Kulturë

18 vjet pa poetin Latif Berisha

Descriptive Text

Sot bëhen 18 vjet nga vrasja e poetit mitrovicas Latif Berisha.

Kur lufta për çlirimin e Kosovës mori hov të madh, më 24 mars 1999, në natën e parë të bombardimeve të forcave të NATO-s mbi caqet serbe, në Mitrovicë, kriminelët serbë e vranë prof.Latif Berishën, në pragun e shtëpisë së tij.

Latif Berisha aktivist në lëvizjen gjithëshqiptare të Kosovës dhe ish kryetar i LDK-së në Mitrovicë.

Latif Berisha lindi më 18 qershor 1931 në Smrekonicë të Vushtrrisë.

Mësimet fillore i kreu në vendlindje, ndërsa ato të mesme në Vushtrri e Prishtinë. Fillimisht më 1949,punoi mësues në shkollën fillore në Pantinë.

Këtu filloi të shkruajë poezi e disa prej tyre edhe t'i botojë në revistën letrare 'Jeta e Re". Më 1951 punoi inspektor në Sekretariatin për Arsim Kulturë dhe Shëndetësi. Në ato vite qe edhe anëtar i Kryesisë së Shoqatës së Arsimtarëve.

Më 1954, Latif Berisha punoi mësimdhënës i Gjuhës dhe letërsisë shqipe në Gjimnazin e ulët të Vushtrrisë, ndërsa më 1955 regjistrohet student i rregullt i Albanologjisë në Fakultetin Filozofik në Beograd. Gjatë kohës së studimeve,më 1957 boti përmbledhjen e poezive"TUFA". Aktiviteti i tij u dallua edhe në formimin e Shoqërisë letrare "Përpjekja" të studentëve shqiptarë që studionin në Universitetin e Beogradit. Në qershor të vitit 1959, diplomoi në degën e Albanologjisë dhe pastaj punoi mësimdhënës në Gjimnazin e Mitrovicës "Silvira Tomazini".

Më 1963, Latif Berisha i vazhdoi studimet pasuniversitare , Drejtimi i Letërsisë, në Fakultetin Filologjik të Beogradit dhe punoi temën e magjistraturës "Skëndërbeu në letërsinë e shkruar shqipe".

Më 1965 u zgjodh asistent në Degën e Albanologjisë në Fakultetin Filozofik të Prishtinës, ndërsa më 1968 u zgjodh ligjërues i Historisë së letërsisë shqipe (Romantizmi).

Që nga viti 1984, punoi në projektin "Skënderbeu në letërsinë shqipe" të cilin nuk e mbaroi.

Në vitin 1991, si dhe shumë mësimdhënës të tjerë, edhe Latif Berishën,regjimi serb e largoi nga puna.

Gjatë viteve '90, Latif Berisha u angazhua në lëvizjen e intelektualëve dhe të popullit shqiptar për mbrojtjen e çështjes kombëtare. Ka qenë anëtar i Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe kryetar i Degës së LDK-së në Mitrovicë.

U angazhua posaçërisht si udhëheqës në sektorin e kulturës, si dhe ishte i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës.

Latif Berisha ka botuar vëllimin me poezi "Tufa"(1957), studimet e vështrimet: Ali Asllani dhe krijimtaria e tij poetike"(1963), Skëndërbeu në poemën "Kënga e sprasme e Balës" (1968), Skënderbeu në disa krijime të letërsisë shqipe në Jugosllavi (1968), Vepra "Lulet e Verës" dhe disa nga dimensionet e saj kuptimore (1972), Poema "Bagëti e Bujqësi" (vlera ideoartistike) (1972), Hil Mosi dhe krijimtaria e tij poetike (1972), Andria Kaçiq Mioshiq dhe shqiptarët (1974), Një tufëz vjershash autografe të Zef Serembes (1974), Mistifikimi letrar dhe letërsia shqiptare e Rilindjes (1976), Jehona e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit në katër poezitë e atyre viteve (1978), Zef de Rada,poet pak i njohur arbëresh (1978),Pikëpamjet e Luigj Gurakuqit mbi poezinë (1978), Në gjurmë krijuese të Jeronim de Radës (1978), Pikëpjekje të Letërsisë së Rilindjes me jetën dhe letërsinë e sllavëve të jugut (1982), Poezia e De Radës në suaza botërore (1984), Gjendje aktuale e kulturës shqiptare në Kosovë dhe kahet e zhvillimit të saj (1995), Vepra letrare "Dora d'Istrias , Shqiptarët (1995) etj.

Në vitin 2004, Presidenti Historik Dr.Ibrahim Rugova,e dekoroi prof. Latif Berishën me Medaljen e Artë të Pavarësisë, për kontributin e dhënë për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.