Kulturë

Politikë në ceremoninë për Oscar

Ceremonia e çmimeve Oscar, një ceremoni që feston filmat më të vlerësuar të vitit, mbahet më 4 mars në Hollivud. Analistët thonë se ka gjasa që ceremonia të përfshijë momente politike, në një kohë kur shumë në Hollivud e kanë mendjen tek politika.

Tapeti i kuq është shtrirë tashmë në Bulevardin e Hollivudit, ku çmimet Oscar do të jepen në teatrin Dolby mbrëmjen e së dielës.

Prezantuesi Jimmy Kimmel natyrisht, pritet se do të bëjë shaka për presidentin Trump.

Në ceremonitë për çmime të tjera, disa gra u veshën me të zeza, por kësaj rradhe ka më gjasa që të veshin diçka simbolike, si lule ose shirita, në shenjë mbështetjeje të lëvizjeve “Me Too” dhe “Time’s Up”, të cilat kërkojnë t’i japin fund ngacmimeve në vendin e punës,

.. sidomos në industrinë e filmave, e cila është tronditur nga akuzat e përsëritura të ngacmimeve seksuale.

Një artist përdori Harvey Weinstein-in si temë të veprës së tij në rrugët e Hollivudit.

“Siç e dinë të gjithë, Hollivudi, si shumë industri të tjera, ka një anë të errët e cila shpesh injorohet, apo në këtë rast, madje është fshehur qëllimisht”.

Disa në Hollywood kanë parë një ndryshim në humor.

“Njerëzit janë pak më të rezervuar. Për shembull, disa nga njerëzit e famshëm që kam parë, kur turistët duan të bëjnë një fotografi, janë pak më të kujdesshëm. Nuk ka përqafime ose puthje” thotë Gregg Donovan.

Një tjetër temë e mundshme që mund të adresohet nga fituesit është dhuna me armë, dhe vrasja e 17 personave në një shkollë të mesme në Florida.

Kritikët konservatorë thonë se yjet e Hollivudit jetojnë të shkëputur nga realiteti, por artistë të famshëm, duke përfshirë Oprah Winfrey-n, kanë folur gjithnjë e më shumë për çështjet e grave dhe çështje të tjera.

Ka mundësi të shohim më shumë komente në tapetin e kuq.

Megjithatë, shumë njerëz duan thjesht të argëtohen dhe shumë të tjerë në bulevardin e Hollivudit duan vetëm të shohin pak yjet, si ky punonjës i sigurisë.

“Unë mbase do të jem në rrugicë ose diku ku do kontrolloj që njerëzit të mos hyjnë pa leje. Patjetër, do e shijoj aktivitetin. Të gjithë janë të lumtur dhe ne po ia kalojmë shumë mirë. Është Bulevardi i Hollivudit. Për këtë, presim çdo vit” thotë Jose Molina.

Producentët thonë se qëllimi i transmetimit televiziv të çmimve Oscar është balancimi i temave bashkëkohore dhe vlerësimeve nga publiku, dhe që fituesit të jenë në gjendje të shprehen, por mos të humbet aspekti i argëtimit.