Ambasada e Kosovës hapi në Tiranë ekspozitën e Eliza Hoxhës

Ambasada e Kosovës hapi në Tiranë ekspozitën e Eliza Hoxhës

27 shkurt 2018 17:55

Ambasada e Republikes së Kosovës në Tiranë, në kuadër të organizimeve me rastin e 10-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, në ambientet e Muzeut Historik Kombëtar në Tiranë, me datë 26 shkurt ka hapur ekspozitën personale të Eliza Hoxhës “Midis ëndrrës dhe realitetit”.

Në hapje të ekspozitës ishin të pranishëm diplomatë, figura publike dhe përfaqësues të institucioneve kulturore dhe të organizatave jo qeveritare në Shqipëri. Në këtë ngjarje të organizuar nga Ambasada e Kosovës në Tiranë, ishte e pranishme edhe vetë autorja e ekspozitës, Eliza Hoxha. Kjo ekspozitë do të qëndrojë e hapur për tri ditë me radhë, nga datë 26 deri më 28 shkurt.

Ekspozitën “Midis ëndrrës dhe realitetit” e ka hapur i Ngarkuari me Punë në Ambasadën e Kosovës në Tiranë, Sylë Ukshini, i cili theksoi se kjo ekspozitë është e veçantë dhe lidhë shumë faza historike të rrugëtimit të Kosovës nga demonstratat e viteve 90-të të shekullit të kaluar, lufta e fundit e deri të pavarësia e Kosoëvs, duke shtuar se kjo ekspozitë pasqyron njëkohsisht dhembjen tonë, rezistencën tonë, ëndërrën tonë dhe kujtesën tonë historike. Ukshini më tej theksoi se 10 vite janë pak për shtetin e Kosovës, por sipas tij, me siguri pas 10-të viteve të tjera shteti i ri i Kosovës do të jetë më i konsoliduar në planin e brendshëm dhe ndërkombëtar.

Më pas fjalën e përshëndetjes drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, Dorian Koçi. “Ekspozita personale “Midis ëndrrës dhe realitetit” është një ekspozitë që na tregon të vërtetën historike të Kosovës. Luftën e saj për mbijetesë dhe fitoren mbi gjenocidin dhe dhunën sistematike serbe mbi shqiptarët e Kosovës.

Autorja e ekspozitës, Eliza Hozha, në fjalën e saj theksoi se ajo i përkiste një gjenerate që pati shumë ëndrra, por që jo të gjitha mundën të ktheheshin në realitet. Ajo theksoi gjithashtu se i përkiste asaj gjenerate që përjetoi luftën, por dhe shpalljen e pavarësisë. Sipas Hoxhës, ekspozita e saj sjellë në vëmendje atë që ka kaluar e që nuk duhet harruar asnjëherë.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme