Kulturë

As marsi nuk sjell rritjen e pagave për institucionet e kulturës

Prishtinë, 2 mars – Aktorët e Tetarit Kombëtar të Kosovës e as punonjësit e tjerë profesionalë të kulturës e të trashëgimisë kulturore nuk i kanë marrë pagat me rritje në ditën e parë të marsit.

Pos që Ministria e Kulturës nuk ia ka dalë t’i përmbahet një marrëveshjeje verbale për t’i dhënë pagat me rritje prej një shkurtit, problem në vete del të jetë plotësimi e ndryshimi i Rregullores për gradimin dhe pagat e krijuesve e të performuesve të kulturës dhe punonjësve të trashëgimisë kulturore. MKRS-ja planifikon që të shfrytëzojë 600 mijë euro të projekteve kapitale për të rritur pagat për 50 për qind për 228 punonjës. Por meqenëse këto mjete janë planifikuar për këtë vit, problemi është tek plotësimi i rregullores.

Drejtori i Departamentit ligjor në MKRS, Feim Hoxha, i cili kryeson grupin punues së bashku me Valon Kashatnjevën, drejtor i Zyrës për të drejtat e autorit, ka thënë se janë në finalizim të draftit. Sipas tij, pas dy takimeve të ardhshme drafti i parë do të jetë gati.

Kryetari i Shoqatës Sindikale të Teatrit Kombëtar të Kosovës, Ismet Azemi, ka thënë se ky është muaji i dytë prej kur nuk respektohet marrëveshja e Shoqatës me ministrin e Kulturës Kujtim Gashi. Por, sipas tij, gjithçka varet nga Rregullorja dhe duhet të përfundohet ajo (gjerësisht, sot në “Kohën Ditore”).

Gazetën Koha Ditore mund ta lexoni edhe online. Këtu mund të gjeni sqarimin se si mund të abonoheni.