Kulturë

Instalacioni i “Haveit”, pjesë e protestës së inspiruar nga një film

Descriptive Text

Tre billborde me fjalët “71 të vdekur”, “dhe ende asnjë arrestim?”, “si është e mundur”, si referencë për njerëzit që humbën jetën në sulmin në “Grenfell Tower”, janë vendosur në vetura të cilat enden nëpër Londër, duke përfshirë edhe objektin e Parlamentit, para se të parkoheshin jashtë kompleksit të “Grenfell”.

Protesta është inspiruar nga filmi fitues i shumë çmimeve, “Three Billboards Outside Ebbing, Missouri”, që flet për Miderd Hayes, e cila merr me qira tri hapësira për billbord me qëllim që të tërheqë vëmendjen rreth vdekjes së pazgjidhur të vajzës së saj adoleshente, transmeton sot “Koha Ditore” shkrimin e The Guardian. Shenjat me të zezë e të kuqe – “E dhunuar derisa po vdiste”, “Dhe ende asnjë arrestim?”, “Si është e mundur Chief Willoughby?” – u bënë simbole të një nëne të pikëlluar që lufton për drejtësi kundër të gjithëve: shefit të policisë, qytezës fiksionale Midwestern, në të cilën ajo jeton dhe humbjes së vajzës, që ende vazhdon ta përndjekë.

Qysh prej se u lansua filmi, homazhe vizuale janë paraqitur në mbarë botën për të kërkuar vëmendje për çështje të ndryshme. Në muajin janar, një përdorues i Twitterit, postoi një fotografi nga marshi i grave në New York ku shiheshin tri shenjat që bënin thirrje që Donald Trump të dalë para gjyqit. Muajin tjetër, agjencia britanike e reklamave “BBH Labs” përdori të njëjtin koncept për kampanjën që kishte të bënte me familjet e viktimave, të mbijetuar dhe banorë të evakuuar nga “Grenfell Tower” e po ashtu edhe për komunitetin lokal.

Shembuj të tjerë erdhën edhe më pas. Një aktivist parkoi tre kamionë me billborda jashtë zyrës së senatorit të Floridës, disa ditë pasi që 17 veta u vranë nga të shtënat me armë në shkollën e mesme “Marjory Stoneman Douglas”. “Të therur në shkollë”, “Dhe ende nuk ka kontroll të armëve”, “Si është e mundur Marco Rubio?”, shkruhej në to. Jashtë selisë së OKB-së, tre billborda kërkonin nga Këshilli i Sigurimit të votojë për armëpushim në Siri.

Në Kosovë, një kolektiv artistik, vendosi tre billborde jashtë objektit të policisë dhe kërkonte përgjigje rreth dhunës në familje.

Shumica e kampanjave me billborde janë sulme ndaj atyre që janë në pushtet e që nuk arrijnë të mbajnë njerëzit të sigurt. Pas flakës që kaploi “Grenfell” në korrikun e kaluar, autoritetet hapën hetim publik. Por asnjë arrestim nuk është bërë deri më tani dhe të mbijetuarit e familjet e viktimave janë ankuar se zërat e tyre nuk po dëgjohen.

Yvette Williams nga kampanja “Jusitce4Grenfell” ka folur për të përditshmen britanike “The Guardian”.

“Janë bërë tetë muaj që nga tragjedia e ‘Grenfell’, kemi menduar se kjo tragjedi po humbet nga vetëdija publike. Pyetjet kryesore po injoroheshin, pak veprim ka zënë vend dhe komuniteti ende mbetet i traumatizuar”, ka thënë ajo.

“Kjo ka qenë katalizator për tre billbordet jashtë “Grenfell”.

Mesazhi i filmit për kërkesën e një nëne për drejtësi dhe mesazhi i saj i fuqishëm që ‘sa më shumë që e mbanë një çështje në sy të publikut, shanset janë më të mëdha që ajo të zgjidhet’ rezonin me atë që ka ndodhur në North Kensington”, ka shtuar ajo.

Williams, ish mësuese në shkollë fillore dhe këshilltare politike mbi barazinë dhe diversitetin për “Crown Prosecution Service”, ka thënë se billbordat nuk kanë qenë vetëm një formë kreative për të ngritur zërin e komunitetit, por një medium efektiv për gjeneratat e reja që shpesh përdorin referenca vizuale dhe kulturore të filmave për t’i dhënë kuptim botës.

“Është e qasshme për një audiencë më të gjerë, që nuk përdorë mediat e zakonshme, por referenca të tjera”, ka thënë ajo.

Ekspertët thonë se ka arsye psikologjike prapa fuqisë së billbordeve. Mario Campana, ligjërues për marketing dhe sjelljen e konsumatorit në “Goldsmiths University”, ka thënë: “imagjinoni t’i kemi të njëjtët billborde në mes të Piccadilly Circus; nuk do të kishin të njëjtin ndikim, sepse ka të tjera gjëra me të cilat konsumatori ekspozohet, siç janë tabelat e animuara dhe ndriçimi”.

Campana ka thënë se billbordet gjenerojnë reagim të fuqishëm për shkak se ato paraqesin “mesazh kontrovers të një komuniteti të mbyllur lokal”, ku njerëzit kanë rituale, tradita dhe ndjenjë të përgjegjësisë morale karshi njëri-tjetrit.

“Reklamimi është bërë një formë e kulturës dhe ndikimi i saj varet në kulturën e konsumit prapa secilit mesazh”, ka thënë ai.

Aktivistët besojnë se fuqia e reklamimit mund të përdoret për t’i kujtuar njerëzve se sa pak është bërë që drejtësia të vihet në vend për njerëzit që janë viktima të rasteve të caktuara.

Aktorja Frances McDormand, pasi që morri çmimin për aktoren më të mirë në rol kryesor ka thënë se “billbordet ende funksionojnë, prandaj edhe është shumë emocionuese” dhe ka vlerësuar “idenë e aktivistëve që po përdorin deklarata të ndryshme para syve të publikut”.

Williams ka thënë se “Justice4Grenfell” është mirënjohës për mbështetjen që ka dhënë McDormand.

“Ajo mundëson mbështetje që protestat të arrijnë tek një audiencë ndërkombëtare në mënyrë të shpejtë”, ka thënë Williams.