Kulturë

“Baza” prezanton edhe reliktet e UÇK-së

Descriptive Text

Motori i komandantit legjendar Adem Jashari, uniforma e një dëshmori të UCK-së, cizmet që kanë përdorur ushtarët e UÇK-së gjatë luftës, koburja e Isa Boletinit, shalli dhe lapsi i ish presidentit të ndjerë Ibrahim Rugova dhe shumë eksponate tjera të periudhave të ndryshme që i takojnë historisë shqiptare janë prezantuar sot nëpërmjet një ekspozite të quajtur “Bazë”.

Të pranishmit në këtë ekspozitë u njoftuan për së afërmi edhe me vehsjet kombëtare të shqiptarëve, armët që janë përdorur nga ushtarët e UÇK-së por aty panë edhe xhupin që William Walker kishte veshur ditën kur kishte ndodhur masakra e Reçakut më 15 janar të vitit 1999.

Kjo ekspozitë është cilësuar si një ekspozitë ndryshe nga tjerat me anë së cilës paraqet një histori jo vetëm e së djeshmes por edhe të tashmes.

Ministri i Kulturës, Kujtim Gashi duke vlerësuar lart hapjen e kësaj ekspozitë premtoi bashkëpunim të mëtutjeshëm për Muzeun në mënyrë që të pasurohet Muzeu i Kosovës.

“ Që në fillim të marrjes së përgjegjësisë për të drejtuar Ministrinë e Kulturës, treguam qartë vullnetin dhe gatishmërinë tonë, për të çuar para këtë projekt të rëndësishëm për të kaluarën e çmuar të vendit sepse e kemi detyrim ndaj gjeneratave, që t’u mundësojmë të kaluarën, që ata duhet të edukohen dhe të kenë se çfarë të tregojnë për të kaluarën e lavdishmë të vendit të cilin jetojnë. Vendi për të cilin duhet të ndihen krenar të gjithë qytetarët tonë “, tha Gashi.

Drejtori i Muzeut Skënder Boshtrakaj, përpos pjesës vizuele të destinuar për të pranishmit, ai ka folur edhe për natyrën e ekspozitës, të cilën e ka cilësuar si një ekspozitë ndryshe prej tjerave, me një histori që i përket jo vetëm të djeshmes por që nuk lë në harresë as eskponatet e së tashmes, të cilat arrijnë të krijojnë histori.

Ai sugjeroi pjesëmarrësit që të kontriboujnë në çfarëdo mënyre, si donatorë, si interpretues, apo qoftë si promovues të vlerave të trashëgimisë kulturore të vendit.

“Kjo ekspozitë, ne e quajmë BAZË, e pret kontributin e juaj, si donatorë, si interpretues dhe si promovues të vlerave të trashëgimisë kulturore të këtij vendi...Muzeu i Kosovës nuk do të jetë vetëm një gazetë e së djeshmes, të cilën e keni lexuar njëherë dhe herën tjetër nuk keni nevojë të vini sepse e keni parë, do të jetë një institucion dinamik, i cili do të prezentojë gjithë kohën përmbajtje të reja, dhe me interes për publikun”, tha Boshtrakaj.

Në hapje të ëksaj ekspozite ka marr pjesë edhe një fotoreportere nga Selaniku, Fani Sari , e cila ka qenë vizitore e Kosovës në vitin 1989, dhe e ka vizituar pastaj Kosovën herë pas here, fotografitë e të cilave kanë zënë vend në Muzeun e Kosovës.

Ajo ka dhënë mendim e pak fjalë e ka shprehur mendimin e saj për Kosovën.

“Fotot e mia e thonë çdo gjë, ju keni një kulturë të madhe. Ju keni bërë shumë për këtë kulturë dhe ju duhet të promovoni, të vazhdoni me kulturën tuaj. Fillimisht, Ibrahim Rugova ka folur për kulturën këtu, tani është radha juaj t’i jepni kulturë popullit të Kosovës”, tha fotoreporterja nga Greqia.

Muzeu i Kosovës është ndërtuar para afro 140 vitesh, dhe përfshinë një koleksion, me më shumë se 50 mijë eksponate të profileve të ndryshme, prej pavionit të arkeologjisë, teknologjisë, historisë, folklorit, e deri tek elementet e etno-kulturës.