“Gjuha amtare është element identiteti” Foto: Koha / ilustrim

“Gjuha amtare është element identiteti”

21 shkurt 2018 08:50

Sot shënohet Dita Ndërkombëtare e Gjuhës Amtare. Që nga viti 1999 kur UNESCO kishte shpallur 21 shkurtin Ditë Ndërkombëtare të gjuhës amtare, çdo vit në gjithë botë organizohen aktivitete me qëllim të ruajtjes dhe promovimit të gjuhëve amtare. Në vitin 2007, e njëjta ditë është pranuar nga Asambleja e Kombeve të Bashkuara.

Profesoresha e Universitetit të Prishtinës, Nerimane Kamberi, tha se në dekadën e fundit ka pasur shumë lëvizje për gjuhët në Kosovë.

“Gjuha shqipe ka qenë temë diskutimi për shkak të rrethanave që ishin në Kosovë nën administrimin ndërkombëtar”, tha sot ajo në televizionin publik. Sipas saj, diaspora shqiptare duhet të kujdeset të ruajë gjuhën shqipe. “Është gabim kur mërgimtarët tanë që jetojnë në perëndim thonë se duhet të mësohet vetëm gjuha e huaj”, theksoi ajo.

Kamberi vlerësoi se arsimi është ai që duhet të ketë rolin për gjuhën. “Gjuha është baza e mësimit, pa gjuhë nuk mund të shkohet askund”, tha ajo. Sipas saj, aq më shumë gjuhë që flet njeriu është më mirë.

“Nëse dimë gjuhën amtare, do të kemi mundësi të qasemi më shumë në gjuhë të huaj. Unë shoh se ka shumë të rinj që kanë mësuar gjuhë të huaj nga serialet, por gjuha amtare është element identiteti”, tha ajo.

Data 21 shkurt është caktuar për të përkujtuar vitin 1952, ku ndodhi vrasja e disa studentëve të Universitetit Dhaka me origjinë Bengali, të cilët qenë vrarë nga policët pakistanezë derisa protestonin për të drejtën e gjuhës së tyre bengaleze.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme