“Martesa” në Norvegji garon për çmimin e regjisorëve debutues

“Martesa” në Norvegji garon për çmimin e regjisorëve debutues

20 shkurt 2018 10:27

Filmi që theu rekord shikueshmërie qysh në javën e parë të shfaqjes në Kosovë, e që po vazhdon të përflitet nëpër rrjete sociale e qarqe kineastësh, do të shfaqet në ekranin e një festivali norvegjez.

“Martesa” i regjisores Blerta Zeqiri, do t’i ketë tri shfaqje në “Kosmorama International Trondheim Film Festival” të Norvegjisë, dhe është në konkurrencë për çmimin e regjisorëve debutues me film të gjatë, shkruan sot “Koha Ditore”.

Rrëfimi nga Kosova për një trekëndësh dashurie, i cilësuar si një ndër dramat më të mira evropiane për komunitetin LGBTI, do të shfaqet atje në datat 7, 8 dhe 11 mars.

“Kosmorama...” ka për qëllim të forcojë industrinë e filmit në Norvegji dhe t’i kontribuojë inovacionit në kryqëzimin kulturor e komercial. “Martesa” – i bashkëfinancuar nga Qendra Kinematografike e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë - me shfaqjen në “Cineplexx” në Prishtinë për vetëm një javë, theu rekord me 1 mijë e 355 bileta të shitura me dy terminë në ditë. Prej së premtes së 9 shkurtit, filmi ka vazhduar të shfaqet në tri termine.

Ekipi i filmit qysh moti e ka paralajmëruar se “Martesa” – që ka në role kryesore aktorët Alban Ukaj, Adriana Matoshi e Genc Salihu – do ta ketë një rrugëtim të gjatë nëpër festivale të botës.

Kreshnik Keka Berisha, bashkëskenarist me Zeqirin e njëherësh producent i filmit, ka thënë se çdo festival është me rëndësi, pasi që ekipi ka interesim që filmin ta shohin sa më shumë shikues dhe t’i rritet mundësia që në shtetet ku shfaqet të arrijnë marrëveshje distribucioni.

Ai ka zbuluar se festivali norvegjez nuk do të jetë destinacioni i vetëm i “Martesës” gjatë muajve të ardhshëm... (më gjerësisht lexoni sot në “Koha Ditore”)

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme