziqe, aventura e dëshira që na lidhnin pazgjidhshmërisht. Para se të nisesha, u ktheva t’u lija ato fjalë shprese dhe e gëzuar shkrova atë devizë që ishte kuptimi i jetës sime: “Gjithnjë e më larg, gjithnjë e më lart”…

Çifti i ri sigurisht do të përjetonte dashurinë e tyre, por me një çmim tepër të madh: me humbjen e heroinës së famshme Laskarina Bubulina. Në korrik të vitit 1825, në Specaj, u zhvillua gjyqi ndaj Jani Kucit, vrasësit të Bubulinës. Atë ditë të proçesit gjyqsor, në pohimet e tij ai kishte deklaruar: “Atë ditë të 22 majit, herët në mëngjes, ne pamë që motra jonë Evgjenia, ishte zhdukur nga shtëpia. Shtrati i saj nuk ishte shprishur dhe dollapet ishin bosh. E pyetëm shërbëtoren, e cila shpërtheu menjëherë në lot. Ajo pohoi se Evgjenia ishte rrëmbyer nga Jorgo Jonuzas. Im atë, Kristodulos Kuci, u tërbua. Ai tha se një fyerje e tillë duhet shpaguar me gjak. Donte ta gjente Evgjeninë dhe ta merrte në shtëpi, meqë e kishte premtuar për të birin e Meksit.

Na mblodhi ne djemve, si dhe dhëndrin e tij, Theodhos Lazarunë dhe disa burra të tjerë me armë. Im atë mendoi menjëherë për shtëpinë që Jorgo Jonuzas kishte trashëguar nga i ati, në Kastella, por ku nuk banonte njeri. Shkuam atje. Ishim më shumë se pesëdhjetë vetë të armatosur, të vendosur për hakmarrje dhe për ta marrë Evgjeninë. Mbritëm afër shtëpisë. Me kanatet e mbyllura dhe rezen e paluajtur, ajo shtëpi dukej e shkretë. Kur u afruam, fqinjët ishin mbyllur në shtëpitë e tyre, por ne gjetëm një nga ta, i cili nën kërcënimin e armëve tona, pohoi se kishte ndjerë lëvizje ca orë më parë. Atëherë kapërcyem murin dhe pushtuam kopshtin e vogël. – “Në se ke kurajo, nxirre kokën, o Jorgo Jonuzas!” – klithi im atë. Burrat nisën të qëllonin, duke thyer xhamat e dritareve. Të tjerë kërkonin të shqyenin portën, kur atë çast, dritarja e madhe e katit të parë u hap dhe në ballkon doli nëna e Jorgo Jonuzas.

Më pas do mësonim se e alarmuar nga një i afërt që kujdesej për shtëpinë, ajo donte t’i jepte kohë të birit të saj dhe motrës sime Evgjenisë, që të iknin nga porta e vogël prapa shtëpisë. Im atë i klithi: – “Ma jep vajzën Bubulina!” Por që nga ballkoni ajo u përgjigj, duke qeshur: – “Nuk është më vajza jote, o Kuci. Tashmë ajo është bërë vajza ime!” Kjo do të thoshte se i biri i saj e kishte prishur virgjërinë e motrës sime. Atëherë tërbimi na pushtoi të gjithëve. Të gjithë i drejtuam pushkët drejt saj. Isha i pari që qëllova. Doja vetëm ta trembja, por e qëllova në ballë, midis syve. Ajo ra prapa, e vdekur në vend. Pushtuam shtëpinë, e cila në fakt ishte e zbrazët. Bubulinën e gjetëm të shtrirë, në krah të plaçkave që kishte bërë gati, ç’ka tregonte se dhe ajo nxitonte të ikte. Mbi plagë kishte fare pak gjak. E kontrolluam kufomën, jo për ta vjedhur, por sepse secili nga ne donte të merrte diçka si kujtim nga ajo kapedane. Vetëm në qafë kishte varur një lloj medalioni argjendi, ku shquhej nga një anë Maria dhe nga ana tjetër Shën Gjergji. Dikush tha se ai medalion kishte qenë i Jano Jonuzas, djalit të Bubulinës, i cili ishte vrarë në fillim të Revolucionit.”

Një javë më vonë mbërriti në Specaj dekreti i nënshkruar nga perandori i Rusisë që e emëronte Bubulinën admirale të “Flotës Ruse”, duke e shpërblyer për shërbimet që i kishte bërë perandorisë, atë dhe burrin e saj trim Bubulis. Që nga ajo ditë, në Specaj, në Hidra, në Ermioni, në Nafplio, Egina e Argolidha si dhe në të gjithë Greqinë, emri i Bubulinës u ngrit sërrish në apogjeun e dikurshëm të saj.

