Kulturë

Në Shqipëri rinisin aplikimet për doktoraturë dhe tituj shkencorë

Pas katër vjetësh bllokim, në institucionet universitare të Shqipërisë janë hapur aplikimet për studimet doktorate, duke sjellë edhe ndryshime thelbësore në titujve shkencorë por jo vetëm.

Në aktin nënligjor të Ligjit të arsimit të lartë, Këshilli i Ministrave ka miratuar kriteret për fitimin e gradës shkencore “doktor” si dhe standardet për titujt akademikë “profesor i asociuar” dhe “profesor”. Me Ligjin e ri të arsimit, studimet doktorate integrohen me kërkimin shkencor e po ashtu sjell një ndryshim rrënjësor në mënyrën se si do të menaxhohen ato nga universitetet. Sikurse ishte deklaruar edhe nga vetë kryeministri i vendit dhe vetë ministrja e Arsimit që, një profesor i asociuar nuk do të udhëhiqte shumë kandidatë doktorantë, me aktin nënligjor të miratuar numri i tyre do të shkojë nga 5 dhe 7 kandidatë maksimalisht dhe deri në tre doktorantë në rastet kur udhëheqësi është i angazhuar me kohë të pjesshme në fakultet. Më parë profesorët merrnin përsipër të udhëhiqnin deri në 40 doktorantë në një grup kërkimor.

Lidhur me kriteret për doktorantët, këto të fundit përpara se të mbrojnë tezën, duhet të kenë minimalisht tre referime në veprimtari shkencore ndërkombëtare si dhe të ketë botuar po aq artikuj në revista shkencore prestigjioze. Sakaq, do të jetë fakulteti ai që me anë të një rregulloreje të posaçme që do të përcaktojë kriteret specifike, që kanë të bëjnë me vijimin e projektit kërkimor, kushtet që duhet të plotësojë kandidati për t’u pranuar, afatet e pagesës apo edhe ndërprerjen apo pezullimin e studimeve. Paraprakisht, fakultetet dhe departamentet ofrojnë programet e studimit, për të cilat kandidati aplikon individualisht dhe në fund harton edhe disertacionin sipas formatit që parashikohet në rregullore.

Që një kandidati ti jepet grada shkencore, së pari teza finale kalon në departament, i cili brenda dy javësh e vlerëson dhe ia përcjell komisionit për dhënien e gradës “Doktor”. Nëse ky i fundit e vlerëson pozitivisht, ngre jurinë, e cila, nga ana e saj, vlerësimin ia rinis komisionit e më pas dekanit, i cili i vë vulën përfundimtare.

“Profesor i asociuar” dhe “Profesor”

Të gjithë lektorët, që kanë së paku pesë vite që kanë mbrojtur doktoraturën, mund të kandidojnë për titullin “Profesor i asociuar”. Por më parë ai duhet të ketë plotësuar tre kushte: të ketë zhvilluar një cikël të plotë leksionesh, të paktën në një lëndë për tre vjet, mimimalisht 5 vite përvojë si dhe të zotërojë një nga pesë gjuhët e huaja të BE-së.

Për kandidatët për Profesorë të asociuar numri i botimeve shkencore e referimeve në revista ndërkombëtare është së paku pesë. Ndërkaq, Profesorët e asociuar duhet të zhvillojnë minimalisht pesë vite mësim në auditore për të aplikuar për marrjen e titullit “Profesor”. Për këta të fundit, rregullat janë më të forta. Ata duhet të jenë titullarë lënde ose udhëheqës të veprimtarisë shkencore për 5 vite akademike, tetë vite punë me kohë të plotë pas gradës “doktor”, së paku dy doktorata të përfunduara, si dhe të jenë të aftë për leksione në një nga pesë gjuhët e BE-së.

Për të marrë gradën “Doktor”, kandidati duhet të ketë realizuar si autor i parë ose i dytë, kur autori i parë është udhëheqësi shkencor, së paku 3 (tre) referime, 2 (dy) nga të cilat të jenë mbajtur në veprimtari shkencore ndërkombëtare (simpozium, konferencë, kongres), në një nga vendet anëtare të Bashkimit Europian, OECD-së ose G20-s, të pranuara në bazë të një vlerësimi paraprak shkencor dhe të botuara në “Proceedings”, të indeksuar me kod ISBN ose ISSN.

Të ketë botuar, së paku, tre artikuj shkencorë në revista shkencore, nga të cilët dy të jenë botuar ose pranuar për botim në revista të indeksuara të vendeve të OECD-së, BE-së ose G20-s, me bord editorial, ku, së paku, në njërin prej tyre të jetë autor i parë dhe në tjetrin autor i dytë.

Për titullin “Profesor i Asociuar”, kandidati duhet të ketë zhvilluar një cikël të plotë leksionesh për së paku, një lëndë, për tre vite akademike. Duhet të ketë gjithashtu, përvojë pune si personel akademik me kohë të plotë për një periudhë, së paku, pesë vjeçare, me apo pa ndërprerje ose me kohë të pjesshme si lektor, për një periudhë tetë vjeçare akademike,me apo pa ndërprerje, pas fitimit të gradës shkencore “Doktor”. Po kështu, duhet edhe zotërimi i një prej pesë gjuhëve të huaja të pranuara nga BE-ja.

Për titullin “Profesor”, kandidati duhet të ketë qenë titullar lënde ose moduli dhe udhëheqës i veprimtarisë shkencore për një periudhë jo më të shkurtër se pesë vite akademike. Të jetë ose të ketë qenë i punësuar si personel akademik me kohë të plotë si lektor për një periudhë tetë vjeçare akademike, pas fitimit të gradës shkencore “Doktor”, ose me kohë të pjesshme, si lektor, për një periudhë dymbëdhjetë vjeçare akademike pas fitimit të gradës shkencore “Doktor”. Gjithashtu, duhet të ketë udhëhequr, të paktën, dy doktorata, të përfunduara. Në rast se kandidati ka ushtruar veprimtarinë e tij akademike shkencore pranë një njësie kryesore me më pak se dyzet veta personel akademik me kohë të plotë, në momentin e aplikimit të ketë udhëhequr, të paktën, një doktoratë të përfunduar. Së fundmi, të jetë zotërues i gjuhës së huaj, të pranuar nga BE-ja.