Nga Fieri në Prishtinë, ekspozita ndërkombëtare “Fokus 2017”

Nga Fieri në Prishtinë, ekspozita ndërkombëtare “Fokus 2017”

23 shkurt 2018 09:47

Galeria Qahili mbrëmë ka qenë e mbushur me fotografë të cilët ishin pjesë e ekspozitës ndërkombëtare “Fokus 2017”. Fotografitë, shumica e të cilave ishin bardh e zi, sollën detaje nga jeta e përditshme. Kurse ato të cilat kishin edhe ngjyra kombinoheshin bukur me pjesën tjetër, dritë-hije. Fotografitë e krijuara nga 55 artistë të fotografisë, të cilët vinin nga 20 shtete të ndryshme, ruanin veçantinë e tyre gjersa publikun e tërhiqnin në një udhëtim të njëtrajtshëm, shkruan KultPlus.

Ishin pikërisht emrat e fotografëve vendosur poshtë fotografive të tyre, një thirrje e vazhdueshme se ekspozita është kolektive. Çastet të cilat fotografët i kishin fiksuar në celuloid, ishin të perceptueshme për të gjithë publikun, të cilët gjenin elemente të ndryshme në fotografitë e ekspozuara. Një i moshuar me llullë, dikush me sy të mbyllur, një vajzë e vogël, dikush duke luajtur, dikush shtrirë mbi lule, një jakë e bardhë, dikush shtrirë afër plazhit, një tjetër duke mbajtur botën mbi shpatulla gjersa qëndron e kërrusur, ishin vetëm disa nga elementet që shfaqnin momentet që kishin kapur fotografët.

Konkursi i themeluar nga artistët, Arben Alliaj dhe Saimir Ahmeti, të cilët me shumë entuziazëm vazhdojnë këtë traditë, ka filluar në vitin 2006 duke mbledhur rreth vetës njerëz që e kanë pasion fotografinë. Kurse sipas Arben Allijaj,pikërisht ky pasion me kalimin e viteve i bashkoi edhe më shumë.

“Në atë periudhë ne nuk njiheshim por me kalimin e viteve kemi bërë që sot ne të ndjehemi si në shtëpinë tonë. Falë bashkëpunimeve që i kemi pasur me fotografë me emër, me profesorë të fotografisë, me konkurrent të rinje, por që më vite tashmë janë bërë edhe më profesionist, kemi arrite deri te ky organizim”, është shprehur ai. Tutje ai ka sqaruar se arsyeja e hapjes së kësaj ekspozitë edhe në Prishtinë është një shenjë mirënjohje për të gjithë emrat e njohur të fotografisë kosovare që për vite kanë kontribuar në zhvillimin dhe në rritjen e cilësisë së aktivitetit. Mirëpo, ky organizim ashtu siç u shpreh edhe Saimir Ahmeti shihet me mjaft përgjegjësi, pasi që është një ndër hapësirat e pakta për paraqitje të fotografisë.

Ekspozita përbëhej nga fotografi të cilat kanë qenë pjesë e edicionit të 8-të të Konkursit Ndërkombëtar të Fotografisë Artistike “Fokus 2017”. Kurse në Fier, ku edhe është shfaqur ekspozita për herë të parë, juria profesionale e përbërë nga Armand Sallabanda, Leon Cika dhe Boro Arsovski, shpalli tre fituesit e kësaj ekspozite. Çmimin e parë e mori Andrea Kiss nga Hungaria, çmimin e dytë Igor Coko nga Serbia dhe çmimin e tretë Adrian Fezollari nga Shqipëria.

Kjo ekspozitë është përzgjedhur nga kuratorët: Burim Myftiu dhe Osman Demiri, në bazë të përvojës së tyre artistike shumëvjeçare. Kurse, sipas kuratorit Osman Demiri, fotografitë edhe pse janë krijuar nga fotografë të ndryshëm, përbëjnë një tërësi të bukur.

Artistët pjesëmarrës në këtë ekspozitë janë: Avin Abassi – Iran, Andi Agaraj – Shqipëri, Burhan Ahmeti – Maqedoni, Dali Alili – Maqedoni, Ibrahim Aysil – Turqi, Ernest Baba – Shqipëri, Ergys Baki – Shqipëri, Ahmad Belbasi – Iran, Roland Beqiraj – Shqipëri, Fjolla Besimi – Kosovë, Goran Boriçiq – Montenegro, Fitim Bushati – Kosovë, Taras Bychko – Ukrainë, Enver Bylykbashi – Kosovë, Igor Coko – Serbi, Haris Calkiq – Bosnjë dhe Hercegovinë, Alfredo Olivia Delgado – Spanjë, Mariposa Fa – Zvicër, Ardian Fezollari – Shqipëri, Ando Fuchs – Austri, Nima Ghari – Iran, Bardha Goga – Kosovë, Ahmed Hadrovic – Bosnjë dhe Hercegovinë, Damon Haghgoo – Iran, Afrim Hajrullahu – Kosovë, Besnik Hamiti – Kosovë, Arton Humolli – Kosovë, Rromir Imami – Zvicër, Dashimir Izairi – Gjermani – Maqedoni, Gani Jakupi – Francë – Kosovë, Eduina Jaupi – Shqipëri, Shukri Kaçaniku – Kosovë, Eliano Kalemi – Shqipëri – SHBA, Ognjen Karabegovic – Kroaci, Olga Karlovac – Kroaci, Andrea Kiss – Hungari, Artan Korenica – Kosovë, Halim Luta – Maqedoni, Ivano Mercanzin – Itali, Aleksander Mogilo – Bulgari, Olsi Qazimi – Gjermani, Vasil Qesari – Francë, Hazir Reka – Kosovë, Shkëlzen Rexha – Kosovë, Kaveh Safernejad – Kanadë, Fahredin Spahija – Kosovë, Naim Spahiu – Kosovë, Naim Shala – Kosovë, Burak Senbak – Turkey, Gent Shkullaku – Shqipërim Rozafa Shpuza – Shqipëri, Iden Temali – Shqipëri, Enea Veria – Shqipëri, Qerim Vrioni – Shqipëri, Maja Zlatevska – Maqedoni.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme