Kulturë

Lidhja 140-vjeçare

Po mbushen 140 vjet qëkur burra të dheut shqiptar u mblodhën për të krijuar një lidhje. U quajt Lidhja Shqiptare e Prizrenit, organizata politike e ushtarake që synonte të mbante të bashkuara trojet shqiptare.

U krijua një Qeveri e Përkohshme, që kishte për kryeministër Ymer Prizrenin. U zgjodh që veprimtaria të ushtrohej në një objekt të moçëm edhe për atë kohë. Kthinat e medresesë dhe objekti që dikur shërbente si ders’hane, të ndërtuara në shekullin XVI, u bënë strehë e veprimtarisë patriotike, shkruan Koha Ditore.

Të dyja tash janë pjesë të Kompleksit të Muzeut të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Shkencëtarët janë marrë shumë me këtë periudhë të historisë. Shumë libra të shkruar e shumë studime kanë provuar të zbardhnin faktet për këtë periudhë historike. Shumëçka është mbetur pa u thënë. Sidoqoftë, muzeu, që ka pjesën historike për bosht, si dhe pjesën etnologjike dhe galerinë e arteve në tërësi e pasqyron një pjesë të historisë së Lidhjes.

Muzeu u dogj nga serbët gjatë luftës së fundit në Kosovë, e flaka përpiu edhe shumë eksponate të rralla që gjendeshin në këtë muze. Punonjësit e muzeut kanë bërë përpjekje që të grumbullojnë sa më shumë artefakte të tjera, e misioni s’ka përfunduar ende... (Më gjerësisht lexoni në Koha Ditore)