Kulturë

“Vienna World Orchestra” në Prishtinë më 31 mars

Ansambli 8 anëtarësh “Vienna World Orchestra” do të mbajë koncert në Prishtinë në kuadër të edicionit të 13-të të DAM Festivalit.

Orkestra e cila në muajin shkurt pati koncert në njërën nga sallat më prestigjioze të Vjenës “Musikverein”, do sjellin materialin e tyre muzikor përpara publikut të Prishtinës në mbrëmjen e 31 marsit në Amfiteatrin e Ri të Bibliotekës Universitare në Prishtinë, raporton Koha.net.

Anëtare e këtij formacioni është edhe violonçelistja nga Kosova, Rina Kaçinari, e cila prej shumë vitesh jeton dhe vepron në Vjenë. Anëtarët e tjerë të orkestrës vijnë nga Austria, Irani, Kuba dhe Turqia.

“Vienna World Orchestra” duke pasur në përbërjen e saj anëtarë nga vende të ndryshme, një pjesë e të cilëve kanë kaluar nëpër rrugën e migrimit, arrin të përçojë frekuenca të tilla duke i mundësuar publikut të zbulojë humanitetin e tyre të përbashkët.

Koncerti është mbështetur edhe nga Ambasada Austriake në Prishtinë përveç mbështetësve të tjerë të festivalit.

DAM do të mbahet nga 29.03 deri më 03.04.2018 dhe në koncertet e këtij edicioni do të prezantohet mbi 300 muzikantë nga Amerika, Evropa dhe Azia.