Kulturë

Tregimi hungarez i dashurisë fiton çmimin kryesor në Berlinale

Një tregim hungarez dashurie i quajtur “On Body and Soul” që flet për dy zemra të vetmuara që punojnë në një thertore në Budapest ka fituar çmimin Ariu i Artë për filmin më të mirë në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Berlin, edicioni i 67-ë.

“Ky film është vetëm për ata me zemër bujare”, ka thënë regjisori Ildiko Enyedi para audiencës në ceremoninë përmbyllëse që i dha fund Berlinales 10 ditëshe, ku u shfaqën 18 filma konkurrues dhe 403 në ekrane jashtë konkurrencës, raporton Reuters.

Presidenti i jurisë, Paul Verhoeven, regjisor dhe producent holandez, tha se paneli shtatë-anëtarësh kishte rënë në dashuri me filmin sepse i kujtonte njerëzve një diçka që shpesh harrohet në jetën e përditshme: dhembshurinë.

Drejtori i festivalit, Dieter Kosslick, i falënderoi të gjithë pjesëmarrësit përmes një fjalimi të shkurtër. “Nuk keni nevojë që unë të ju them se jo gjithçka është në rregull në botë momentalisht”, transmeton Koha.net.

Ariu i Argjendtë për aktorin më të mirë shkoi për austriakun Georg Friedrich për interpretimin e tij në “Helle Naechte” (“Netët e Ndritshme”), një dramë gjermano-norvegjeze.

Jug-koreania Kim Min-hee fitoi Ariun e Argjendtë për aktoren më të mirë për “On the Beach at Night Alone”.

Çmimi i madh i jurisë shkoi për “Felicite”, një prodhim franko-senegalezo-belg nën regjinë e Alain Gomis për një femër të krishterë që punon si këngëtare në një bar në Kinshasa dhe i jep dritë jetëve të audiencës së saj.

Aki Kaurismaki nga Finlanda fitoi Ariun e Argjendtë për regjisorin më të mirë me filmin e tij “The Other Side of Hope”.

Kosslick tha se filmat e përzgjedhur për festival këtë vit janë dizajnuar që të tregojnë se diversiteti mposht monotoninë, si dhe për të atakuar çështje si persekutimi i homoseksualëve dhe diskriminimi ndaj pakicave racore.

Juria prezantoi edhe një çmim të ri – për filmin dokumentar origjinal – që shkoi për “Ghost Hunting”, për një qendër hetuese izraelite, nga regjisori palestinez Raed Andoni.

“Presidenti amerikan dje e quajti median armik të popullit”, tha prodhuesja amerikane e filmave Laura Poitras duke prezantuar çmimin. “Ne prodhuesit e dokumentarëve jemi këtu për të thënë se jemi armiqtë e nacionalizmit dhe përjashtimit”.