Kulturë

Biblioteka e “Aleksandër Xhuvanit” në Podujevë pa tituj të rinj

Podujevë, 31 mars - Me mungesë të librave është duke u ballafaquar Biblioteka e gjimnazit “Aleksandër Xhuvani” në Podujevë. Edhe pse tash kjo bibliotekë është bërë me hapësirë të re dhe punonjës që mungonin në objektin e vjetër, tash aty mungojnë librat. Drejtori i këtij Gjimnazi, Naim Salihu, thotë se, krahasuar me numrin e madh të nxënësve në këtë shkollë, do të duhej të kishte shumë më shumë libra.

“Prej këtij viti shkollor në shtator është funksionale edhe biblioteka e gjimnazit ‘Aleksandër Xhuvani’. Këtu në objektin e ri e kemi gjetur hapësirën në katin përdhes. Sa i përket hapësirës, mendoj se është e mjaftueshme edhe për libra, edhe për kënd të leximit”, ka thënë Naim Salihu. “Por aty nuk janë të lidhur ende radiatorët - problem me të cilin është ballafaquar prej hyrjes së nxënësve në të - dhe në kohën sa ka qenë koha e ftohtë ka punuar me orar të shkurtuar. Biblioteka ka nevojë gjithnjë për tituj të rinj të librave. Krahasuar me numrin e nxënësve që i kemi do të duhej të kishim më shumë libra. Është thënë se rrjeti i bibliotekave të Kosovës do të sjellë disa tituj të rinj librash, por kur do t’i sjellin nuk e di”.

Se ka mungesë të librave në këtë bibliotekë e pranon edhe drejtori i Arsimit i Komunës së Podujevës, Avni Maloku. Sipas tij, kështu është në të gjitha shkollat e mesme në vend.

“Kur kanë dalë në objekt të ri është bërë biblioteka, është angazhuar edhe punonjësja. Në nivelin shkollor të mesëm ka shumë pak libra. Faktikisht për librin shkollor që është i obligueshëm, mund të bëhet një përzgjedhje vetë dhe nëpër shkolla fillore kemi së paku tituj për çdo gjeneratë për çdo klasë. Në shkolla të mesme nuk është kështu”, është shprehur Avni Maloku.

Ai pret që nëpërmjet një projekti të Bankës Botërore të mund të pajiset me tituj të rinj të librave edhe gjimnazi “Aleksandër Xhuvani”.

“Pres një donacion me Bankën Botërore. Kanë qenë edhe më herët disa projekte me Bankën Botërore përmes KEC-it e tash është e autorizuar Ministria e Arsimit dhe me siguri që edhe shkollat e Komunës sonë do të jenë përfituese. E zakonisht shkollat i bëjnë projektet dhe kërkojnë pajisje, elektronikë. Edhe sivjet do të fillojë ai projekt dhe besoj se edhe Gjimnazi do të jetë në projekt të Bankës Botërore që të furnizohet edhe me libra, edhe me elektronikë”, ka thënë ai.

Gazeta ka raportuar para një viti se nxënësit e gjimnazit “Aleksandër Xhuvani” në Podujevë për vite të tëra, në objektin e vjetër, nuk kanë mundur të lexojnë libra në bibliotekën e tyre të shkollës. Që prej kur ish-bibliotekari kishte ndërruar jetë në një aksident trafiku para disa vjetësh, biblioteka e Gjimnazit kishte mbetur pa punonjës. Drejtori Naim Salihu kishte thënë se biblioteka ishte funksionale për interesa të shkollës, por jo për lexim. Për dy vite aty mbaheshin mbledhje. Ani pse biblioteka nuk ofronte mundësi për të lexuar aty, Salihu kishte thënë se nxënësit e kësaj shkolle mund të merrnin libra.

Siç kishin bërë të ditur autoritet komunale në atë kohë, për të funksionuar një bibliotekë në një shkollë duhet të plotësohen dy kritere: që numri i nxënësve të jetë mbi 1.500 dhe po ashtu që biblioteka të ketë mbi 2.000 tituj, të cilat i plotësonte gjimnazi “Aleksandër Xhuvani”.