Kulturë

“Tunizia takon Kosovën” në një bashkëbisedim tingujsh jazzi

Prishtinë, 31 mars - Tunizia po e takon Kosovën nëpërmjet muzikës. Një projekt ka bërë tok jazz-kitaristin kosovar, Taulant Mehmeti, me emra të njohur botërorë, si bateristi më i njohur tunizian, Ayman Boujlida. Por jo vetëm kaq. Atyre në këtë rrugëtim u janë bashkuar edhe muzikantë të tjerë në mesin e të cilëve edhe të nominuar për “Grammy Award”.

E ka titulluar “Tunisia meets Kosovo” (Tunizia takon Kosovën) dhe ka më shumë se një vit që po punon për jetësimin të tij. Bashkë me bateristin e famshëm tunizian, Mehmeti veçse ka pasur një performancë të suksesshme në “Shape Shifter Lab” në Brooklyn të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. E radhës është performanca në “Club Bonafide”, klubin e basistit të famshëm Richard Bona, fitues i “Grammy Award”, që do të mbahet më 6 prill në Manhattan. Por një tjetër paraqitje Mehmeti e Boujilda do të kenë edhe në Tunizi, audienca e të cilit vend për herë të parë do të dëgjojë tinguj shqip.

Në koncertin e javës se ardhshme në skenën amerikane, të dy muzikantët do të performojnë nga dy sete së bashku. Seti i parë përmban muzikën e Mehmetit, e shoqëruar edhe nga seti i dytë me muzikë të Boujlidas. Në të dyja setet muzikore do të shoqërohen nga pianisti nga Venezuela Gabriel Chakarji, i nominuar i dyfishtë për “Grammy Awards” dhe basistja kanadeze Jill McKenna. Siç është bërë paralajmërimi për këtë performancë, jazz-kitaristi kosovar Taulant Mehmeti dhe jazz-bateristi tunizian Ayman Boujlida, do të performojnë muzikë të tyre origjinale dhe aranzhmane të muzikës së tyre folklorike të vendeve nga e kanë prejardhjen, një kombinim mes folkut të pasur tunizian të Afrikës Veriore, traditave kosovaro-shqiptare e të Ballkanit, partiturave të gjata, muzikës indiane të njohur si “konnakol” dhe jazzit modern.

“’Tunisia meets Kosovo’ është një projekt që jam duke e punuar tash një vit e gjysmë, me bateristin më të famshëm tunizian Ayman Boujlida, pianistin nga Venezuela, dy herë të nominuar për ‘Grammy’, Gabriel Chakarji, dhe basisten e njohur kanadeze Jill McKenna”, ka shpjeguar Mehmeti, i cili në mars të vitit 2015, interpretoi në klubin më të famshëm të jazzit në botë, “Blue Note” përkrah me jazz kitaristin me nam, Vic Juris.

Ai ka shtuar se dëshira e qëllimi i muzikantëve është ta çojnë përpara këtë projekt edhe në Kosovë, edhe në Tunizi. Por deri më tani, Mehmeti nuk ka gjetur përkrahje institucionale në Kosovë (gjerësisht, sot në “Kohën Ditore”).

Gazetën Koha Ditore mund ta lexoni edhe online. Këtu mund të gjeni sqarimin se si mund të abonoheni.