Rushit Ramabaja pranon çmimin “Azem Shkreli”, MKRS-ja ndan edhe çmimet për letërsi

Rushit Ramabaja pranon çmimin “Azem Shkreli”, MKRS-ja ndan edhe çmimet për letërsi

15 shkurt 2018 14:16

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, ka ndarë sot Çmimin Kombëtar për Vepër Jetësore "Azem Shkreli" dhe Çmimet Vjetore për Letërsi.

Çmimi Vjetor për Vepër Jetësore iu dha shkrimtarit Rushit Ramabaja.

Ministri Gashi tha se ndarja e këtyre çmimeve sot bëhet edhe më domethënëse, në vitin jubilar të shpalljes së pavarësisë te Kosovës.

“Këto çmime ndahen në vitin jubilar të shpalljes të Pavarësisë të Kosovës. Jo rastësisht e kemi aktivitet që po zhvillohet në këtë 10 vjetor. MRKS e vlerëson punën dhe angazhimin tuaj”, tha ai.

Ministri bëri të ditur se për vlerësimin dhe ndarjen e çmimeve është përkujdesur një juri profesionale, e cila ka dhënë kontribut shumë të çmuar në këtë drejtim.

E në emër të jurisë foli Shkëlqim Millaku, i cili tha se falënderimi i takon Ministrisë që ia kanë besuar punën për ndarjen e këtyre çmimeve.

“Kemi pasur konkurrencë serioze, kemi pasur prurje të reja. Sot kemi përzgjedhur një mundësi tonën për të cilën ndoshta për shumëkënd do të mbetet pjesë e vlerësimeve korrekte ose si”, tha ai.

Ndërsa çmimi për prozë “Anton Pashku” iu nda Fatmir Halimit për veprën “Dy vdekje e një jetë”, çmimi “Ali Podrimja” për veprën më të mirë në poezi iu nda shkrimtarëve: Ismail Syla për “Atdheu im i ngrysur” dhe Ragip Sylës për veprën “Kam drojë për ty”.

Çmimin “Vehbi Kikaj” për fëmijë dhe të rinj e morën shkrimtarët Mexhit Mehmeti me veprën “Ecejaket e Hero Lindit” dhe Avni Dehari “Flakadanë e Lirisë”.

Çmimi për veprën më të mirë në kritikë letrare dhe eseistikë “Ibrahim Rugova” iu nda Arben Veselajt për studimin “Tema Kadareane”, ndërkaq çmimi për veprën më të mirë të përkthyer në gjuhën shqipe dhe anasjelltas “Pjetër Bogdani” Orjela Stefasanit për veprën “Njerëzit dhe ingranazhet”.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme