Arti në Kosovë po përballet me krizë

Arti në Kosovë po përballet me krizë

25 shkurt 2018 10:26

Vlerësimi i artit luan një rol shumë të rëndësishëm për kulturën e vendit, ngase pranimi i artit në përgjithësi, tregon për kulturën që e posedon një vend. Kur ka pranim dhe vlerësim të mirëfilltë anashkalohet kriza në art, por megjithatë studimet e përgjithshme në këtë domen konstatojnë se ekziston një gjendje jo e mirë në fushën e artit.

Sa i përket krizës në art dhe arritjeve të reja në këtë fushë, piktorja nga Mali i Zi, Zake Prelvukaj, e cila me pikturat e saj ka depërtuar edhe jashtë vendit, ka thënë për KosovaPress se jo vetëm në shtetin e Kosovës por edhe në shtetet tjera është krizë për art, plus kësaj ajo ka edhe një kërkesë, që institucionet të përqendrohen më tepër tek të rinjtë, duke konsideruar se ata janë faktorë të rëndësishëm në zhvillimin dhe prezantimin e shtetit tonë.

“Në Kosovë arti mendoj se vlerësohet prej njerëzve të cilët janë kompetent, natyrisht, mirëpo është edhe diçka që këto vitet e fundit, sidomos prej viteve të 90-ta, është bërë njëfarë revolucioni në art, i heshtur, që kanë ardhur më shumë femra të studiojnë, do me thënë ka qenë interesimi shumë më i madh... Në çdo shtet është krizë për art, po mendoj se institucionet duhet më shumë të përqendrohen në të rinjtë, më shumë të përqendrohen në art sepse në qoftë se zbulojmë talente të rinj dhe talente të natyrës që depërtojnë, vetëhulumtues dhe vetëstudiues, unë mendoj se në qoftë se aty e ndajmë një kufi për ta, besoj se kështu kemi investuar në shtet. Pse kemi investuar në shtet, sepse politika kulturore shpeshherë është më e fuqishme se arti i politikës, vetë politika edhe është shumë më e qëndrueshme”, tha ajo.

E pyetur se a vlerësohet arti në bazë të shitjes së pikturave, ajo tha se kjo mund të konstatohet në bazë të blerësit, duke konsideruar se blerja e pikturave nga një koleksionues nga vendet e jashtme, konsiston në atë se kjo është një arritje kur ka interes nga jashtë Kosova.

Për fund ajo ka paralajmëruar risjelljen e një pikture nga Picasso, të cilën vite më parë e kishin sjellë në galerinë e arteve.

Edhe piktori Ali Alimusaj, i njohur për bagazhin e tij me mbi 30 mijë vepra arti, me 50 vite që merret me art, ka një preokupim për artin, sepse sipas tij, të bësh art në Kosovës është problem shumë i madh, pasi pasohet nga vlerësimet subjektive, që janë larg mendimit kritik e të saktë.

“Të bësh art në Kosovë është problem shumë i madh, është edhe njëherë të bësh art, të merresh me art duhet të jesh artist i dyfishtë, problemet janë se ke të bësh me rrethin, me njerëzit që fare nuk e kuptojnë edhe vlerësimet gjithmonë dinë të jenë edhe subjektive. Ne artistët duke e llogaritur këtë, kemi pasur gjithmonë vullnet të jashtëzakonshëm, e kemi ditur se jetojmë në rrethana të cilat janë për ne të pavolitshme edhe në këto kushte kemi krijuar kushte. Do të thotë se jemi marrë më diçka që nuk kemi qenë të përqafuar gjatë decenieve, prej viteve te 70-ta që merrem me art. Tani Kosova është shtet dhe unë mendoj se institucionet që janë të thirrura për vlerësime dhe për t’iu ndihmuar artistëve dhe aktiviteteve të artistëve, ato duhet ta kenë fjalën kryesore sa i përket përkrahjes edhe t’iu japin artistëve vendin e merituar”, tha ai.

Sipas tij, tregu në Kosovë paraqet një problem të madh për piktorin, kjo ngase tregu po ndikon në përshtatjen e piktorëve të rinj, e jo në ruajtjen e veçorive të mirëfillta të artit që ata e kultivojnë.

“Në Kosovë nuk ka pasur shitje dhe për atë artistët e kanë ditur që nuk ka shitje dhe kanë krijuar vlera të mirëfillta edhe kjo është revanshuar si pozitive, sepse artistët nuk i janë përshtatur tregut, nuk i kanë shkuar pas tregut edhe kanë mbetur vlerat e mirëfillta, kjo është me shumë interes. Nëpër botë artistët shkojnë pas tregut dhe mund të jenë shumë të mirë por deformohen sepse përshtaten, e këtu tek në kjo si kundërvlerë është sjellë... Nuk është punuar për tregun, nuk është krijuar për tregun”, tha ai.

Alimusaj theksoi se artin në përgjithësi e mbajnë të izoluar.

“Artistët i ka Kosova, i ka edhe Shqipëria, artistët duhet të angazhohen, artistët i bëjnë shërbim shtetit edhe pushtetit. Ne jemi në themelet e krijimtarisë, të themi të shtetit në përgjithësi... Prej lëmive shumë të rëndësishme që duhet të mburremi është edhe arti figurativ, që ne jemi tepër në nivel edhe nëse duhet t’i themi dikujt prej botës eja të shohësh se çka kemi ne prej vlerave, në rend të parë e vëmë artin figurativ, se jemi shumë të përgatitur dhe kemi vlera, kemi çka të tregojmë. Kështu që ato mbeten të fshehura, nuk promovohen, nuk u jepet dimnesion, mos të flas për blerjen, për përkrahjen e artistëve që është shumë e rrallë ose fare, do të thotë shtetit nuk i intereson”, shtoi ai.

Zake Prelvukaj dhe Ali Alimusaj, janë piktorë që kanë një bagazh të pasur me vepra të ndryshme. Ata kontribuojnë edhe në arsim duke e gëzuar statusin profesor të Fakultetit të Arteve. Pritet të vazhdojnë në hapjen e ekspozitave tjera të reja, për ta promovuar punën e tyre të vazhdueshme në art.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme