Kulturë

Dokumentari që u dha zë grave në “Vitet e Berlinit” shfaqet në Prishtinë

Descriptive Text

Poezia dhe proza për shkrimtaren amerikane Audre Lorde kanë shërbyer si një prej formave më të mira të përballjes me tema të rëndësishme. Përmes tyre ajo ka ngritur çështje si feminizmi dhe e drejta civile, sikurse ka eksploruar identitetin femëror të grave me ngjyrë.

Lorde ka qenë një grua e fuqishme, e cila vitet e fundit të jetës i kaloi në Gjermani, vend ky që luajti rol shumë të madh në jetën e saj. Ajo u bë zëri i atyre që për vite qëndruan të heshtura në një shtet me të kaluar të hidhur, shkruan sot “Koha Ditore”.

Lorde u fokusua në fuqizimin e grave afro-gjermane duke sfiduar gratë e bardha që të pranojnë rëndësinë e privilegjeve që kishin dhe i përballi ato me pranimin e ndryshimeve në mënyrë konstruktive.

Vitet e saja të qëndrimit në Gjermani janë përmbledhur në dokumentarin e aktivistes feministe e regjisores Dagmar Schultz. Në “Audre Lorde - the Berlin Years 1984 to 1992”, të realizuar në vitin 2012, Schultz, dokumenton ndikimin e Lorde në skenën politike gjermane gjatë dekadës së ndryshimeve thelbësore, një dekadë e cila solli rënien e Murit të Berlinit dhe ribashkimin e Gjermanisë Lindore dhe Perëndimore.

Dokumentari “Audrie Lorde – The Berlin Years 1984 to 1992”, pas një suksesi dhe udhëtimi nëpër shtete të ndryshme, u shfaq edhe në Prishtinë në kuadër të edicionit të 6-të të festivalit “FemArt”.

Dita e tretë e “FemArt” u përmbyll me shfaqjen teatrale “Naten, Ma”, e cila erdhi nga teatri “Metropol” nga Shqipëria, nën regji të Ema Anreas, ku luajnë Ilire Vinca dhe Egla Ceno... (më gjerësisht lexoni sot në “Koha Ditore”)