Jeta e Demaçit, histori e Kosovës

Jeta e Demaçit, histori e Kosovës

26 shkurt 2018 14:24

Me rastin e 82-vjetorit të lindjes së veprimtarit Adem Demaçi, u përuruan dy librat e përgatitur nga Selatin Novosella “Viti i Adem Demaçit” dhe “Demaçi - njeri i lavdisë”.

Librat janë përfaqësueses i të gjitha aktiviteteve që janë mbajtur në vitin jubilar të ditëlindjes së Adem Demaçit në vitin 2016 për 80-vjetorin e lindjes.

Autori i librave, Selatin Novosella tha se ka pasur rastin të mbajë shumë përurime, por, sipas tij, ky i fundit për Demaçin është përurimi më i kuptimshëm dhe më domethënës në jetën e tij. Novosella ka thënë se angazhimi i tij për këto libra ka qenë me shumë pasion, me shumë dashuri, me shumë konsideratë për Demaçin.

“Këtë libër e kam pasur nëpër dorë me datë të caktuar jo, por me vite, më shumë se dhjetë vjet. Pyetja parë që mund të shtrohet, një libër 170 faqe për dhjetë vite? Ky libër ka qenë me shkrime në dorën time të djathtë, gjatë punës time me shumë pasion, me shumë dashuri, me shumë respekt dhe me shumë konsideratë sikur ju të gjithë së bashku për një njeri që do të thoshte, edhe e thotë Avni Dehari: “Lum ai popull që ka një Adem Demaç”. Prandaj, ne të gjithë ndjemë po të njëjtën dashuri”, ka thënë Novosella.

Ish-kryetari i Shoqatës së të burgosurve politikë të Kosovës Berat Luzha, ka paraqitur një pasqyrim të shkurtër të veprimtarive të shumta kulturore të organizuara në kuadër të 80-vjetorit të lindjes së Adem Demaçit, i mbushur me plotë veprimtari kulturore përkushtuese.

“Tashmë Selatini është një emër i njohur i politikës dhe i publicistikës shqiptare, kurse është dalluar veçanërisht si biograf i Adem Demaçit. Nuk besoj se publicistika shqiptare ka edhe një biograf tjetër të tillë të përkushtuar për njohjen dhe studimin e një personaliteti kompleks siç është Adem Demaçi. Selatini ia ka kushtuar bacës dhjetëra libra dhe ia ka përgatitur bashkë me shokë, akademi, konferenca, simpoziume, tribuna shkencore si dhe ka organizuar hapjen e ekspozitave tematike me fotografi e dokumente për jetën dhe veprën shumë dimensionale të Adem Demaçit. Pos në Republikën e Kosovës, veprimtaritë në kuadër të vitit të Adem Demaçit, janë organizuar edhe në Maqedoni, Shqipëri, Zvicër e Gjermani”, ka thënë Luzha.

Shyqeri Galica, përfaqësues i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës ku Adem Demaci është kryetar nderi, tha se personaliteti i Adem Demaçit pa asnjë dyshim është i veçantë me një spektër të gjerë trajtimesh e hulumtimesh, një figurë dramatike nga jeta e hershme e tij e deri në ditët e sotme me ide dhe pikëpamje tejet të veçanta, e mbase ndër më konstruktive në historinë e kombit shqiptarë.

“Demaçi, sot nuk e ka forcën që e kishte dje, por e ka veprimin më të fuqishëm, pikëpamjet e mendimit përcaktues të të fatit të popullit t tij, kurse, vizionin të jashtëzakonshëm. Natyrisht ka veprimin më të fuqishëm, sepse idetë e tij tashmë kanë pushtuar jetën shqiptare dhe faktikisht kanë përshkuar katër anët e botës”, ka thënë Galica.

Drejtori i Institutit Albanologjik, Hysen Matoshi, ka thënë se rëndësia e këtij libri qëndron në faktin se janë bërë përpjekje të mëdha që të mblidhen në një vend të gjitha aktivitetet e vitit jubilar për Demaçin, që janë përfshirë qindra pjesëmarrës me kumtesa për shënimin e 80-vjetorit.

“Vlera dhe rëndësia e këtij libri qëndron ën faktin se janë bërë përpjekje të mëdha që të mblidhet, të mbetet në një vend, të grumbullohet në një vend në mënyrë të sistemuar me programet me pjesëmarrësit dhe me të gjitha aktivitetet e vitit jubilar për Demaçin. Janë me qindra e qindra pjesëmarrës, me kumtesa dhe me kontribute të ndryshme qoftë si këshill organizativ, qoftë si persona të cilët kanë ndihmuar në cilën do prej formave në shënimin sa më dinjitoz të 80-vjeotirt të Adem Demaçit. Të gjithë i falënderojmë nga zemra, ndërkaq për bacën urojmë që të ketë përmirësim në shëndetin e tij dhe që ta kemi sa më gjatë në mes nesh”, ka thënë Hyseni.

Në këtë promovim, organizatorët kanë lexuar mendimin e Pjetër Arbënorit, ish- kryetar i Kuvendit të Shqipërisë për veprimtarin Adem Demaçi, në të cilën thuhet: “Ju i dashur Adem jeni nga ata intelektualët dhe veprimtarët shqiptarë që tërë jetën i ja keni kushtuar pa më të voglën rezervë idealit të shenjt të lirisë. Keni mposhtur burgun gati 30-vjeçar brenda hekurave mbytës të shovinistëve serbo mëdhenj. Jeni kthyer në simbol të qëndresës, të ndershmërisë , dhe tash qëndroi kryelartë në rreshtat e parë të rezistencës paqësore që populli heroik I Kosovës të fitoi hap pas hapi të drejtat e veta njerëzore e kombëtare dhe të bëjë realitet aspiratat e natyrshme për liri, pavarësi e bashkim kombëtar”.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme