Kulturë

“Një jetë bardh e zi”, ekspozitë më 22 mars në Galerinë e Ministrisë nga Avni Pantina

Galeria e Ministrisë së Kulturës përmes një komunikate për media bën të ditur se më 22 mars Avni Pantina do të hapë ekspozitën personale me fotografi “Një jetë bardh e zi”.

“Ju njoftojmë se më 22 mars 2018, në ora 19:00, në Galerinë e Ministrisë së Kulturës bëhet hapja e ekspozitës ‘Një jetë bardh e zi’ të autorit Avni Pantina”, thuhet në komunikatë, transmeton Koha.net.

Më tutje thuhet se, “kjo ekspozitë përmban një set të fotografive bardh e zi që autori i ka realizuar në Somali të Afrikës. Karakteret e kapura nga syri i aparatit të Avni Pantinës paraqesin një popull të vuajtur dhe në varfëri të skajshme, mirëpo me një kulturë shumë fisnike dhe dinjitoze”.

Avni Pantina u lind më 1987 në Klinë. Studimet e larta i ka mbaruar në Kosovë, në Fakultetin e Arteve, drejtimi i Dizajnit Grafik, ndërkaq është kandidat për PhD në Universitetin “Hacettepe” të Turqisë. Deri më tani, Pantina ka realizuar pesëmbëdhjetë ekspozita, prej të cilave shtatë në Turqi, një në Somali dhe të tjerat në Kosovë.

Në Galerinë e Ministrisë së Kulturës është ekspozita e tij e parë personale.

Gjithashtu Pantina është edhe fitues i disa shpërblimeve brenda dhe jashtë vendit si “Salloni i Nëntorit” në Prishtinë në vitin 2010, pastaj çmimin për grafikën më të mirë në vitin 2015 në Fakultetin e Arteve-Universiteti i Hacettepes në Turqi, etj.

Ky projekt drejtohet nga Dhurata Ramosaj-Shala – koordinatore e Galerisë së Ministrisë së Kulturës, ndërkaq kurator i ekspozitës është Burim Myftiu.

{gallery}