Kulturë

Filigrani, tradita kosovare që po shkon drejt zhdukjes

Prej shekujsh, qyteti i Prizrenit në Kosovën perëndimore ishte i njohur për zbukurimet e filigranit prej ari dhe argjendi. Por, sot kanë mbetur shumë pak zejtarë të filigranit, sepse të rinjtë nuk janë shumë të interesuar që ta trashëgojnë këtë traditë. Përfaqësues të shoqatës që merret me mbrojtjen e zejtarisë thonë se atë e ka dëmtuar importi i mallrave të këtij lloji me çmime të ulëta, prandaj bëjnë thirrje për përpjekje më të mëdha në ruajtjen e kësaj tradite si pjesë e identitetit të Kosovës.

Në punishten e tij të vogël e cila ndodhet brenda shtëpisë ku jeton, Jusuf Kastrati e kalon pjesën më të madhe të ditës, duke u marrë me zejen e filigranit. Dikur, qyteti në të cilin ai jeton, Prizreni, ka qenë shumë i njohur për stolitë e filigranit prej ari dhe argjendi. Ndërsa sot, Jusufi, është ndër të paktët që vazhdojnë të ruajnë këtë traditë.

“Fillimet e para të zanatit të filigranit, i kam marrë në ish-fabrikën ose organizatën ‘Filigran’ në Prizren, në vitin 1985 kam filluar të punoj aty. Në kohën e ish-Jugosllavisë, kam hyrë si nxënës ku edhe kam mësuar edhe kam marrë pagë. Aty do të thotë i kam marrë hapat e parë, kam pasur dëshirë prandaj kam filluar dhe kam punuar e deri tash merrem me këtë zeje dhe jam i pavarur”, thotë Jusufi për Zërin e Amerikës.

Për 33 vjet ai ka punuar stoli të ndryshme, disa prej tyre ide të tij e të tjerat me kërkesë të blerësve. Nga punimet më për zemër ai veçon një anije prej argjendi të cilës ia ka kushtuar 5 muaj punë dhe peshon më shumë se 10 kilogramë.

Mirëpo, Jusufi thotë se për dallim nga koha kur kishte filluar punën, tashmë kërkesat janë shumë të vogla. Kjo zeje, thotë ai, është në prag të zhdukjes.

“Kërkesa ka pasur në vazhdimësi por tash për fat të keq ky zanat ka filluar të zhduket. Kemi mbet edhe shumë pak, unë për shembull i kam tre fëmijë dhe asnjëri se ka trashëguar zejen e filigranit, kanë dalë jashtë. Ky zanat kërkon mbylljen ndërsa të rinjtë po preferojnë të rrinë më shumë jashtë apo të bëjnë punë më të lehta”, thotë ai.

Kryetari i Shoqatës së Artarëve dhe Argjendarëve të Kosovës, Enver Pakashtica, thotë se zeja po rrezikohet edhe nga fakti se shumë mallra të këtij lloji importohen me çmime të ulëta.

“Këto stolitë që janë punuar më herët në filigran, kohën e fundit apo 15 – 20 vjet e fundit kanë filluar të fabrikohen, të njëjtat modele po fabrikohen, Filigranizmi nuk paguhet. Do të thotë një produkt, një stoli e filigranit të punohet merr kohë shumë edhe nuk mund ta shesësh atë produkt ashtu si e kërkon tregu i Kosovës. Së pari është kriza ekonomike, ne e dimë në çfarë gjendje ekonomike jemi duke jetuar në Kosovë. Aty paguhet puna e koha dhe ajo është edhe arsyeja që ka rënë edhe shitja e këtyre produkteve”, thotë ai.

Pakashtica thotë se kjo zeje është pjesë e identitetit të Kosovës dhe për ta mbrojtur atë propozon hapjen e një shkolle profesionale për filigran.

“Në shtetet e rajonit, nuk po flas për Evropë, nuk ka shtet që nuk e ka shkollën e filigranizmit. Ne nuk kemi një shkollë të tillë fatkeqësisht, kemi pasur kërkesa të ndryshme por nuk kemi as hapësirë e as objekt. Unë për vete e kam trashëgimi prej babës këtë veprimtari prej viteve të 70-ta ne e punojmë, e fatkeqësisht unë nuk mund ta punoj filigranizmin. Ai që ka punuar ka shkuar ndërsa unë tash punoj me produkte të fabrikuara. E pse ta bëjnë edhe gjenerata e reja këtë gabim që e kam bërë unë”, thotë zoti Pakashtica.

Nuk dihet saktë se kur shqiptarët në Kosovë filluan të punojnë me argjend, por historianët thonë se kjo ndodhi diku rreth shekullit të pesëmbëdhjetë. Prizreni u bë qendra kryesore për argjendarët, por kjo zeje ishte e përhapur edhe në Pejë, Gjakovë dhe Prishtinë. Megjithëse dikur punohej më shumë me ar, sot argjendi zë vendin e parë, jo për shkak të bukurisë, por çmimit të tij.