Kulturë

Agnus Dei fiton çmimin e 100-të jubilar

Filmi kosovar “Agnus Dei” me skenar dhe regji të Agim Sopit, është shpallur si Filmi më i mirë i metrazhit të gjatë / Mejor Largometraje de Ficcion/ në “El Festival de Largos y Cortos de Santiago”, Santiago de Chile, i cili ka përfunduar të martën me mbrëmjen solemne të ndarjes së çmimeve në Republikën e Kilit, bëhet e ditur përmes një komunikate për media.

Filmi kosovar ‘Agnus Dei’ ka fituar edhe Çmimin e Fotografisë më të mirë /Mejor Fotografia/ i cili shkon për drejtorin e fotografisë, Menduh Nushi, transmeton Koha.net. .

“Festivali pesëditor i cili ka bërë emër në Santiago de Chile, ka arritur të tubojë më shumë se 10.000 shikues dhe më shumë se 200 kineast të ftuar nga rajoni e bota. Në natën finale, juria ndërkombëtare e përbërë nga shtatë anëtarë ka vlerësuar 42 filma të përzgjedhur në programin zyrtar dhe ka ndarë këto çmime: Për Filmin më të mirë të metrazhit të shkurtër, çmimin e ka fituar ‘Ancentor’s Day’ të Nataliya Stoltidis nga Rusia, për filmin më të mirë dokumentar çmimin e ka fituar ‘Diez Historias en Abril’ i regjisorit Fabricio Teran Velez nga Ekuadori, për filmin më të mirë eksperimental, çmimin e ka fituar filmi ‘Alchemy’ i regjisorit Brandon Polanco nga Shtetet e Bashkuara, kurse për filmin më të mire të metrazhit të gjatë çmimin e ka fituar filmi ‘Agnus Dei’ i Agim Sopit nga Kosova”, thuhet në komunikatë.

Më tutje thuhet se në kategoritë individuale, çmimin e skenarit më të mirë e ka fituar Marco Stefano për filmin ‘Diario Olvidado’ nga Kili, aktori më i mirë është shpallur Ian Kevin Scott për filmin ‘Alchemy’ nga SHBA, aktorja më e mirë Violeta Orgaz për filmin ‘Llegar’, regjisori më i mirë Hong Heng Fai për filmin ‘Crash’, kurse drejtori më i mirë i fotografisë Menduh Nushi për filmin ‘Agnus Dei’.

Në mungesë të autorëve nga Kosova, në emër të Komitetit Artistik të Festivalit, çmimet për filmin kosovar i ka pranuar Maryoris Acosta Perez. Vlen të përmendet se në mesin e emrave të njohur të kineastve kilian, pjesë e Komitetit Artistik të Festivalit Santiago de Chile, është edhe regjisori Sebastian Lelio fitues i Çmimit Oskar për filmin më të mire të huaj 2018 “A Fantastic Woman”.

“Filmi Agnus Dei i cili trajton dramën e përsëritshmërisë së fatit dhe i cili ambientohet në luftën e Kosovës, duke qenë pjesë e më shumë se 210 festivale ndërkombëtare dhe duke fituar 100 çmime kinematografike ka arritur të jetë filmi më i shpërblyer në gjithë kinematografinë e Ballkanit”, thuhet në komunikatë.

Image