Guillermo del Toro kryeson jurinë e Festivalit të Filmit në Venecie

Guillermo del Toro kryeson jurinë e Festivalit të Filmit në Venecie

13 shkurt 2018 14:00

“Të jem kryetar i jurisë në Venecie është një nder i madh dhe përgjegjësi të cilën e pranoj me respekt dhe mirënjohje”, ka thënë të hënën në një deklaratë regjisori Gillermo del Toro, transmeton Koha. net shkrimin e DW. Kësisoj është deklaruar pasi që është shpalosur emri i tij si kryetari i jurisë i edicionit të sivjetmë të Festivalit të Filmit në Venecie.

“Venecia është dritare në botën e kinemasë dhe mundësi për të festuar fuqinë, dhe rëndësinë kulturore të këtij vendi”, ka thënë ai.

Alberto Barbera, drejtori i festivalit, e ka vlerësuar Del Toron për “imagjinatën e tij të gjallë, ndjeshmërinë e pazakontë dhe besimin që ka në fuqinë e imazhit”, duke thënë se ai do të jetë “president gjenial, kureshtar dhe entuziast i jurisë”.

“Guillermo del Toro personifikon zemërgjerësinë, dashurinë për të kaluarën apo të ardhmen e filmit dhe pasionin për një lloj të kinemasë, e cila mund të ndezë emocione, të prekë njerëzit dhe në të njëjtën kohë t’i bëjë ata të reflektojnë”, citohet të ketë thënë Barbera në një komunikatë për media.

Regjisori meksikan konsiderohet favorit në ceremoninë e “Academy Awards”, e cila do të zërë vend në muajin mars, ku “The Shape of Water”, atributi i tij ndaj filmave horrorë të rinisë së tij, do të garojë në 13 kategori, duke përfshirë atë për filmin dhe regjinë më të mirë.

Skenari i filmit sillet rreth një gruaje memece, e cila punon në një laborator qeveritar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës kur ajo bie në dashuri me një krijesë monstruoze, e cila mbahet e fshehur në laborator. Filmi tashmë ka fituar çmimin Luanin e Artë në festivalin e Venecias në vitin 2017 dhe ka marrë “Golden Globes” për regjinë më të mirë dhe kolonën zanore origjinale në shkurt.

Festivali i Filmit në Venecie është festivali më i vjetër në botë i filmit. Edicioni i tij i 75-të do të mbahet prej 29 gushtit deri më 8 shtator.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme