Drama kontroverse “Touch Me Not” triumfon në “Berlinale”

Drama kontroverse “Touch Me Not” triumfon në “Berlinale”

26 shkurt 2018 13:00

Filmi “Touch Me Not” (Mos më prek) e regjisores rumune Adina Pintilie, që flet për një grua e cila përballet me çështje të intimitetit dhe mëson se si të ndihet rehat me trupin e saj, e ka marrë “Ariun e artë” të edicionit të sivjetmë të festivalit “Berlinale”. Ndërsa Wes Anderson e mori “Ariun e argjendtë” për regjinë e filmit të animuar “Isle of Dogs” (Ishulli i qenve).

Për Pintilie, fitorja ka qenë befasi e madhe, thuhet në shkrimin e Variety.com, të cilin e transmetoi “Koha Ditare”. “Nuk e prisnim këtë”, ka thënë ajo, duke shtuar që tema e filmit, që sfidon perceptimet e pranuara të bukurisë, “është shumë e rëndësishme”. Derisa juria gjashtë anëtarësh e festivalit, e udhëhequr nga filmbërësi Tom Tykwer, shpërndau çmimet gjerësisht, talenti gjerman vërehej qartë se mungonte nga lista e fituese, sado që katër titujt e shquar vendas ishin në konkurrencë.

Derisa ka pranuar çmimin në emër të Andersonit, i cili nuk ka mundur të jetë prezent në ceremoni, Bill Murraj ka thënë se “asnjëherë s’e kam menduar se do të shkojë në punë si qen dhe do të kthehem në shtëpi me një ari”.

Murray e ka përshkruar kryeqytetin gjerman si vend të mrekullueshëm, tek ka thënë se ishte shumë mirënjohës që ka pasur mundësi të kalonte kohë në Berlin. Ai ka cituar vargun e famshëm të presidentit John.F.Kennedy, duke shtuar se “unë jam një berlinas”.

Murray po ashtu e ka lavdëruar Andersonin, duke thënë se regjisori është i dashuruar pas filmit dhe se me veprat e tija e ka nderuar historinë e kinematografisë.

Regjisorja polake Malgorzata Szumowska e ka fituar çmimin e madh të jurisë, “Sivler Bear Grant Jury Prize” për dramën e saj “Mug”, një film që eksploron fanatizmin nëpërmjet rrëfimit për një djalë të ri që detyrohet të bëjë operacion plastik të fytyrës, pasi që fytyra e tij dëmtohet shumë në një aksident. Drama “The Heiresses” e paraguajasit Marcelo Martinessi, që shpalos një rrëfim për lesbike, ka marrë çmimin “Silber Bear Alfred Bauer Prize” për film artistik, që hap perspektivë të re për filmin. Po ashtu aktorja e këtij filmi, Ana Brun, ka marrë trofeun e aktores më të mirë.

“Ne jetojmë në një shoqëri shumë konservative dhe kjo nënkupton se duhet të fitojmë shumë çmime për të hapur perspektiva të reja”, ka thënë Martinessi duke pranuar trofeun.

Anthony Bajon e ka marrë çmimin për aktorin më të mirë, me rolin e një djaloshi të ri që kishte qenë i varur nga droga, në filmin e Cedric Kahn, me titull “The Prayer” (Lutja).

Manuel Alcala dhe Alonso Ruizpalacios morën çmime për skenar, për filmin “Muzeum”, një komedi e dramë e bazuar në fakte reale, që ka në role kryesore Gael Garcia Bernal, e që flet për dy studentë që thyejnë Muzeun Kombëtar të Antropologjisë në Meksikë dhe vjedhin artefakte të çmuara.

Trofeu “Ariu i argjendtë” për kontribut të shquar artistik i takoi Elena Okopnayas për dizajnin e kostumeve dhe produksionin në filmin “Dovlatov” që flet për shkrimtarin disident rus, Sergei Dovlatov.

Duke vlerësuar dhjetë ditët e fundit të festivalit, drejtori i “Berlinales”, Dieter Kosslich, ka dhënë një vlerësim optimist të edicionit të sivjetmë.

“Ishte një atmosferë shumë e veçantë këtë vit. Kishte shumë buzëqeshje dhe qiej me diell. Njerëzit ishin po aq divers sa edhe filmat”, ka thënë ai.

Duke kujtuar disa nga momentet më të veçanta të ngjarjes, Kosslick ka thënë se ai veçanërisht ka shijuar performancën e “Songwriter” që u shfaq në kuadër të “Berlinale Special Gala” – dokumentari i Murray Cummings për këngëtarin britanik Ed Sheeran.

Prej 24 filmave që janë shfaqur në kuadër të seksionit konkurrues në edicionin e 68-të të Festivalit të Filmit në Berlin, 19 u shqyrtuan për “Ariun e artë”, mes së cilëve produksione ndërkombëtare si “Don’t Worry, He Won’t Get Far on Foot” i Gus Van Sant me Joaquin Phoenix në rol kryesor dhe komedia e David e Nathan Zellner, “Damsel”, me protagonistë Robert Pattinson dhe Mia Wasikowska. Në përgjithësi 396 filma janë shfaqur në kuadër të seksioneve të ndryshme të festivalit. Me afërsisht gjysmë milioni aplikime dhe më shumë se 300 mijë bileta të shitura, “Berlinale” konsiderohet si festivali me publikun më të madh në botë.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme