Kulturë

“Vizatimi sot” sjell në GKK lojën me stile nëpër gjenerata

Prishtinë, 16 shkurt – Me veprat e 20 artistëve kosovarë vizitori bëhet dëshmitar i zhvillimit të artit bashkëkohor, më saktësisht teknikës së vizatimit. Në këtë përmbledhje dyzetvjeçare rrugëtimi artistik thuren stile

artistësh. Por emëruesi i përbashkët i tyre është vija si zanafillë jo vetëm e artit, por edhe e komunikimit ndërnjerëzor.

Ekspozita është titulluar “Vizatimi sot” dhe pos vlerave ka një frakturë dokumentare. Në katin përdhes të GKK-së shpalosen punimet e artistëve që i takojnë gjeneratës më të vjetër dhe të mesme, emra të njohur si Alije Vokshi, Rexhep Ferri, Esat Valla, Hysni Krasniqi, Orhan Kurtolli, Veli Blakçori, Mehmet Behluli, Adem Rusinovci e Nehbi Muriqi. Ajo që i dallon këto është pikërisht përdorimi i vijës, një lojë e lirë me të për të ardhur deri te figuracioni.

Duke u ngjitur shkallëve për në katin e parë, vizitori sikur ecën nëpër kohë. Vizatimi ka edhe ngjyrën. E ngjyra bëhet shtyllë, përkufizim i vijës. Më pas sikur ajo nuk do të dalë jashtë kornizave dhe ecën nëpër mure në vazhdimësi me vizatimin tjetër në letër. Pra, përveç letrës, vizatimi zë vend edhe në mur, por edhe në karton. Krejt kjo mënyrë e shprehjes bashkëkohore zbërthen konceptin e përdorimit të vijës dikur dhe sot. Artistë të rinj, të cilët po ashtu u bënë pjesë e kësaj ekspozite të kuruar nga skulptori i njohur Ismet Jonuzi, janë: Artan Balaj, Artan Hajrullahu, Burim Canolli, Leunora Salihu, Shpend Qeriqi, Vlora Hajrullahu e të tjerë (gjerësisht, sot në “Kohën Ditore”).

{gallery}

Gazetën Koha Ditore mund ta lexoni edhe online. Këtu mund të gjeni sqarimin se si mund të abonoheni.