Kulturë

“Touch Me Not” fiton Ariun e Artë në Berlinale

“Touch Me Not”, një film për intimitetin dhe seksin që tronditi disa shikues me skena eksplicite, fitoi Ariun e Artë për filmin më të mirë në ceremoninë e Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Berlin, të 68-in me radhë, të shtunën.

Regjisorja rumune, Adina Pintilie, tha se nuk ka pritur të fitojë çmimin për filmin e saj, i cili gërsheton realitetin dhe trillimin derisa ndjek disa karaktere që kërkojnë intimitet por në të njëjtën kohë edhe i frikësohen, raporton Reuters.

Ariu i Argjendtë për regjisorin më të mirë shkoi për amerikanin Wes Anderson për “Isle of Dogs” – një film i animuar për një qytet japonez që depërton qentë e tij në një deponi bërlloku gjatë përhapjes së një sëmundjeje të qenve, transmeton Koha.net.

Anthony Bajon mori çmimin për aktorin më të mirë për rolin e tij si një i varur nga droga që provon të heq shprehinë me ndihmën e besimit në “La Priere” (Lutja) e Cedric Kahnit.

Ndërsa Ana Brun u shpërblye me çmimin aktorja më e mirë për rolin e saj në filmin “Las herederas” (Trashëgimtaret).

Çmimi për skenarin më të mirë iu nda Manuel Alcalas dhe Alonso Ruizpalaciosas për “Museo” (Muzeu) për studentët që vjedhin artefakte nga Muzeu Nacional i Antropologjisë në Mexico City.

Filmi “Twarz” i regjisores polake Malgorzata Szumowska – për një burrë që bën transplant të fytyrës pas një aksidenti – u shpërblye me çmimin e jurisë Ariu i Argjendtë.

Çmimet u ndanë nga një juri prej gjashtë personash e udhëhequr nga regjisori gjerman Tom Tykwer. Në festival, i cili mbahet nga 15 deri më 25 shkurt, po shfaqen rreth 400 filma. Nga ta, 19 garuan për çmimin e Ariut të Artë.

Ndërkaq, edhe filmi me rrëfim e aktorë nga Kosova ka dalë fitues në “Berlinale”. Produksioni holandez “Kiem Holijanda” nën regji të Sarah Veltmeyer me Andi e Florist Bajgorën dhe Arbresha Grabovci-Nixhën në role kryesore, të premten mbrëma ka marrë “Ariun e Kristaltë” për filmin më të mirë të shkurtër në programin “Generation 14 plus”.

“Berlinale” është një prej festivaleve më të vjetra dhe më prestigjioze në botë.