Kosova prej Konferencës së Rambujesë deri te ndërhyrja e NATO-s

Kosova prej Konferencës së Rambujesë deri te ndërhyrja e NATO-s

18 shkurt 2017 14:00

Tekstet e Kosovës thonë se gjatë konfliktit të armatosur në Kosovë, veç në periudhën janar-dhjetor 1998 “...janë vrarë mbi 2 mijë shqiptarë, duke mos llogaritur këtu edhe një numër shumë të madh të të zhdukurve”. Por, po për këtë periudhë, botimi shumëvëllimësh “Libër kujtimi i Kosovës 1998-2000” i Fondit për të Drejtën Humanitare, regjistron 1.660 shqiptarë të vrarë (përfshirë 678 ushtarë të UÇK-së) dhe 296 serbë (përfshirë 167 pjesëtarë të Ushtrisë Jugosllave dhe të Ministrisë së Punëve të Brendshme).

Po sipas teksteve të Kosovës, në periudhën e bombardimeve të NATO-s (24 mars - 10 qershor 1999) “...ushtria serbe ka vrarë rreth 15 mijë shqiptarë”. “Libër kujtimi i Kosovës 1998-2000” numrin e civilëve shqiptarë të vrarë në periudhën janar 1998 - dhjetor 2000, që përfshin 78-ditëshin e bombardimeve të NATO-s, e nxjerr 7.864 gjithsej. Pra, numri i të vrarëve në tekstet e Kosovës del i dyfishuar, ndonëse nuk jepen burime të të dhënave.

Pak a shumë e njëjta gjë sikur me prezantimin e vrasjeve, ndodh edhe me prezantimin e deportimeve/shpërnguljeve, shkruan Shkëlzen Gashi në pjesën e dhjetë të serisë “Tekstet mësimore të historisë të Kosovës, Shqipërisë, Serbisë, Malit të Zi dhe Maqedonisë” të botuar sot në Shtojcën për Kulturë të Kohës Ditore.

Tekstet e Kosovës dhe të Shqipërisë nuk shënojnë shifër të të shpërngulurve serbë dhe joshqiptarë nga Kosova pas vendosjes së KFOR-it, kurse për tekstet e Serbisë kjo shifër është mbi 220.000, ndërsa për Komisariatin e Lartë të Kombeve të Bashkuara për Refugjatë (UNHCR) 210,000. Njëjtë, tekstet e Serbisë dhe të Malit të Zi nuk raportojnë deportimet e shqiptarëve nga Kosova gjatë bombardimeve të NATO-s, që sipas UNHCR-së, kapin shifrën prej 862.979 personash. Në tekstet e Kosovës kjo shifër është mbi një milion shqiptarë, ndërsa në tekstet e Shqipërisë rreth një milion shqiptarë. (Më gjerësisht mund të lexoni sot në Koha Ditore).

Gazetën Koha Ditore mund ta lexoni edhe online. Këtu mund të gjeni sqarimin se si mund të abonoheni.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme