Shtjefen Gjeçov Kryeziu: Për Shtetin e Ri Shqiptar 1921, aktual edhe për ditët tona

Shtjefen Gjeçov Kryeziu: Për Shtetin e Ri Shqiptar 1921, aktual edhe për ditët tona

02 mars 2018 12:05

“ …Por edhe prej anës së Sundimtarve duhen Aristida, duhen Mark Aurela, e duhen kujtue hyjneshat ”Mosmujtja” e “Vobeksija”, sa për zyrtar e taksidar që neperkambin kombin, që mundohen për shkatrrimin e kombit duhen Nerona e Kalikula… “

Mendimet e Rilindasit te fundit per organizimin dhe detyrimet e nenshtetasve per Shtetin e Ri Shqiptar. Po publikojme nje Studime te Shtjefen Gjecov Kryeziut te botuar ne vitin 1921, Mbi detyrat e shtetasve dhe deturimin e Nepunsave. Studimi eshte shume aktual edhe sot, shkruan Kurt Farka në “Shqiptari”. Ne ato vite ende nuk ishte saktesuar terminologjia per “detyrimet” dhe autori qe njihej qe ishte purist ne permbajtjen e termave , per “Detyrimet” perdor termin Telozna, term i njohur edhe ne gjuhen popullore te asaj periudhe, por sot nuk ka perdorim dhe eshte harruar.

Studimi eshte ne gegnishte, dhe ne po e publikojme pa ndryshime edhe per ruajtjen e dialektit te autorit ne kohe. E shkeputem nga Vellimi: Shtjefen Gjecov Kryeziu; Shtyllat e Kombit/ Publicistike, pergatitur per botim nga Jaho Brahaj, botuar ne vitin 2009.

Telozna

Hyjnisë të Hyjnisë, Mbretit të Mbretit

Natyra na mëson, e nuk është nevoja e sterhollimeve, se detyra e të zot të shpisë asht me vendos mendjen e synin mbarvajtjes se shpisë; me punue me sa duar që të këtë nën kulm, tuj hedhë bimë e të tjera sende ushqimore që do ti duhen për nevojë të shpisë e të gjasë së gjallë rrotull vitit. Detyra e të zot të shpisë asht të mbajtunit në fre, që të mos i turren në qafë kuej, mos ti bajn dame kuej e të mos i sjellin ngatërresa shpisë. Shkurt: Detyra e të zot të shpisë asht që të perpiqet për fatlumësi të shpisë e të shpijave.

Ma e madhja detyrë asht për nji zot shpije, nen kulmin e së cilës lëvrojnë njerëz e bagëti, të mir e të kqinjë, i cili do ti hapi syt e kujdesit jo veç për në shpi e rrethin e sajë, por do të permbledhin në gjanësin e pamjes së vet, një rreth shumë më të hapët mbrenda të cilit përfshihen: njerëz, bagëti, arë e livadhe mezhda e kullosa, si në vërri e në mal, e këto do ti mbajë të thuruna verë e dimën, natë e ditë qi të mos ngatërrohen njerzia: me i mbajtë në fre njerzit e vet që mos tu versulet kush për me ju a penguar lirinë e me i marrë nepër kambë.

Ky zot shpije i kësaj shpie të madhe e i ketij rrethi kaq të hapët, asht Mbreti, e shpija e madhe asht Mbretënia. Fëmija i tij janë bagëtit e pasunija “në mal e në fushë” me bjeshkë e vërri e deri ku shtrihet sundimi i mbretit, janë të tijat. – Mbreti asht shtati, gjymtyrët e të cilit janë nënshtetasit.

Që të përparoj nga e mbara shpija e vogël, kerkon kujdesin e të zot, dhe ndihmën e krahve e të njerzve qi banojnë nen kulm të sajë; këtë ndihmë kërkon edhe mbretnija prej njerzve që e perbajnë. Ashtu si ka nevojë per roje e qetësi shpija e vogël, ma shumë e kërkon shpija e madhe, e cila ka nevojë për roje e qetësi të brendshme, për administrim e perparim, për rregullim e mbrojtje nga çdo kërcnim nga jasht, e këto e kujdese i ka mbi krye Shtati, Mbreti e qeverija e tij.

