“Gishti” i Doruntina Bashës impresionon artdashësit në Tiranë

“Gishti” i Doruntina Bashës impresionon artdashësit në Tiranë

26 shkurt 2018 13:33

Pamundësia e të “vazhduarit më tej” dhe pozita femërore në çdo luftë në këtë botë ishte mesazhi që mori publiku artdashës i Tiranës në premierën e dramës ”Gishti”, shkruan sot ATSH.

Drama e regjisores serbe Bojana Laziq solli premierën këtë fundjavë në Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” nën interpretimin e aktoreve Rozi Kostani dhe Ina Morinaj.

Kjo dramë shqipe e autores Doruntina Basha solli në skenën e teatrit një nga traumat shoqërore më të dhimbshme dhe më të thella të trazirave të pasluftës, çështjen e personave të zhdukur të cilën e sheh nga një perspektivë e fuqishme femërore e që hedh dritë mbi plagët sociale dhe individuale, dëshpërimet dhe plasaritjet.

“Gishti” tregon historinë e dy grave, vjehrrën dhe nusen, të cilat edhe dhjetë vite pas zhdukjes së burrave të tyre në luftën e Kosovës, jetojnë së bashku, të paaftë për t’u vajtuar siç duhet të vdekurit e tyre, dhe të vazhdojnë me jetën.

Zoe dhe Shkurta jetojnë një jetë që është e mbushur me emocione të forta: dashuri, urrejtje, lot, të qeshura dhe mbi të cilën është mbizotëruar përjetësisht fryma e atyre që nuk janë me. Një dramë që fillon nga një gisht i prerë, duke përgatitur bukën për pritjen e dy burrave të shtëpisë, të cilët para dymbëdhjetë vjetëve dolën nga shtëpia për të mos u kthyer kurrë më.

Një nënë e cila nuk pajtohet asnjëherë me fatin e keq të tyre, gjersa nusja apo siç e thërriste ajo Shkurta, më në fund arrin ta kuptojë se ata nuk do të kthehen, e që ato duhet të pajtohen me fatin që është shkruar për të dyja , por jo zemra e një nëne nuk mund ti bëjë ballë asaj.

Kompleksiteti poetik i gjuhës na sjell aspektin më të vlefshëm universal të shfaqjes, nuanca të pafundme të marrëdhënieve të dy grave të cilat në të njëjtën kohë e urrejnë dhe e duan, dhe të cilat nuk mund të jenë më njëra pa tjetrën.

“Gishti” kështu bëhet tregimi për një vetmi të madhe, por edhe për shpresën, për ditët që rrjedhin ngadalë, fuqinë e fantazisë dhe bindjes, dhe ndrydhjes së pashmangshme të jetës së përditshme në çdo shoqëri post-traumatike.

Regjisorja nga Beogradi,Bojana është autore e më shumë se 20 shfaqjeve teatrore dhe fitues të disa çmimeve teatri.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme