Kulturë

Demokratizimi i poliarkisë

A ka kuptim demokracia në një shoqëri, kur vetë ideja e shtetit mbetet ende e pakonsoliduar? Thomas Hobbes, filozof i njohur anglez i shekullit XVII, që në atë kohë ka paraqitur arsyen pse një shtet duhet të ekzistojë, e cila për shekuj të tërë vazhdon të mbetet e pandryshueshme. Sipas tij, qëllimi përfundimtar pse njerëzit i vënë vetes kufizime brenda të cilave janë të detyruar të jetojnë në një shtet është kujdesi për ruajtjen e jetës, si dhe një jetesë më të kënaqshme (Hobbes, 2000, fq 106), shkruan sot Shkumbin Beqiri në Shtojcën për Kulturë të Kohës Ditore.

Hobbes këtu vë theksin në dy elemente kyç, “ruajtjen e jetës” dhe “jetesë më të kënaqshme”, ku jo pa qëllim janë renditur në këtë mënyrë, sepse qëllimi kryesor i ekzistencës së shtetit është ruajtja e integritetit të individit, i cili nëpërmjet një procesi të caktuar, legjitimon autoritetin politik pikërisht në funksion të ofrimit të këtij shërbimi, pastaj në radhë vijnë shërbime të tjera që synim kanë ngritjen e mirëqenies. Shteti që nga ajo kohë ka pësuar ndryshime, por duke e ruajtur vazhdimisht arsyen qenësore, për të kulmuar në shekullin XIX me modelin evropian të shtetit-komb, i cili konsiderohet si produkt i Revolucionit Francez të vitit 1789, e që vazhdon të mbetet forma më e konsoliduar e organizimit politik të shoqërive.

Kohë më vonë, pra në kapërcyell të shekujve XIX dhe XX, sociologu e njohur gjerman Max Veber, ka ardhur në përfundim se; shteti si formacion politik është një marrëdhënie sundimi e njerëzve ndaj njerëzve, e cila mbështetet në mjetin e dhunës legjitime (Weber, fq. 11). Sipas tij, me synim që shteti të ekzistojë duhet patjetër që njerëzit nën sundim t’i nënshtrohen çdo herë autoritetit të kërkuar prej sundueseve. (Më gjerësisht mund të lexoni sot në Koha Ditore).

Gazetën Koha Ditore mund ta lexoni edhe online. Këtu mund të gjeni sqarimin se si mund të abonoheni.