Kulturë

Zbulohet njëri nga sekretet e Stonehenges

Akti i ndërtimit të Stonehenges, sipas ekspertëve, duhet të ketë qenë një ceremoni e rëndësishme për ata që e ngritën në lashtësi, ashtu sikurse edhe përdorimi i rrethit me gurë, pasi u krye puna.

Duke përcjellë zbulimin e festimit afër mureve të Durrington, që kanë tërhequr njerëzit nga rrethina për të ndihmuar në ndërtimin e monumentit neolitik, “English Heritage”, ka rishikuar teoritë e ndërtimit të monumentit, shkruan AP, transmeton “Koha Ditore”.

Zbulimi, bashkë me të dhënat arkeologjike në procesin e ndërtimit të monumentit dhe të dhënat nga shoqëritë që kanë praktikuar ceremonitë e zhvendosjes së gurëve, ka bërë që “English Heritage” të vijë në përfundim se ndërtimi i monumentit ishte një ceremoni e rëndësishme dhe shkas për festë. Ndërtimi që ka bërë që njerëzit të mblidhen nga distanca të ndryshme për të marrë pjesë në ceremoni ka pasur mundësi që të demonstrojë fuqinë e komunitetit përballë të huajve. Njoftimi bëhet i ditur pasi “English Heritage” do të festojë 100-vjetorin e shpalljes së monumentit pasuri e njerëzimit. Në këtë aktivitet për jubileun, do të përfshihet për herë të parë edhe publiku për të ndihmuar bartjen e gurit katërtonësh.

“Në kulturën bashkëkohore perëndimore, ne gjithmonë shtyhemi që të bëjmë gjëra të lehta dhe sa më shpejt që të jetë e mundur, por besojmë se për ndërtuesit e Stonehenge gjërat nuk kanë funksionuar kësisoj. Ndërtimi që ka bërë që njerëzit të mblidheshin nga vende të ndryshme përreth për të marrë pjesë në ceremoni ka pasur mundësi që të demonstrojë fuqinë e komunitetit përballë të huajve. Të jesh në gjendje të mirëpresësh dhe të mbledhësh njerëzit që udhëtojnë nga vende të largëta, sikurse në pelegrinazhe, mund të shërbejë si shprehje e fuqisë dhe e pozicionimit të komunitetit”, ka thënë historiania e “English Heritage”, Susan Greaney.

Ajo ka thënë se fotografitë e vitit 1915, që dëshmojnë tërheqjen e gurëve në Nias të Indonezisë, i paraqesin njerëzit me kod të veshjes ceremoniale ku lëvizin monolitet me dorë dhe marrin pjesë në festë e vallëzime.

Sa më shpejt që braktisen paragjykimet moderne që supozojnë se njerëzit e kohës së neolitit kishin përzgjedhur mënyrën më efikase të ndërtimit të Stonehenges, pyetjet si ajo se përse gurët e kaltër janë sjellë nga distanca të mëdha si Kodrat e Preselit të Jugut të Wales nuk duken fort të habitshme.

Ngjarja e lëvizjes së gurëve duke përdorur litarë apo rrota, do t’u japë shanse vizitorëve të Stonehenge që ta përjetojnë atë se çfarë duhej bërë për të ndërtuar monumentin, dhe do të lejonte ekspertët të shohin se sa ishte i rëndësishëm bashkëpunimi në grup.

Këtë fundjavë grupe të përbëra nga 40 e 50 veta do të lëvizin gurë që janë afërsisht të madhësisë së njëjtë me ata të Stonehenge. Lëvizja do të bëhet në hapësirat ku është hapur edhe një gropë, përderisa të martën fëmijët e shkollave lokale do të marrin edhe litarët me vete. Stonehenge iu dhurua kombit më 1918 nga pronarët Cecil dhe Mary Chubb.

Tre vjet para se ta shiste monumentin e lënë pas dore, Chubb e kishte blerë në një ankand, ku ishte dërguar nga bashkëshortja e tij që të bënte ofertë për një set karrigesh trapezarie.