Ligji i natyrës, ligji i Perendisë u ve detyrë njerzve që ti pergjigjen me detyrime të zot të shpisë e ti gjinden me ndihmë me krah e me djersen e ballit. Njato detyrime u caktohen edhe gjymtyrëve të mbretnisë: me i dhanë ndihmë e krah Shtatit të vet, Mbretit të vet, e me ndej me respekt e me ndigjesë, e me nda kafshatën e gojës me te, që të mundet ku me sy të vet e ku nepermjet zevendesave të vet me qeveris popullin e vet.

Qeverisja, rregullimi, ruajtja dhe qetësia nuk munden me qendrua në kambë, e nuk ka mundësi me u prit kërcnime e rreziqe të tmerrshme as ato nga jasht, kur populli e rrudh doren e zemren; se tu i rrudhun këto ai kishte me u diftue teper i poshter, e kishte me dëshmue se nuk don mbret, nuk don emen e za të mirë.

Mbreti asht ati i popullit, asht Kreu i tij, asht Prijësi e Kujdestari i tij; e populli asht biri i këtij Atit, asht “nënshtetasi” i këtij. Kreu, asht ndjekësi i këtij Prijësi, asht “përkrahësi” i këtij Kujdestari. Rregullin e dashunin ja detyron. Si nuk mund të mendohet nji Mbret pa popull, pa qeveri e ushtri; ashtu nuk mund të mendohet se kishte me muejt me drejtue Mbreti, po nuk ju perkrah populli me djemt e djerset e veta.

*

* *

Thamë se Mbreti asht ati, kreu, prisi e kujdestari i popullit; por për fat të keq popullit – sideomos tonit – nuk i hyjn në krye aq lehtas këto perthanje të madhnueshme e të ambla që i bashkanjiten mbretit të një kombi; të shumten e herës emni i mbretit i bahet gjak nder sy popullit. Ja arsyeja: Populli mendon se çdo punë që bajn zevendësat e Mbretit rrjedhin prej rraje, prej mbretit; çdo zyrtar a taksidar që të dalë nëpër katunde me mbledh, hir a pa hir; çdo pulë apo patë që i kërkohet popullit e çdo dhunim që ti bahet, mbretit ja lanë. Mbreti i ka dergua, mbreti lypë, mbreti kërkon, mbreti në ven kamben. Këto keqkuptime si duhen shkrue ne faj popullit, por zyrtarve e taksidarve.

Historija e çdo shekulli na deshmon se nder shkaçet që kanë mbrri me trondit deri fronet e të mëdhajve të botës e me i ba të vendosin gishtin mbi ball, kanë qenë detyrimet, taksat e të lamet, si kur kanë qenë prodhime bimësh a bagëtish e të tjera. Emni i të lameve (pagesave) gjithmonë ka pasë shkaktue në popull vaj e ankesa, namë e thirrje, e sa herë ka ndodhë që ka pasë hy kryengritja në popullsi rezultat i sëcilës kan perfundue të lamë me gjak, për tmerr, si njerzit e popullit si ata të qeverisë, me dam të atëdheut e të mbretnisë. Rrjedha e këtyne të zezave nuk mund ti ngarkohen popullit, por njerzve të qeverisë, për arsye se këta të shtymë prej fitimesh të veçanta përhapeshin neper popull jo si vllaznit e popullit, por në mënyrë të ujqve të uritur; jo me mbledh popullin e me i thanë ndonji shpjegim se per çfarë qellimi i japin ato pagesa, por përkundra me sjelljet mizore të tyne, i jepshin malin popullit e tuj nxierr shkak të pabindjen e tij, vëshin dorë me rrenim ku me pula e pata, pernjimend, ku me dëmtime, me të shituna e me të bleme si dojshin vetë. Kështu e dhjeta vete ne pësëshe e ndonjë rast per mëshir në shtatëshë e tetëshe; Domethanë se njerzit e popullit do ta ndajshin për gjysëm me taksidarët mundin e djersën e vetë, e prej këtyne të marrunave të shumten e ndalshin për vete zyrtarët e taksidarët, e qeverisë i jepnin veçse tepricën. Këto punë pra e ftohin popullin dhe u hynë në palcë urrejtja ndaj mbretit e qeverisë, se u shkon mendja se mbreti e qeveria urdhnojnë, që ti vihet kamba popullit e ta vorfnojnë në atë mënyrë të dhunshme.

Kujtoi se nuk gaboi nëqoftëse them, se vaji, brima e ankimi i popullit të shumten e herës asht i arsyeshëm.

*

* *

Të regjurve ndër mjerime do tu besohet; atyre që dhe dreka dhe darka u përbahet prej leçenikut.

Ja disa tregime të hershme para se të flasim për të vonat apo tonat.

Se merreshin neperkambë popujt e hershëm jo vetëm prej zëvendësave, por edhe prej mbretënve të tyre, historitë na bajnë dëshmi.

Se është fillue jeta nuk gjejmë nji komb në botë që ka mbërrit me i mohue detyrimet që ka ndaj kryetarit, e si janë gjetë asi kryetarësh që e largoishin popullin nga vetja me dhunime e mizorit e veta, ashtu ka patur asish që janë mundue me e afrue popullin e me e futun nën sjetull të vet.

Teprija e të lameve nuk asht tjetër por “rrenimi” i Shtatit sepse këto kanë qëllime të veçanta e jo të përgjithshme; kanë qëllim madhështit e të veçantëve, e jo të mirën e përparimin e popullit e të mbretnisë. Teprija e pagesave e çon popullin e mbretninë kah rrenimi e jo kah jeta. Si të shikojë rrenimin e vetë popullit i jepet shkaku ose me u ngritë forcërisht kundra Shtatit të vetë ose do ngelet si nji gjarpen i këputur në kryq tu u sjell nepër pluhun deri sa ti dal fryma, e kjo sepse Shtati mizor asht mbajtun prej fuqive mizore, i mbajtun prej fuqije të nëpunsave, nuk e lejon me ngritë ballin kundra të paudhave që i bahen.

Horodoti na kallxon se Athinasit e pangopun paten arrit me lyp detyrime prej banorve të bregut të Andros, jo në emën të sunduesit – i cili do e ket marrë e teprue – por në emen të dy hyjneshave që quheshin: Mbushamende (Dea Peersuasio) e Nevoja (Dea Necessitas). Banorët e Andros të lodhun prej nepërkambjeve u pergjegjën Athinasve në emën të dy hyjneshave të qujtuna: Mosmundja (Dea Impossibilitas) e Vobeksija (Dea Paupertas), e ashtu i hoqen qafet. Si të hyjë në popull hyjnesha Mosmundja e Vobeksija hec e sille ne mend! E çfarë fitimi e ç’nder e ç’emën i mbetet mbretit e mbretnisë si ti fiket populli kur e leshon në dorë të zyrtarve mizor? Ashtu si ka detyrim populli me ja dhanë shtatit çka i detyrohet, ashtu asht detyra e shtatit me ja largue frigen popullit.

Lekedemonët mbas deshtimit të Plutarkut, ishin zotnues të Greqisë. Pra pokështu dhe gjithë grekët do lanin detyrimin duke dëshirue që të vendoste detyrime në bazë të pasunive e të tokave Për këtë arsye Athinasit u paraqitën para Lakademonasve me Aristidhin. Doli Aristidhi i varfër dhe i ndau detyrimet simbas pasunije dhe mbetën të gjithë të kënaqun. Aristidhi e caktoi deturimin 160 talenta. Kur erdhi e hypi në pushtet Perikliu e ngriti detyrimin në 600 talenta. E mbrapa këtij vazhdoi të ngrihet deri sa hypi në 1300 talenta. – Gjithnji si tasidarët e Shqipnisë sonë në kohë të Sulltanave. Këto ngritje nuk u banë se kishte mbetun shtati mangut për hargjimet e detyrueme, por sepse prishej djersa e mundi i popullit nder kremtime të stermëdha e nder ndertesa të stermadhënueshme.

Nder Perandoret e Rromës, sundimi i të cilve përfshinte mbarë boten e at’hershme, po permendim disa nder njiqind që kanë pas luejt mendsh hapur, të cilet pa farë mëshiret rjepshin popullin, i pinin gjakun, e i bllokonin frymën popujve të pushtuar.

Galba porsa hypi naltsinë e sundimit, simas dëshmisë së Svetonit, aq i randoj popujt me detyrime pagesash e në grumbullimin e visareve, sa mbrrini me hyp në zyre ma të nalta të mbretnisë njerzit ma të poshtëm me cuba e plaçkitës, tuj i ba zavendësa nëper të kater anët e mbretnisë me porosi që ti pinin gjakun popujve me taksa. Këto mbasi e venin popullin nen shkop, me visare të grumbullueme ktheheshin ndër shpija per me kalue jetën mbeshtet, e nder argëtime e marri, e menjiherë prap i thirrte zoti Galba i cili pa e tjerrë punen gjatë me një pages tre groshësh i percillte për atje nga nuk do ktheheshin ma, e pasunit e tyne të vjedhuna popullit, Galba i stërvidhte e i bante të vetat.

Gaji Qezar i qujtun Kaligula, aq ka qënë i dhanë mbas mizorish e mbas punësh të ndyeta, aq i ishte rritë mendja, sa nder marrëzit të panjehyna kallzohet edhe kjo e cila e tregon si mik bagëtish e jo të njerzimit. -Ky kishte një kal që nuk e ndërronte me Rromen e me rromanët. I jepte me hanger elb të zgjedhun të hedhun nder kupa të arta e i jepte me pi venë në vend të ujit. Selenikat, e mbulojen ja kishte premun me stofra të perpurta e me gjithfar qendisjesh e lajlesh. Stalla e kalit ishte me shtroje e mbulojë të mermertë, e grazhdi prej dhambesh prej eshtnave të dhambeve të elefantit. Qaforja e kalit ishte prej margaritarësh. Posë stalles Kaligula i pati falun kalit të vetë një shpi tjetër të hijëshme e të stolisun permbrenda madhënisht, që ti gjendej gati kur ti mbushej koha (kalit) me pritë ata që do të thirrte me darkue me te. Së mbramit kje përbetue me e ba Konsull (si të mos kishte Roma kurrnji njeri për ket titull). Aq per zemer(!) e kishte popullin e vet Kaligula sa pati mbrri me thanë: “Utiman populus Romanus unam heberet cervicemi” d. m. th. Kalikula ishte i mjeruar pse krenat e popullit Rroman nuk ishin mbi një arrç të një qafe që ta kishte më të përdorshme me ja shkurtue qafen të gjithve pernjiher me nji të qëlluare shpate. Veç mizorish e dhunimesh që i njihen këtij përbindëshi, pati mbërritun me shterr thesarin e Shtatit tuj prish disa miljona pa u mbush vjeti, nder lojna e kremtime perurime ndertesash e argëtime të papuna.

Nji oroe! Këtu dallon hapun, se popujt e hershem ishin shumë ma të perulun e të ndigjueshem se popujt e kohve të vona; Arsyeja asht se ato kanë pasë nji bindje e druajtje të madhe ndaj mbretit e zevendësave, në të cilët u shëmbëllehej hija e hyjnive. E dyta arsye pse u vinte përshtat mbretënve të atyne kohnave me shtyp e me ndrydh nenshtetësat e kombet e pushtueme, sepse kishin në dorë palcën e fuqis ushtarake, e cila përbahej prej gjithfarësh, dhe ishte e mbajtun mirë. Vetëm kur fillojshin me perbuz ushtrinë, tu pervishej kjo, mbretenve të Romës u këndonte qyqja mbi krye e mbi thesare të grumbullume në shpinë të popujve, e e mbarojshin jetën të përshkuem prej patershanash e kurtjelash.

Mund të thomi pa gabue pra, se rrenimi i popullit por edhe i mbretnisë, rrjedh prej të qeverisunit të mbrapsht, e këtë rrezik kanë mbërri me e pa mbretnit e hershëm e besa nuk kan pas ndej me duar ne ije, e tuj sodit me bisht të synit sjelljet mizore të zavendësave e të qeverisunit e qeveritarve, të zyrtarve e të taksidarve të pa zemer. Ka pasë edhe ndër mbretënt e hershem baballar kujdestar, të cilët e afronin popullin nën sjetull të vetë, dhe ja ndigjonin vajin e ankesën, duke ngrit zanin kundra punve të liga e kundra paudhësive të zavendësave të vet, e kundra qeveritarve të krahinave të pushtueme që merrnin guximin me neperkambun popullin me sjellje të dhunshme.

