Kulturë

Në Orllan të Podujevës gjenden artefakte të kohës së gurit

Descriptive Text

Një banor i Orllanit të Podujevës ka gjetur disa artefakte, ndër to edhe një figurë të ngjashme me Hyjneshën në fron, raporton KTV.

Arkeologët, të cilët e vizituan këtë lokacion, në parim vërtetuan se këto artefakte i takojnë kohës antike, konkretisht fazës së gurit.

Agim Ibishi shtatorin e vitit të kaluar, nisi të hapte një kanal për ujitje pak metra larg shtëpisë së tij.

Atë kohë ai nuk kishte vërejtur asgjë, derisa një javë më parë kur po e mbyllte dhe rregullonte këtë kanal, hasi në diçka të pazakontë.

Ai gjeti disa artefakte, të cilat besohet se i takojnë kohës antike, e në mesin e tyre edhe një figurë të ngjashme me Hyjneshën në fron.

Agim Ibishi menjëherë kishte njoftuar Institutin Arkeologjik, anëtarë të të cilit dolën në vendin e ngjarjes.

Pasi morën koordinatat dhe panë artefaktet, edhe arkeologët erdhën në përfundim se në këtë lokacion kishte ekzistuar një vendbanim 7 mijë vjet më parë.

Arkeologu Luan Gashi thotë se një gjetje e tillë mbulon një boshllëk të madh të periudhës parahistorike.

Gashi thotë se këto artefakte do t’i marrin për studim. Ai shton se me ngritjen e temperaturave, do të gërmojnë për të zbuluar edhe më shumë artefakte, ndërsa beson se mundësia është që të gjinden edhe gjëra të tjera.

Ky institut, për këtë çështje, pritet të ndajë edhe mjete financiare, për të vazhduar punën tutje.