Kulturë

Shqiptarët s’i bashkoi as “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës”

Prishtinë, 22 mars – Qëllimi kryesor i komitetit “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës” ka qenë çlirimi i Kosovës dhe viseve të tjera shqiptare, e po ashtu edhe bashkimi kombëtar. Synimi dështoi. Ajo në të cilën mund të ketë pasur sukses është ngritja e vetëdijes kombëtare, por që edhe kjo më pas mbetet relative.

Komiteti i themeluar në ilegalitet më 1 maj të vitit 1918, i zyrtarizuar më 7 nëntor të atij viti, do të niste të vepronte në Shkodër. Bëri tok figura të njohura kombëtare, si Bedri Pejani, Kadri e Hasan Prishtinën, Bajram Currin e të tjerë. Këta veprimtarë për një kohë funksionuan të bashkuar për të ngritur sa më lart çështjen kombëtare, deri sa Qeveria e Durrësit, po ashtu e themeluar në vitin 1918, nisi të shpërfaqte qëndrime të tjera rreth kauzës, e cila në njëfarë forme bashkoi shqiptarët brenda dhe jashtë kufijve. Moment kthese ishte pikërisht viti 1919, kur shqiptarët e bashkuar patën rastin të paraqiten në Konferencën e Paqes në Paris për të kërkuar çlirimin e trojeve dhe bashkimin kombëtar. Por një gjë e tillë nuk ndodhi.

Këto analiza u paraqitën të mërkurën në tryezën shkencore “Shekulli i Komitetit Mbrojtja Kombëtare e Kosovës (1918-2018)”, e mbajtur në Institutin Albanologjik të Prishtinës, që e organizoi atë.

Studiuesi i ri, Kushtrim Shehu, u prezantua me kumtesën me titull “Një rrëfim i përsëritur: Fillet e mendësisë politike shqiptare jashtë kufijve të Shtetit Shqiptar”, historiania nga Shqipëria, Ilirjana Kaceli, me temën “Komiteti, Mbrojtja Kombëtare e Kosovës dhe raportet me Qeverinë shqiptare gjatë viteve 1918-1924”, Daut Bislimi, me “Komiteti i Kosovës i riorganizuar veproi deri në vitin 1945”, kurse historiani Memli Krasniqi u prezantua me temën “Shqiptarët në opinionin publik amerikan (1918-1919)”.

Të mërkurën u prezantuan edhe Lush Culaj me temën “Komiteti i Kosovës dhe kryengritja e Plavës e Gucisë e vitit 1919”, e Nuridin Ahmeti me temën “Disa të dhëna të reja për Hoxhë Kadri Prishtinën”. Studiuesi Armend Mehmeti prezantoi temën “Disa aspekte të qëndrimit të Britanisë ndaj gjendjes së shqiptarëve nën sundimin jugosllav në vitet e para pas Luftës së Parë Botërore (1919-1921)”, e Alban Dobruna ka referuar në temën “Kontributi i tarikateve islame në Komitetin Mbrojtja Kombëtare e Kosovës”, përderisa Fitim Rifati me temën “Organizatat pararendëse të Komitetit Mbrojtja Kombëtare e Kosovës (1913-1916)”. Filozofi shqiptar ka sjellë kumtesën “Vetmit e prodhuara nga frika” (gjerësisht, sot në “Kohën Ditore”).