*

* *

çdo mbret e sundues ja fiton zembren popullit kur këta ti mbajn syt mbi te, e kur mos të lejojnë që të nepërkambet e ti punohen paudhësi. Kan pasë mbërri me kuptue se kalimi i masës e ndez popullin në urrejtje kundra mbretit, qeverisë e së mbrami prej këtyne punve të mbrapshta të qeverive mbijnë ngatrresa, mbijnë rrevolta në popull e mundet me perfundue që me çue dor edhe ndaj atdheut. Përkundrazi po arriti populli me u bind se po punohet për të mir e fatlumtësi të tij e se të gjitha qëllimet si të mbretit e të qeveritarëve kan synim përparimin e të mbëkamburit e tij, jo vetëm të ndjek populli, por deri kafshatën e gojes asht i zoti me e nda me mbretin e vet. Propoganda e grabitja e zavendësave të cilat e çojnë popullin kah mjerimi, ato edhe e irritojnë e në rrevoltë e çojnë.

Ja disa tregime.

Dari, i biri i Istapsit duke e pasë shtri sundimin e vetë mbi nji pjesë të madhe e shumë të pasun të Greqisë, përpara se të jepte urdhen për me grumbullue detyrimet, të gjithë zavendsat e qeveritarët i thirrte para fronit të vet, dhe kerkonte prej tyne me i kallzue se mos po randohej populli prej pagesave të taksave. -As po ti marrim gjysmen e prodhimit nuk rendohet populli – i përgjigjeshin këta. – E mirë, ju a kthente Dari – edhe atë pjesë që merrni ta përgjysmoni, vetem mos ti randohet taksa popullit.

Tiberi Qezar, Perandor i Romës sado që ishte nji njeri mizor, koprac e i ndyt, teprimin e taksave e urrente. Sa e sa herë i akuzonte konsujt që i dergonte në krye të ushtrive të krahinave të pushtueme, sepse nuk tregoheshin ma realist për relacionet e ngjarjeve e nuk e njoftonin Pleqnin (Senatin) e Romës mbi gjendjen e atyne krahinave, që ta dinte me kohë me marrë masa për çdo rast. E gjithmon, kur me shkresa e kur me fjalë të rrebta hidhej kundra qeveritarve kur rendonin popujt me pagesa të teprume, tu i këshillue: “Boni pastoris esse tondere pecus, non deglubere”.

Detyra e bariut të mirë asht me qeth dhent e jo me i rrjep. – Fjalë që meritojnë me u vendos ne ball të çdo zyre financiare e me ja var në qafë taksambledhësve, që ti kenë parasysh gjithmon kur dalin neper popull per këtë punë.

Nder njëmijë e pesqind të zeza që pat ba Neroni nji nder e vetme i këndohet që i bani njerzimit, e jo për tjetër, por se u merzit prej ankimeve të vazhdushme si na e dëshmon Dionis Kasi. Ky perandor arriti me i heq fare taksat tue lirue popullin prej tyne. Pleqsija e Romës e lavdroj fisnikrinë e tij, po e njoftoi se mbretnija do shkonte në shkatrrim e në rrenim të plotë, po nuk pati mjete për shpenzime që i duhen, e me të cilat mund të mbahet në kambë. E mbrrini me ja mbush mendjen Neronit, që të merrej taksa, ne mos në ndonji mënyrë tjetër të paktën si në kohen e Konsujve të hershem; porse të shpallte urdhna të rrebëta kundra taksambledhësve që të mos shtyhen në teprime se ato bahen shkaku i urrejtjes e të revoltave të popullit. –

Jul Kapittolini tregon një tregim të mrekullueshëm për perandorin Mark Aureli. Meqense pati hargjue të ardhurat e thesarit mbretnor, në luftë kundra Markomanve, e duke pa se lufta vazhdonte, e thesari u mbarue, nuk ju duk punë e ndershme që ta rendonte popullin me pagesa të reja të jasht-kohshme por la peng madhnin e stolive të mbretnisë së vet; pasunit e veta, sende e enë të arta, pa i kursye deri stolit e arta e të paçmueshme të Perandoreshës. Dy muaj zgjati ky peng deri sa mblodhi të hollat që i nevoiteshin per shpenzimet e ushtrisë. Mbasi i nënshtroi Markomenët, shpalli qe kush të dëshironte me ja kthye sendet e bleme do merrte të hollat e veta. Kush ja ktheu i mori të hollat , e kush nuk ja kthej, as pak se trazoj.