Kureshtar për të mësuar diçka mbi vdekjen e saj, atë ditë të nxehtë, u nisa drejt një shtëpie tjetër, jo më larg se dyqind metra nga shtëpia muze, drejt vendit ku pikërisht ajo ishte vrarë. Gjithçka ishte e heshtur. Nën diellin e fortë iu afrova asaj shtëpie, ku shquhej ai ballkon i vogël ku ajo ishte shfaqur për herë të fundit për të mbrojtur dashurinë e birit të saj. Gjithçka tashmë e mbulonte një heshtje varri. Ishte banesa ku kishte jetuar me Jonuzas, burrin e e saj të parë. Edhe shkrimtari Henry Miller kishte shkelur këtu më 1939 për të gjetur gjurmët e Bubulinës. Hapat e tij kishin kapërcyer oborrin dhe ishin futur në atë ndërtesë të braktisur dhe të pabanuar. “Në shtëpinë Bubulinës, atje ku e kanë vrarë, ndërtesa i ngjan një shtëpie të errët, e gjithë fantazma, – kishte shkruar ai. – Poshtë në sallon, gjëndet një altar i vogël. Nën dyshemenë me dërrasa dëgjohet zhurma e minjve që vrapojnë si të çmendur nga të katër anët…”

Atë ditë që shkova në Specaj, vajta dhe në kishën e qytetit, ku trupi i Bubulinës ishte vendosur atë kohë, atje nën ikonën e Shën Mërisë (Agia Maria), ku ishte bërë dhe përshpirtja e fundit. Aty, dy hapa nga deti, kishte mbaruar rrugëtimi i kësaj luftëtareje të madhe dhe i kësaj gruaje që aq shumë e kishte dashur jetën, dashurinë. Po atë ditë vere në Specaj, në vendin ku dikur kishin shkelur Lamartin dhe Bajron, Miler apo Xhejms Emerson, tërë qenia ime u pushtua nga figura e asaj gruaje që krijohej e bëhej e pranishme gjithnjë e më shumë, nga ai personazh i jashtëzakonshëm që kishte kapërcyer në cakun e legjendës. Bubulina ishte nga ato gra të kësaj bote ku bashkohen në një kulm të madh dhe në një ngjizje të nxehtë vlerat e një jete sa të thjeshtë aq dhe heroike, sa romantike e në eksazë aq dhe tragjike, sa paradoksale aq dhe të pabesueshme, jeta në një tjetër dimension siç do të donim ta përjetonim.

Nën një fllad të lehtë që vinte nga Hidra, tutje, buzë detit, monumenti i Bubulinës vështronte nga horizonti. Ishte një portret i ngjashëm me atë që kisha pikasur në shtëpinë-muze, ku dukej aktorja e famshme Irena Papas në filmin Bubulina të xhiruar në vitet 1960. Në shtator, në Specaj, marinarët lëshojnë në det një anije të vjetër, të cilën e djegin duke hedhur fishekzjare. Eshtë festa e Bubulinës, festa më e bukur e Specajt. Gjer në mbrëmje vonë, shquhen flakët që mbërthejnë atë anije që digjet ngadalë, sikur t’u kujtojë një kohë tjetër. Të ngjan kështu sikur ende digjet një shpirt… dhe shndrit një mit, sepse në Specaj, ashtu siç shkruante Miller, „Gjithçka duket legjendare, prrallore, e pabesueshme, e mrekullueshme, e megjithatë e vërtetë. Gjithçka fillon këtu dhe mbaron po këtu“…

Duke shkruar sot këto radhë, ja tek më shfaqen imazhet e Zorbës së Kazanzaqit dhe dashuritë e tij të çmendura me Hortensën, atë vejushë, e frymëzuar në film nga jeta e vet Bubulinës, atë grua gjithë sharm, atë të ve dhe disi në moshë por që kishte parë shumë nga kjo botë. Pikërisht ky piktakim i Zorbës grek me Bubulinën arvanitase, ngjante si një pikëtakim historik i grekëve dhe shqiptarëve, si një histori e atij „gjaku të përzier“. Ishte piktakimi i dy kombeve të fuqishëm dhe mjaft të afërt me njëri tjetrin, që herë do të luftonin mes tyre e herë do të përjetonin kohë paqeje e dashurie… Bubulina është njëra prej piketave në historinë e përbashkët të dy popujve, por veçse ndryshe nga heronjtë e tjerë, ajo kishte sharmin e femrës që e përjetoi vetveten plotësisht: luftë dhe dashuri!…