*

* *

Palca e këtij artikulli asht: Mbreti mbështetet në popull e populli në mbretin. Pra as mbreti as qeveritarët nuk ranë nga qielli, por u perftuan nën zemër të nanes si të gjithë njerzit që jetojnë mbi fytyrë të tokës. Porse ligji i natyrës e ligji i Fuqiplotit na urdhnon që të respektojmë mbretin, se atë fuqi e ka prej së nalti, sa të marr skeptrin e sundimit në dorë, ai merr të drejta atnije mbi kombin mbarë e poashtu do të njihet si ati i kombit, e si çdo njeri që ka nji at në botë, at të ligjshem, ashtu mbreti asht ati i ligjshem i kombit e nuk mund të jetë ma shum se nji.

Po gjymtyrët që përbajnë qeverinë? Sot janë disa e neser të tjerë, e kjo nderë asht shum rrugë e mbarë, mund ti ngarkohet çdo njeri pjestar të kombit, mjaft që të këtë cilësit që lypen për të kryer detyrimet e zyres.

Më ç’farë shpirti pra, e me ç’farë ftyre mundemi me sigurue at vend ku peshohen fatet e një kombi, e kush? ne që deri dje perballuem urdhnin e Mbretit tonë për pagimin e taksave e në nisjen e djemve tonë në ushtrinë kombëtare? – Duhet të na mbushet koka se që të mundim të qendrojë në kambë mbretnija, e të mundet të vijoj per përparimin e kombit, pagesat e ushtrija janë të domosdoshme.

Pamë pra se mbreti asht ati i kombit, qeveritarët janë vllaznit e kombit, po ushtrija prej ç’farë djemsh perbahet? Edhe kjo përbahet prej zemrës së kombit.

Pra detyrimet e taksat që jep kombi nuk ja jep të huajit, por atit të vet, vllaznëve të vet e djemve të vet.

Tashi dua të hy në zembër të kombit tim!

Të gjithë e dimë se Shqiptari e ka gjak nder sy taksën; nji pjesë e banorve janë që nuk kishin dasht me hy nën kët çatel kurr e për të gjallë, e disa të tjerë edhe pse kan hy në ketë rabush, kurr si pamë tue qeshë e as i ndigjuem tue këndue.

Shqiptari i fushave ka pague taksat pse ka qenë i shkelun, e ai i maleve nuk e ka pague pse ka ken mbret me pushkë në krah. Përpara malet e mandej pushka, e kan pasë pshtue Shqiptarin e maleve pa pague taksa e jo pse nuk e lejon Kanuja e Lekës! Malet po, kan qenë që ja shtijshin tmerrin ushtrisë turke, e prandaj ka pshtue malsorët tonë pa pague taksa. “Nuk lufton Kelmendi, por vendi” asht fjala e vjeter. – Pa rrugë, pra i mbeshtetet kanunit Shqiptari i maleve tue thanë se “Kanuni nuk banë bidat (doke të reja). Fjala bidat – doke- asht aq i vjeter, sa asht i vjeter vetë shqiptari, si i malit si i fushës. E doket nuk i ka mali po i ka edhe fusha. – Hej, sa gjethi shperthen e bjen, sa lule çilen e thahen, ashtu mund të themi edhe për doke – bidate, janë gjeth e lule.

Fjala e artë e Kanunit të Lekës, e cila e ka pasë për zemer të mirën e popullit thotë: “Ku të jetë gjasa (koha), vihet pemë e re”. Pra Kanuni jep leje me mbjell pemë të reja, ose doke të reja, kur e lyp nevoja. A thue kena ndonji moter? Bukur shum kena kësi motrash. e ja nja dy nder sa e sa:

Shqiptari i hershem i maleve të egra të Shqipnisë sonë me gjahik e tirq, petka të leshta dhe të trasha, nuk ka ditë çka janë petkat e lita, për sumbulla e mberthecka përdorte ferra, e per në ngjeshme rrypina lekurë blini e vidhi. E sod Shqiptarët e maleve të Kanunit jua kanë kalue fushave e qyteteve me veshje e me gjithfarë lajlesh e stolish. – Shqiptari i hershëm i Maleve të Kanunit ska pas zakon me u shkrue zapti i sulltanit e me marrë pagën e tij, porse nipat e tyne ngitshin pas zaptillekut posi miza pas trush. Mjaft janë keto dy tregime nen të cilat përmblidhen shumë të tjera.

Kanuni don, pra që të mbillet nji pemë e re, kur ta kërkoj nevoja. – Koha e sotme ka dy sy e nuk asht ma me një sy si Katallani i Homerit. Dy sy kërkojnë rrugë të gjana; kërkojn të punojnë, kerkojn ujnat e rrudhuna në burime e urat mbi to; kerkojn që të punohet ma me zanat toka e bukës; kerkojn mësonjëtore, kerkojn që të futen në punë djelmnija, e mos të enden si miza pa krye, me atë hu pushket në krah, tuj jetue me djers të huaja, me mall të huaj, kerkojn lirinë e vetë në mal e në fushë; kerkojn qeverisjen e kso të tjerash. – E per ti vu per fije të mbarë këto punë, Zoti i qiellit e bota mbarë ja kanë lanë në dorë mbretit e qeverisë kombëtare; e këta skanë si ja dalin në krye këtyne punve po nuk u përkrahen prej ndihmës së Kombit. Ndihma e kombit asht taksa e ushtrija. Me taksat e ushtrinë, kombit i zvoglohen kujdeset; Dita i kalon në punë, e nata në gjum ta ambël, e nuk ka nevojë me tret gjumin, se djemt e mbretit – Ushtrija – rrin çuet në roje e nuk lejon që të afrohet bakeqi për me e rrezikue. – Me taksa i hapen rrugë ka perparimi nepermjet mësimit, nepermjet rrugëve, nepermjet urave, e hyn në takime me shok e vllazen e me boten e qytetnueme.

Mos të dhimset o vëlla Shqiptar, ato tri barrë drith që do ja japish mbretit tand, se për djal tand je tu i dhanë. Me të ndej të shpija me kambë ne hi djali të kerkon melmesen, të kërkon pushkë, fishekë, alltija, rretth fishekësh e kso tjerash. Mos thuaj se me të pasë ndej djali të shpija, ta kishte sjell fitimin me djersë e mund të krahve; por mendo se kishte mujt me ta sjell rrenimin me ndonjë vrasje ose me ndonjë faqe të zezë tjetër. Masandej sa të jetë djali në ushtri, prindi e shtpija skanë nevojë me mendue për të, as per veshje, as për mbathje, as për kurrnji punë, për këto e të tjera do të mendoj Ati i kombit, e Qeveria.

*

* *

“Detyra e bariut të mirë – pra asht me qeth dhent, por jo me i rjep”. Në këtë Shqipnin tonë – flas për ato krahina që kanë pas pague taksat -, zyrtarët e taksidarët, jo që kan qethë, por rrjep e deri mishin e shtatit janë mundue me ja shkye popullit tonë në kohë të Sulltanve, prandaj nuk i patëm shikue tu qeshe e as i patme ndigjue tuj këndue.

Populli i ngratë jepte, e gjysma e të keqes kishte qenë me i pa hargjue Sulltani ato të marrunat tona per rrafshimin e ndoj suke, a në mbledhjen në shtrat të ndoj Drinit e Matit; por perkundra Sulltani prish në Kostandipoj (Si Neroni e Kaligula ne Rromë) e mandej, per me pague detyrimet e veta vënte peng thesaret e tokës Shqiptare, si skelat e krypës së detit tonë, si gropat e serës së Selenicës e tjera.

Në qoftëse inatoset shqiptari kur ti permenden taksat, nuk do ja shkruajm në faj, se plagët e vjetra, të cilat si janë shendoshë ende, vrasin. -Unë besoj se kur të mbrrijë Shqiptari me pa se djersa e tij e kashta e tij po ja sjell fatlumsinë e ja ndal bakeqin, e ja hap rrugët e marrdhanies, ka me i ndihmue mbretin e qeverin, e ka me urue që të ketë per me dhanë edhe ma.

Por edhe prej anës së Sundimtarve duhen Aristida, duhen Mark Aurela, e duhen kujtue hyjneshat ”Mosmujtja” e “Vobeksija”, sa për zyrtar e taksidar që neperkambin kombin, që mundohen për shkatrrimin e kombit duhen Nerona e Kalikula.

Rrubik 13.VI.1921.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme